Puna Jonë

Standarde të Hapura

robot protest

Standardet e Hapura janë themeli i bashkëpunimit në një shoqëri moderne. Ato u lejojnë njerëzve të ndajnë lirisht me njëri-tjetrin çfarëdolloj të dhënash, të parandalojnë bllokime nga prodhues apo të tjera pengesa artificiale ndaj ndërveprueshmërisë, dhe të nxisin zgjerimin e mundësive për zgjedhje, kur vjen puna te tregtuesit dhe zgjidhjet teknologjike. Standardet e Hapura janë të sendërtueshme me Software-in e Lirë, ndaj edhe i sjellin tregut konkurrencë të plotë. FSFE-ja është në krahun e konkurrencës së ndershme, ndërveprueshmërisë mes zgjidhjeve, dhe mundësisë së zgjedhjeve për konsumatorët. Standardet e Hapura janë një parakusht i domosdoshëm për t’i garantuar këto liri.

Çfarë është një standard teknik?

Një standard teknik është një grup rregullash të pranuara bashkërisht lidhur me sisteme teknike. Zakonisht është i dokumentuar përmes të ashtuquajturave 'përcaktime të standardit' të cilat përshkruajnë mënyra për ta organizuar informacionin në mënyrë konsistente, që kështu të mund të kuptohet dhe përdoret nga shumë aplikacione të pavarura. Standardet që përdoren për depozitim informacioni quhen 'formate', kurse ata të përdorur për transmetim informacioni quhen 'protokolle'.

Një standard vendos një taban të përbashkët që furnizon mjete për ndërveprueshmëri dhe konkurrencë. Antipodi i standardizimit është monopoli: përdoruesit e një produkti ose shërbimi mund të ndërveprojnë vetëm me përdorues të të njëjtit produkt ose shërbim. Ndaj, standardet përdoren për të lejuar konkurrencën për të mirën publike.

Standardet mund të jenë me leverdi për risitë, përmes lejimit të krejt aktorëve në treg të rinovojnë mbi bazën e standardit dhe të krijojnë shërbimet e tyre për ta vënë në punë standardin.

Pse Standarde të Hapura?

Problemi lind kur një standard është pronë e një lojtari të tregut që e përdor pozicionin e tij për të kontrolluar zhvillimin e mëtejshëm të standardit, ose përpiqet ta manipulojë përmes rregullash licencimi me qëllim që të përjashtojë ose përfshijë disa grupe të caktuar aktorësh. Në këtë rast, standardizimi përdoret për qëllime të kundërta me nxitjen e konkurrencës dhe ndërveprueshmërisë.

Ndaj, konkurrenca e plotë në treg furnizohet nga standarde që janë të hapur. Meqë Standardet e Hapura janë të përdorshëm lirisht, pa ndonjë kufizim, ato lejojnë përdorim teknologjish të standardizuara në produkte dhe shërbime pa ndonjë avantazh a priori të bazuar në pronësinë e standardit. Si rrjedhojë, përdorimi i teknologjisë u lejohet krejt aktorëve në treg, pavarësisht nga modeli i biznesit të dikujt.

Ç’është një standard 'i hapur'?

Standardet e Hapura janë të sendërtueshëm përmes Software-it të lirë. Nëse një standard nuk i plotëson kriteret vijuese, ai shpie në diskriminim kundër Software-it të Lirë, ndaj s’mund të quhet standard 'i hapur':

Një Standard i Hapur i referohet një formati ose protokolli që është:

  1. subjekt i shqyrtimit dhe përdorimit të plotë publik pa kufizime, e mundshme kjo në mënyrë të barabartë për të gjitha palët;
  2. pa ndonjë përbërës apo zgjerim që ka varësi në formate ose protokolle të cilët nuk e plotësojnë përkufizimin e Standardeve të Hapur;
  3. të lirë nga klauzola ligjore ose teknike që kufizojnë përdorimin nga cilado palë ose cilido model biznesi;
  4. i administruar dhe zhvilluar më tej në mënyrë të pavarur nga çfarëdo tregtuesi i veçantë, përmes një procesi të hapur kundrejt pjesëmarrjes së barabartë të konkurrentëve dhe palëve të treta;
  5. i passhëm në formën e sendërtimeve të plota, të shumta, nga tregues konkurrentë, ose si sendërtim i plotë, i passhëm në mënyrë të barabartë nga krejt palët.

Në këtë mënyrë standardi garanton që teknologjia është e përdorshme nga gjithkush, pavarësisht nga modeli i biznesit që ndjek dikush, madhësia, ose portofoli i të drejtave ekskluzive.

Pse standardet do të duhej të ishin minimaliste?

