Kujdes: Kjo faqe mund të jetë e vjetruar kundrejt tekstin origjinal. Ju lutemi, përdorni këtë faqe që të shihni se si mund të ndihmoni te përkthimet dhe anë të tjera.

Software i Lirë

Software i Lirë, Burim i Hapur, FOSS, FLOSS - të njëjtë të njëjtë, por të ndryshëm

Shkruar nga  më  

Ka dy terma kryesore për software-in që mund ta përdorni, studioni, ndani me të tjerët dhe përmirësoni lirisht: Software i Lirë dhe Burim i Hapur. Me këta si bazë mund të gjeni edhe ndërthurje dhe përkthime të tjera, të tillë si FOSS, Libre Software, FLOSS e me radhë. Pse i përdorin njerëzit këto terma dhe ku ndryshojnë nga njëri-tjetri?

Kuadër historik

Historikisht, Software i Lirë qe termi i parë, krijuar më 1986 tok me përkufizimin e Software-it të Lirë. Në 1997-n, Debian, një projekt që synonte krijimin e një shpërndarjeje GNU/Linux krejtësisht të lirë dhe të bazuar në bashkësinë, hartoi Udhëzimet Debian për Software të Lirë (DFSG) si një listë kontrollesh për të parë nëse një program mund të përfshihej apo jo te shpërndarja. Një vit më pas, u krijuar Open Source Initiative (OSI), si një fushatë marketingu për Software-in e Lirë. Ajo paraqiti përkufizimin e Burimit të Hapur duke kopjuar DFSG-në dhe zëvendësuar "Software i Lirë" me "Burim i Hapur". Sipas a deklaratës publike të Bruce Perens-it, një nga themeluesit e OSI-t dhe autor i DFSG-së dhe përkufizimit të Burimit të Hapur, Burimi i Hapur qe menduar si një sinonim për Software-in e Lirë. Perens përfundimisht vendosi të rikthehet në origjinën e lëvizjes dhe të flasë sërish për Software të Lirë. Falë rrënjëve të përbashkëta, që të dy, Burimi i Hapur dhe Software-i i Lirë përshkruajnë grupin e plotë dhe krejt gamën e licencave software që u japin përdoruesve të drejtën për ta përdorur, studiuar, ndarë me të tjerët dhe përmirësuar software-in1.

Me kalimin e kohës njerëzit prodhuan etiketime shtesë për të njëjtin grup software-i. Sot, terma si Libre Software, FOSS (Free and Open Source Software) ose FLOSS (Free, Libre and Open Source Software) përdoren shpesh për përshkrimin e Software-it të Lirë. Në disa raste njerëzit përdorin gjithashtu termat "software organik" ose "software etik". Shpesh shtysa për këto terma është ndenjja jashtë debatit për terminologjinë dhe për të shmangur konfuzionin rreth fjalësh të tilla si "i hapur" ose "i lirë". Këto terma priren të shkaktojnë konfuzion, sepse pothuajse i ftojnë njerëzit të kërkojnë dallime mes termash atje ku faktikisht dallime nuk ka, kur bëhet fjalë për software-in që përshkruajnë.

Kjo përmbledhje e shkurtër e origjinës historike të termave të ndryshme do të duhej të tregonte që në fund të fundit tërë ato kanë të njëjtën rrënjë dhe bëjnë fjalë për të njëjtin grup software-i.

Kush përdor secilin term dhe pse?

Lëvizja për Software të lirë është një bashkësi e gjerë dhe e larmishme. Njerëzit kanë interesa të ndryshme te Software-i i Lirë dhe arsye të ndryshme për pjesëmarrje në të. Por këto dallime nuk lidhen doemos me termat që ata përdorin. Mjaft persona përdorin termin Burim i Hapur madje edhe kur theksojnë përmasat shoqërore dhe politike të Software-it të Lirë, teksa në anën tjetër ka njerëz në bashkësinë tonë që parapëlqejnë termin Software i Lirë, por përqendrohen më tepër te përfitimet praktike. Që dikush thotë Burim i Hapur ose Software i Lirë, nuk është medoemos tregues i motivimit të tyre.

Tej individëve, brenda ekosistemit të Software-i të Lirë ka gjithashtu mjaft organizma të mirënjohura. Shumë prej tyre luajnë një rol të rëndësishëm dhe amplifikojnë aspekte të ndryshme të Software-i të Lirë. Për shembull, disa organizma përqendrohen te drejtimi teknik i projekteve të Software-it të Lirë, disa në aspektet ligjore, disa në ato politike, shoqërore dhe etike dhe disa përqendrohen te vleftësimi i licencave. Zakonisht këto organizma kanë vendosur të përdorin njërin ose tjetrin term dhe të vazhdojnë me të. Por kjo nuk duhet t’ju shpjerë në përfundimin se termi që përdorin është faktori me rëndësi lidhur me motivimin e tyre. Faktori me rëndësi janë njerëzit që drejtojnë organizmin dhe synimet e organizmit si i tillë. Përvoja praktike me organizma dhe njerëz të ndryshëm tregon që vija ndarëse nuk mund vizatohet përgjatë gjuhës që përdorin.

