Përkthimi i faqeve web

Udhërrëfyes i Shkurtër Hap Pas Hapi

Ky udhërrëfyes i vockël duhet përdorur vetëm nëse e njihni tashmë kuadrin e përkthimeve: Si prodhohen faqet tona, si të zbulohet se cilat përkthime mungojnë ose janë të vjetruar, e me radhë.

Në këtë shembull duam të përkthejmë https://fsfe.org/contribute/spreadtheword.en.html në Spanjisht. Ju lutemi, klikoni mbi figurat që të zmadhohen fotot.

  1. Gjeni kodin burim
    Rrëshqitni poshtë faqes që dëshironi të përktheni dhe gjeni "Kod burim" te poshtëshënimi.

  2. Shkarkoni kartelën .xhtml përmes mundësisë "Ruajeni Si..." të shfletuesit tuaj ose përmes mjetesh të tjera (në këtë rast https://fsfe.org/source/contribute/spreadtheword.en.xhtml).
  3. Shkruani një email për listën e përkthyesve
    Shkruajini një email të shkurtër translators@fsfeurope.org (duhet të jeni i pajtuar tashmë te kjo listë postimesh) dhe u thoni se po filloni me përkthimin.
    Ju lutemi, hapni një rrjedhë të re për çdo faqe dhe shtoni te subjekti Kodin dygermësh të gjuhës suaj.

  4. Hapeni kartelën e shkarkuar me një përpunues tekstesh (gedit, Kate, Mousepad etj në sisteme të Lirë operativë, Notepad++ në Windows).
  5. Përktheni tekstin në gjuhën tuaj
    Përktheni në gjuhën tuaj krejt tekstin anglisht jashtë etiketave HTML. Për shembull:
    <p><a href="/contribute/">Contribute</a></p> do të kalohej në
    <p><a href="/contribute/">Colabore</a></p>
    Ju lutemi, ndërrojeni Kodin dygermësh të Gjuhës të kartelës së përkthyer nga "en" për Anglishten në atë të gjuhës suaj (për shembull, për Spanjishten = "spreadtheword.es.xhtml").

  6. Dërgojeni kartelën dhe kërkoni redaktim të përkthimit
    Më pas, ju lutemi, përgjigjuni te rrjedha juaj te translators@fsfeurope.org dhe kërkojuni personave të tjerë të redaktojnë kartelën tuaj. Nëse të gjithë pajtohen me përkthimin dhe/ose redaktimin, ai do të ngarkohet në sajt nga persona të tjerë të pranishëm te lista e postimeve.

Udhërrëfyes i hollësishëm: Të kuptuarit se si janë ndërtuar faqet web

Faqet web të fsfe.org-ut janë ndërtuar si një grup kartelash XML. Shërbyesi web i prodhon faqet HTML prej këtyre kartelave XML vetvetiu çdo dhjetë minuta. Për pasojë, krejt përpunimet e faqeve kryhen në kartelat XML, kurse kartelat HTML nuk përpunohen kurrë drejtpërsëdrejti.

Çdo faqe te fsfe.org emërtohet sipas trajtës emërfaqeje.gjuhë.html (ku gjuhë është kodi dygermësh ISO-639-1 për gjuhën e dhënë, fjala vjen "en" për Anglishten ose "de" për Gjermanishten). Kartelat burim emërtohen emërfaqeje.gjuhë.xhtml.

Disa faqe kanë një pjesë dinamike. Përveç tekstit të fiksuar të marrë nga kartela XHTML, ato përmbajnë të dhëna nga një ose disa kartela të tjera XML. Kurdoherë që krijohet një faqe e tillë, sistemi i krijimit përdor kartelat XML të përkthyera, në pastë, ose versionin në Anglisht të tyre nëse nuk janë përkthyer ende. Prej kësaj, faqe të tilla përfundojnë me disa pjesë të tekstit të përkthyer dhe disa të tjera ende në Anglisht. Shembuj faqesh të tilla do të ishin faqja e fillimit, faqja e lajmeve, dhe faqja e veprimtarive.

Përkthime mund të ofrojë kushdo

Krejt kartelat burim (d.m.th. krejt kartelat XHTML dhe XML) janë publike, dhe mund të shkarkohem, kështu që cilido mund të japë ndihmesë vetvetiu me një përkthim, pa u dashur të regjistrohet diku. Megjithatë, kurdo që filloni një përkthim, dhe parashikoni se do t’ju hajë ca kohë, ju lutemi, shkruani një shënim të shkurtër për listën e postimeve të Përkthyesve për të shmangur mundësinë që dikush tjetër të zërë e të merret me të njëjtin tekst njëkohësisht me ju.