Synimi i standardit është të vendoset një platformë e përbashkët në teknologji dhe të bëjë të mundur që aplikacione të ndryshme të ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Me gjithnjë e më shumë të dhëna që depozitohen të dixhitalizuara, gjëja më e rëndësishme është të garantohet ndërveprueshmëria mes aplikacioneve të ndryshme. Kjo është arsyeja pse është thelbësore të bëhet e mundur që formati që dikush zgjedh për të depozituar të dhënat e veta të jetë i përdorshëm nga shumë aplikacione, pavarësisht nga tregtuesi ose zgjidhja teknike.

Kjo është arsyeja pse standardi jo vetëm duhet të jetë i hapur, por edhe 'minimalist', me qëllim që ta zgjidhë problemin teknik në mënyrë adekuate, dhe të lejojë për atë standard sa më shumë sendërtime që të jetë e mundur. Me fjalë të tjera, është e nevojshme të peshohet nëse standardi është aq i thjeshtë sa mundet, dhe aq i ndërlikuar sa nevojitet.

Standardet e stërfryra, me veçori të shumta të panevojshme, u japin tregtuesve të tyre një përparësi: është më e vështirë për një tjetër sendërtues të lexojë në mënyrë adekuate formatin, dhe klienti detyrohet t’i nënshtrohet kyçjeve nga një tregtues. Përveç kësaj, standardet e fryra me veçori të përdorura rrallë lënë hapur për sulmues dashakeqë deriçka të pasme dhe cenueshmëri.

Standard që është i sendërtueshëm me Software-in e Lirë

Sendërtime referencë

Për standardet e software-it, standardi faktik përkufizohet përmes përcaktimi formal dhe sendërtimit faktit. Pasja e përcaktimit formal shpesh nuk është e mjaftueshme për të mundur të sendërtohet standardi për sisteme dixhitalë kompleksë. Për cilëndo kompani që do të donte të sendërtonte standardin, njohja e sendërtimeve ekzistuese shpesh është më me vlerë se sa vetë përcaktimi formal, ngaqë kjo ndihmon të shmanget procesi i zgjeruar provë-dhe-gabime për zgjidhjen e dykuptimësive te përcaktimi formal.

Kështu pra, që standardi të jetë mjaftueshëm 'i hapur', hapja duhet të jetë e pranishme si te përcaktimi, ashtu edhe te sendërtimi.

Për pasojë, për sendërtime të hapur është më me leverdi nga pikëpamja ekonomike të botohen sendërtime referencë nën një licencë Software-i të Lirë. Kjo lejon që sendërtimi referencë të jetë i passhëm lirisht dhe të luajë gjithashtu rolin e një përcaktimi formal pa procesin institucional të caktimit të standardit.

Patentat në standarde

Ndonjëherë, përcaktimi i standardit përfshin zgjidhje teknike që janë të nevoshjme për të sendërtuar standardin. Këto zgjidhje teknike mund të mbrohen me patenta. Kështu që, cilitdo që dëshiron të adoptojë dhe sendërtojë standardin, i duhet të sigurojë licencën e duhur nga zotëruesi i patentës.

Industria ka përdorur praktika të ndryshme licencimi, për të mundur të tejkalohet problemi i patentave, thelbësor për sendërtimin e standardit: për shembull, kushtet 'royalty-free' (RF) ose një tjetër alternativë 'fair, reasonable, and non-discriminatory' (FRAND). Kushtet FRAND janë të papërputhshme me Software-in e Lirë. Për më tepër, për shkak të faktit që kushtet FRAND zakonisht mbahen të fshehtë, është e pamundur të provohet nëse kushtet e vëna janë objektivisht 'të paanshme' ose 'jo diskriminues'. Për pasojë, FRAND mund të përdoret si një mjet për të manipuluar procesin e standardizimit me qëllim që të përjashtohet konkurrenca.

Ndërkohë që licencimi RF merret vetëm me kriterin e pagimit të rrjedhur nga të drejta kopjimi, ai nuk trajton kufizime të tjera që mund të vendosen mbi adoptimin dhe sendërtimin e një standardi përmes Software-it të Lirë. Parë në këtë mënyrë, rregullat e licencimit të teknologjive të patentuara, për një proces standardizimi, duhet të jenë të përputhshme me gamën më të gjerë të mundshme të aktorëve të tregut, ngaqë qëllimi i standardizimit është të nxisë konkurrencën dhe të lejojë risitë e bazuara mbi të.

