E dua Software-in e Lirë

Pse e duan Software-in e Lirë

Fushata jonë internetore synon shtimin e ndërgjegjësimit mbi Software-in e Lirë dhe personat e pasionuar, të palodhur, pas tij. Tregojuni atyre se e vlerësoni punën e tyre – kjo mund të ndryshojë shumë gjëra! Këtë e kanë bërë të tjerë para jush, dhe këtu mund të lexoni pse e duan Software-in e Lirë.

"E dua software-in e lirë ngaqë ka kaq shumë gjëra të përbashkëta me lëvizjen për bashkëpunim. Që të dyja - lëvizja Raiffeisen që zuri fill më shumë se 150 vjet më parë - dhe Bashkësia e Software-it të Lirë e vënë theksin te demokracia, transparenca, pluralizmi, vazhdueshmëria, besueshmëria dhe përqendrimi mbi diçka. Që të dyja u japin mundësi njerëzve të zgjidhni tok probleme të rëndësishme. Software-in e Lirë e dua edhe ngaqë jam përdoruese prej kohësh e GNU/Linux-it dhe një pjesëmarrëse te projekti PmWiki."
Stefanie Schulte, specialiste marrëdhëniesh publike

"Pak dhjetëvjeçarë më parë, fjala "Liri" kish një kuptim shumë të ndryshëm nga i sotmi. Jetojmë në një shoqëri dixhitale, në të cilën, shumë aspekte të jetës sonë, dhe të Lirisë sonë, kalojnë përmes një mediumi dixhital. Pasja e kontrollit të plotë të software-it që përdorim është atëherë e vetmja rrugë për të ushtruar kontroll të plotë të Lirisë sonë. E dua Software-in e Lirë ngaqë kujdesem për Lirinë time."
Massimo Barbieri, anëtar i LUG Scandiano dhe anëtar shok i FSFE-së

"E dua software-in e lirë sepse fuqizon njerëzit, software-i i lirë ju vë në kushte që mund të bëni gjëra që s’mund t’i bënit më parë, ngaqë shton dijen tuaj, dhe ju bën më të ndërgjegjshëm mbi mundësitë tuaja. Software-in e Lirë e zbulova në universitet, dhe prej ahere para meje u shpalos një botë e tërë; dhe është aty, në pritje që të përdoret dhe në pritje të ndihmëtarëve të rinj. Me software-in e lirë kam bërë diçka që në të kaluarën e kam bërë shumë më pak: të nxënit! Kam mësuar më tepër jo vetëm mbi shkencat e kompjuterit, por edhe aftësi të çmuara për studimet dhe punësimin tim. Ndaj më duhet të them një "Faleminderit" të madh për krejt personat që shpenzojnë kohë nga e tyrja dhe na ofrojnë software të mrekullueshëm."
Christian Consonni, zëvendëspresident i Wikimedia Italy.

"Si web designer, shpenzoj shumicën e kohës në kompjuter. Përdorshmëria është problem me shumë rëndësi për mua. Dhe një pjesë shumë e rëndësishme e përdorshmërisë është përputhshmëria me standarde të hapura të përkufizuara mirë, ngaqë çdo program mund të ngrihet mbi këto norma. Është marrëzi të mos respektohen, nëse doni t’i ofroni një publiku të larmishëm me një dizajn të caktuar, dhe një mundësi ndërveprimi të qartë dhe të besueshme. Software-i i Lirë ngrihet mbi standarde të hapura. Për fat të keq, tregtuesit e mëdhenj të software-it pronësor i shpërfillin këto standarde, duke krijuar zgjidhje që funksionojnë vetëm me produktet e tyre. Nuk dua ta mbështes këtë lakmi dhe dal në krah të arsyes dhe bashkëpunimit duke përdorur software të lirë dhe duke ofruar punë në formate që mund të përdoren lirisht, pa qenë nevoja të pranohen kufizime të pafavorshme. Franz Gratzer, aktiv për veganizëm, mjedisin dhe anëtar shok i FSFE-së"
Franz Gratzer.

"Arsyeja pse "E dua Software-in e Lirë" gjendet te vetë togfjalëshi. Të jesh i lirë është e rëndësishme, të jem i lirë të administroj kompjuterin tim siç dua është e rëndësishme, të jesh i lirë të mësosh përherë diçka prej të tjerëve është e rëndësishme, të jesh i lirë përherë t’u mësosh diçka të tjerëve është e rëndësishme. E gjithë kjo është e mundshme vetëm me Software-in e Lirë, dhe qëkur iu bashkova kauzës, s’rroj dot më pa të. Linux, Ubuntu, Gnome, LibreOffice, Gimp, Blender, Chromium, sa për të përmendur një dorë, dhe mjaft programe të tjera të lira që përdor çdo ditë, më lejojnë të bëj ç’të dua, në mënyrën si dua. Pavarësisht se ç’dëshiroj të bëj, të shkruaj një dokument, të bëj përllogaritje, të shkruaj kod software-i, të krijoj punë grafike, ose thjeshtë të kënaqem duke luajtur një lojë apo të shoh një film. Software-i i Lirë është gjithnjë gati për mua , me një zgjidhje të efektshme dhe të thjeshtë për çdo fushë."
Nicola Jelmorini.