Ndihmesë me përkthime që mungojnë

Nëse keni të hapur në shfletuesin tuaj një faqe që nuk është përkthyer ende në gjuhën tuaj, shkoni te fundi i faqes, klikoni mbi lidhjen Kod burim dhe ruajeni diku kartelën e lidhur atje. Kështu do të merrni kartelën XHTML në Anglisht. Riemërtojeni kartelën me kodin e gjuhës suaj, në vend se "en", dhe hapeni me një përpunues tekstesh. Dhe tani, përktheni krejt tekstin te kartela, atë jashtë etiketave "<…>"; mos prekni gjë brenda këtyre etiketave (teksti brenda etiketave janë urdhrat XHTML që ndikojnë strukturën e faqes web përkatëse).

Në fund të kartelës do të gjeni një rresht që thotë </html>. Drejt e sipër këtij rreshti, shtoni një rresht që shkruan <translator>emri juaj</translator>.

Kur të keni mbaruar, dërgojeni kartelën e përkthyer te lista e postimeve të Përkthyesve. Të tjerë anëtarë të kësaj liste mund ta redaktojnë përkthimin, dhe dikush në atë listë do ta ngarkojë përfundimisht te shërbyesi.

Përditësimi i përkthimeve të vjetruara

Nëse shihni te shfletuesi juaj një përkthim të vjetruar (treguar si i tillë përmes një shënimi në krye të faqes), shkoni te fundi i faqes, klikoni mbi lidhjen Kod burim dhe ruajeni kartelën që ju del. Kjo kartelë është versioni (i vjetruar) i përkthimit. Më tej, përdorni lidhjen Anglisht në krye të faqes për të kaluar te versioni anglisht i faqes dhe klikoni mbi lidhjen Kod burim edhe këtu. Kartela që merrni është versioni (i përditësuar) në Anglisht. Tani mund të krahasoni dy kartelat dhe të përditësoni përkthimin. Ju lutemi, mbani parasysh se gjithçka brenda etiketave "<…>" nuk duhet prekur.

Një rrugë tjetër është përdorimi i depos web të të burimeve te sajti trac fsfe-web për krijim diff-esh, dhe për të parë përditësimet e fundit për krejt kartelat burim.

Pasi të keni mbaruar, dërgojeni kartelën e përkthyer te lista e postimeve të Përkthyesve. Të tjerë anëtarë të kësaj liste mund ta redaktojnë përkthimin, dhe dikush në atë listë do ta ngarkojë përfundimisht te shërbyesi.

Si të gjeni se çfarë lyp punë

Ka një listë të prodhuar automatikisht të krejt gjuhëve në lojë. Te kjo faqe, çdo kod gjuhe është një lidhje për te një faqe veçmas, e cila radhit krejt përkthimet që mungojnë dhe ato të vjetruara për atë gjuhë.

Lista e përkthimeve të vjetruara ofron një veçori ekstra të dobishme për përditësimet: jo vetëm që mund të shkarkoni kartelën (e vjetruar) të përkthimit dhe atë (të përditësuar) të origjinalit në Anglisht; mundeni po ashtu të shihni regjistrin e ndryshimeve për të dyja kartelat, një protokoll të krejt ndryshimeve të bëra në kartelat përkatëse. Krahasimi i dy regjistrave të ndryshimeve zakonisht e lehtëson gjetjen e pjesëve që janë ndryshuar te origjinali që prej kohës që përkthimi u ndryshua për herë të fundit.

Kjo faqe e gjendjes së përkthimeve është gjithashtu e vetmja rrugë për të shkarkuar kartelat XML që marrin pjesë në ndërtimin e faqeve dinamike, fjala vjen, kartelat që përmbajnë zëra lajmesh apo veprimtarish.

Shkarkimi i krejt pemës së kartelave burim përmes Subversion-it

Mundeni të përdorni Subversion-in, për të shkarkuar krejt pemën e kartelave burim njëherazi. Ju lutemi, për udhëzime të hollësishme, shihni faqen e informacioneve për webmaster-a të FSFE-së.