Ia vlen të shënohet se zor të ketë ndonjë sistem të ri në sektorin TIK që është ndërtuar pa përdorimin e Software-it të Lirë, dhe se përjashtimi nga proceset e standardizimit i kompanive që i bazojnë produktet e tyre në Software-in e Lirë mund të pengojë dukshëm risitë. Ndaj, licenca e përshtatshme për patenta thelbësore për standarde është ajo që nuk vendos ndonjë kufizim mbi sendërtime standardi përmes Software-i të lirë, domethënë 'pa kufizime', po t’i referohemi përkufizimit të Standardeve të Hapura.

Ç’mund të bëni?

Si shtetas

    Këmbëngulni në Standarde të Hapura: mos e lini qeverinë tuaj, universitetin, punëdhënësin, apo administratën publike vendore t’ju detyrojnë të përdorni formate të kyçur.

Si politikan

  • Promovoni politika që garantojnë praktikisht konkurrencë dhe risi në standardizime, domethënë Standarde të Hapura minimaliste të sendërtuara përmes Software-i të Lirë.
  • Promovoni politika licencimi që bazohen në kushte 'pa kufizime', me qëllim që të arrihet adoptimi më i gjerë i mundshëm i standardeve dhe të lejohet sendërtimi i tyre nga krejt aktorët në treg.
  • Jepini përparësi përdorimit të Standardeve të Hapura në prokurime publike dhe zhvillim software-i, me qëllim që të shtohet ndërveprueshmëria mes krejt zgjidhjeve software të përdorura në sektorin publik.

Lajme të afërta

Përgjigjet e FSFE-së në Konsultën Publike të Komisionit Europian: Rishikim i Kuadrit Europian të Ndërveprueshmërisë

24 June 2016:

Komisioni Europian ka kërkuar mendimet e publikut lidhur me planet e veta për rinovimin e Kuadrit Europian të Ndërveprueshmërisë (EIF). EIF-i synon të promovojë ndërveprueshmëri më të zgjeruar në sektorin publik të BE-së. Dokumenti, i menduar fillimisht si një grup udhëzimesh jo të detyrueshme për administratat publike të BE-së, po kalon në rishikimin e vet të tretë që nga adoptimi fillestar më 2004-n. FSFE-ja ka përgatitur komentet e saj për draftin e udhëzimeve të rishikuara.

Me licencimin FRAND, BE-ja rrezikon synimet e veta

28 April 2016:

Më 19 prill, Komisioni Europian botoi një komunikatë mbi "Përparësitë në Standardizimet TIK për Tregun e Përbashkët Dixhital" ('Komunikata' këtu e më poshtë). Strategjia për Tregun e Përbashkët Dixhital (TPD) synon dixhitalizimin e industrive përmes disa nismash ligjore dhe politike, dhe Komunikata është një pjesë e saj, që mbulon standardizimin. Në përgjithësi, Free Software Foundation Europe (FSFE) e mirëpret frymën bindëse të Komunikatës lidhur me integrimin e Software-it të Lirë dhe Standardet e Hapura në standardizim, por shpreh shqetësimet e veta lidhur me mungesën e të kuptuarit të kushteve të nevojshmeve për ecjen në atë drejtim.

Deklaratë e përbashkët : Shtimi në maksimum i përfshirjes dhe angazhimit përmes përdorimit të Standardeve të Hapura në Komisionin Europian

25 March 2015:

Sot është Dita e Lirisë së Dokumenteve, dita ndërkombëtare e kremtimit të Standardeve të Hapura dhe e shtimit të ndërgjegjësimit mbi to. Me këtë rast, duam të përsiatim mbi rëndësinë që ka për institucionet publike në përgjithësi, dhe për Komisionin Europian në veçanti, kur merret parasysh roli i tij drejtues, përdorimi i Standardeve të hapura në krejt komunikimet dhe shërbimet e veta dixhitale.

FSFE-ja u përgjigjet konsultave të BE-së mbi patentat dhe standardet

18 February 2015:

Që të ushtrojë trysni për një trajtim më të informuar të politikave të administrimit të risive dhe dijes, FSFE-ja ka parashtruar një përgjigje [pdf] te një konsultë e BE-së mbi patentat dhe standardet. Ky është veprimi më i ri i FSFE-së në një punë të vazhdueshme për promovimin e Standardeve të Hapura.

BE-ja do të financojë shqyrtim kodi Software-i të Lirë

19 December 2014:

Parlamenti Europian ka miratuar fonde për disa projekte të lidhur me Software-in e Lirë dhe privatësinë. Në buxhetin e BE-së për 2015-n, të cilin Parlamenti Europian e miratoi më 17 Dhjetor, eurodeputetët kanë caktuar deri në një milion euro për një projekt auditimi programesh Software të Lirë që përdor komisioni dhe Parlamenti, me qëllim që të gjenden dhe të ndreqen cenueshmëri sigurie.