Gjëra Bazë

Katër Liritë e Software-it të Lirë

Kur flisni mbi Software-in e Lirë, flisni mbi lirisë. Dhe më saktësisht, mbi katër liritë për përdorimin, studimin, ndarjen me të tjerët dhe përmirësimin e software-it. Falë një analogjie me një recetë gatimi, bëhet e qartë se si funksionojnë këto liri dhe pse është e rëndësishme që kodi burim i një programi të jetë i passhëm nga kushdo.

Le të supozojmë se duan të përgatisim një supë. Para nesh kemi recetën dhe përbërësit. Na lejohet ta përdorim recetën për çfarëdo qëllimi: mund të gatuajmë darkën në shtëpi ose në shtëpinë e një miku, gjatë pushimesh, në një vend të huaj. Kjo është ajo që kuptohet me lirinë e parë: përdorimi pa kufizime për çfarëdo qëllimi.

Tani marrim recetën, dhe mund të lexojmë se çfarë përbërësish nevojiten. Ky është pak a shumë kodi burim i software-it. Pa kodin burim, nuk mund të kuptoj software-in, pikërisht siç nuk jam në gjendje të gatuaj supën pa patur listën e përbërësve. Ky është kuptimi i lirisë së dytë: më duhet e drejta të studioj se si funksionon një program dhe ta kuptoj atë. Ka pak vlerë për mua pasja e një supe konservë, ku përbërja është e paqartë dhe receta e mbajtur e fshehtë.

Tani mund të mendoni edhe që është ca e trishtueshme të gatuash në vetmi. Më lejohet të ftoj miq për darkë, ose t’u shpie supën time kur jam unë i ftuari, ose madje edhe t’u jap recetën që ta shijojnë supën time edhe kur unë nuk jam i pranishëm. Dhe miqtë e mi munden gjithashtu ta kopjojnë recetën dhe t’ua japin miqve të tyre... Kjo është liria e tretë: e drejta për të ndarë me të tjerët kopje të software-it dhe për të ndihmuar pra njerëzit.

Një hap përpara është të shihet që edhe pse më duket e mirë supa ime, mund të ketë shije më të mirë. Te receta ka një këshillë: shtoni pak majdanoz. Por mua nuk më pëlqen majdanozi, ndaj provoj ca borzilok. Dhe vërtet ka shije më të mirë. Dhe kështu e marr kopjen time dhe e modifikoj: fshij majdanozin dhe e zëvendësoj me borzilok. Kur një mik më kërkon recetën time, i jap të renë, versionin e modifikuar. Kjo është liria e katërt: liria për të përmirësuar programin dhe për të shpërndarë përmirësimit e bëra te programi, që kështu prej tyre të përfitojë cilido. Meqë më lejohet ta bëj këtë, supa e miqve të mi gjithashtu do të ketë shije më të mirë. Ose ndoshta do të duan edhe ata të shtojnë një përbërës tjetër, le të themi ca gjalpë, dhe do të modifikojnë edhe ata kopjen e tyre. Gjërat kështu kanë evoluar gjithmonë, që kur u shpik gatimi. Njerëzit nuk kanë gatuar që herën e parë gjel deti të mbushur me portokalle dhe lakër të kuqe me kardamom, por ia kanë filluar me një dre të pjekur sipër zjarrit në fushë të hapur. Nëse askush nuk do të kish të drejtën të tregojë se si të përmirësohen gjërat, ndoshta do të ishim ende duke ngrënë dre të pjekur dhe gjethe jeshile apo diçka si kjo. Pamje të frikshme.

Duket sheshit, që më lejohet ta jap një recetë ose një supë ose madje ta përmirësoj. Nëse e bartim këtë logjikë te software-i, mundet të shohim lehtë që në rastin e software-it pronësor, nuk më lejohet ta kopjoj, as ta shpërndaj software-in: është e paligjshme. Nuk më lejohet të ndihmoj njerëzit.

Nëse mendoni se meqë nuk programoni dot, këto liri ju hyjnë pak në punë, ju lutemi, mendojeni kështu: edhe pse nuk e bëni dot vetë, këto liri u japin mundësinë atyre që mund të programojnë më mirë se ju të zgjidhin problemin për ju. Pa hyrje te kodi burim, kjo mbetet e pamundur.

Lidhje të mëtejshme

Ky shpjegim gjendet edhe në format video, te Free Knowledge Show (Show des freien Wissens) (600 MB, mjerisht në MP4, në Gjermanisht)