"E dua, e përkrah dhe kam nevojë për "Free Software". Ai është pjesë themelore e Internetit që njohim, parakusht bazë për një Internet të lirë dhe madje edhe mbështetës i demokracisë, në një farë mënyre, anembanë botës. Software-i i Lirë s’është thjesht vetëm një rrugë ekonomike për të patur një klon të Word-it. Është një pohim politik dhe, për disa programues, madje edhe fe."
Kai Kretschmann

"Ditën e Shën Valentinit, Shoqëria për Kulturë dhe Software të Lirë, e shtrin dashurinë e saj në projekte të tillë si Audacity, GIMP, Inkscape dhe të tjera mjete audiovizive. Këto mjete formojnë shtyllën kurrizore të infrastrukturës së nevojshme për të mbuluar kulturën e lirë dhe, edhe pse teknikisht Kultura e Lirë mund të ekzistonte pavarësisht nga Software-i i Lirë, dy lëvizjet kanë të përbashkët një filozofi të lirisë, çka i bën të dy të pandashëm. Pa Software të Lirë, do të ishte shumë më e vështirë të realizonim veprimtaritë tona, dhe asnjë projekt i Kulturës së Lirë s’do të ishte në gjendje të gëzonte liri të plotë pa infrastrukturën e krijuar nga projekte Software i Lirë, si ata të përmendur më sipër. Gjithkujt që është përfshirë në mbështetjen e kësaj infrastrukture: faleminderit! Ju duam!"
Jonas Oberg, Shoqëria për Kulturë dhe Software të Lirë (Föreningen fri kultur och programvara)

"Pse e dua Software-in e Lirë? Sepse më lejon të bëj gjëra të lezetshme pa u dashur të punoj në ndonjë kompani të madhe software-i me bazë në ShBA."
Valentin Rusu

"Software-i i Lirë është pjesë qendrore në gjithçka që bën KDE-ja dhe pa Software-in e Lirë KDE-ja s’do të ekzistonte.

KDE-ja bazohet në masë dërrmuese në ndihmesën vullnetare nga njerëz prej anembanë botës, të cilët fillimisht, s’e njohin njëri-tjetrin. Software-i i Lirë ofron kontratën sociale që i bën të mundshme ndihmesa të tilla, ngaqë vullnetarët tanë e dinë se po ndihmojnë të krijohet një e mirë e përbashkët që mund të ndahet me të tërë.

Software-i i Lirë dhe qëllimi i tij i lehtësimit të të përbashkëtës i jep gjithashtu KDE-së strukturën e vet dalluese jo-hierarkike, meritokratike. Pa parimet e Software-it të Lirë, KDE-së do t’i ish dashur kontroll i përqendruar i të drejtave të kopjimit të software-it dhe, për pasojë, një grup drejtuesish që përcaktojnë drejtimin e software-it që ne prodhojmë. Ndihmëtarët tanë do të kishin më pak aftësi për të provuar ide të reja, për të punuar në gjëra që vërtet u interesojnë dhe mbi, të gjitha, për të qenë të Lirë.

Pa Software të Lirë, s’do të kish KDE. Software-i i Lirë i jep jetë KDE-së. KDE-ja e do Software-in e Lirë."
Cornelius Schumacher, President i KDE e.V.

"E dua Software-in e Lirë ngaqë përfaqëson një alternativë, kur ndjesitë janë që s’mund të ketë kurrë një alternativë."
Chris Woolfrey

"E dua Software-in e Lirë ngaqë ne varemi gjithnjë e më shumë nga software-i, në çdo çast të jetës sonë. Është software-i ai që merret me email-et tona dhe veprimtaritë e rrjeteve shoqërore kur komunikojmë; është software-i ai që kontrollon furrat dhe frigoriferët tanë, kur përgatisim ushqimin; është software-i ai që drejton automjetet dhe aeroplanët kur udhëtojmë nëpër botë; është software-i ai që mban gjallë mjaft prej nesh kur kemi nevojë për pajisje spitalore ose pajisje bio-mjekësore të tilla si stimuluesit kardiakë. Një botë pa Software të Lirë nënkupton të qenët rob i autorëve të software-it pronësor që përdoret në jetën tonë. E dua Software-in e Lirë ngaqë mund të na çlirojë."
Dr. Stefano Zacchiroli, Drejtues në Projektin Debian, shkencëtar dhe zhvillues i Software-it të Lirë

"E dua software-in e Lirë ngaqë është si një makinë që të vjen me një doracak të plotë shërbimi dhe me çdo mjet që mund t’ju duhet -- mund ta riparoj vetë dhe madje edhe t’i shtoj veçori të reja! Nëse ia dal, përdorues të tjerë mund të përfitojnë nga ndryshimet e mia, dhe nëse s’mundem, ka gjithmonë një bashkësi që është e lumtur të ndihmojë."
Martin Zuther