Kjo larmi është e mirë, ngaqë tregon se Software-i i Lirë ofron mjaft përparësi në shumë fusha të ndryshme të jetës sonë. Por nuk do të duhej ndarë bashkësia thjesht sipas termave që parapëlqen dikush. Pavarësisht se cilin term përdor dikush dhe cili është motivimi i tij fillestar, në fund të fundit ata punojnë mbi të njëjtin grup software-i dhe për thellimin e lirisë së software-it dhe mbi çfarëdo aspekti tjetër të Software-it të Lirë.

Vleftësim licencash

Në lëvizjen për Software të Lirë ka tre njësi të mirëpranuara gjerësish që vleftësojnë rregullisht licenca: Free Software Foundation, projekti Debian dhe Open Source Initiative. Kur pyeten nëse një licencë e dhënë u jep përdoruesve lirinë për përdorim, studim, ndarje me të tjerët dhe përmirësim të programit, ata thuajse përherë vijnë në të njëjtat përfundime.

A ndryshon Copyleft-i?

Po të shihen licencat e Software-it të Lirë ka dy kategori kryesore, licenca mbrojtëse ose Copyleft dhe licenca jombrojtëse. Ndërsa licencat Copyleft janë hartuar të mbrojnë të drejtat për përdorim, studim, ndarje me të tjerë dhe përmirësim të software-it, licencat jombrojtëse lejojnë të shpërndahet software-i pa këto të drejta. Disa vetë mendojnë se termat Software i Lirë dhe Burim i Hapur përdoren për të bërë dallimin mes licencash Copyleft dhe atyre jo Copyleft. Listat e licencave të Software-it të Lirë nga Debian-i, FSF-ja dhe OSI tregojnë që si licencat mbrojtëse, ashtu edhe ato jombrojtëse janë në përputhje me përkufizimin Software-it të Lirë dhe përkufizimin e Burimi të Hapur. Kjo do të thotë që asnjëri prej termave Burim i Hapur dhe Software i Lirë, dhe as përkufizimet e ndryshme janë të përshtatshme për të bërë dallimin mes licencave Copyleft dhe jo Copyleft.

Ky grafik         do të vizualizonte kategoritë e ndryshme të software-it dhe lidhjen         mes tyre

Licencat mbrojtëse dhe licencat jombrojtëse janë nënklasa të licencave të Software-it të lirë të pranuara nga Open Source Initiative dhe FSF-ja. Copyleft ose jo Copyleft nuk është kriter i përshtatshëm për të bërë dallimin mes Burimit të Hapur dhe Software-it të Lirë, që të dy termat përshkruajnë të njëjtin grup software-i.

Modeli i zhvillimit

Mënyra se si zhvillohet një program mund të jetë faktor kyç në suksesin ose dështimin e tij. Por nëse një program është shkruar apo jo sipas një procesi të hapur, me pjesëmarrje, apo pas dyersh të mbyllura nuk na thotë gjë rreth faktit se është jo i lirë apo Software i Lirë.

Kur shohim software-in, na duhet të dallojmë mes modelit të software-it dhe modelit të zhvillimit të tij. Ndërsa modeli i software-it përshkruan vetitë e software-it (p.sh. i lirë ose pronësor), modeli i zhvillimit përshkruan mënyrat e ndryshme për zhvillimin e software-it. Si edhe trajtohet hollësisht te "Çfarë e bën një kompani kompani të Software-it të Lirë?", modelet e ndryshme të zhvillimit të software-it përkufizohen në mënyrë të pavarur nga modeli i software-it dhe funksionojnë si për Software-in e Lirë, ashtu edhe për atë të software-it pronësor. Modelet që shfrytëzojnë përparësitë e një bashkësie të hapët dhe bashkëpunuese mund të tregojnë fuqinë e tyre të plotë kur ndërthuren me modelin e Software-it të Lirë. Megjithatë kjo nuk do të thotë se cilido program i zhvilluar sipas një procesi zhvillimi të hapur dhe bashkëpunues është Software i Lirë. Ka projekte Software-i të Lirë të zhvilluar nga një person apo kompani e vetme me pak ose aspak kontribut nga jashtë. Nga ana tjetër, zhvilluesit e software-it pronësor kanë adoptuar modele zhvillimi bashkëpunues për modelin e tyre të zhvillimit të software-it, p.sh. SAP-i me programin e vet të partneritetit.

Pse e quajmë Software të Lirë

Nëse krejt këta terma përshkruajnë të njëjtin grup programesh, përse ne te FSFE-ja këmbëngulim për përdorimin e termit Software i Lirë?

Gjithë puna te Software-i i Lirë është te liria. Ky është një mesazh që ne duam ta përhapim fort dhe qartë. Gjuha është e rëndësishme, ngaqë ajo i jep përcakton të menduarit e njerëzve rreth një subjekti. Termat e ndryshëm përqendrohen te aspekte të ndryshme, edhe nëse përshkruajnë të njëjtin software. Liria është vlerë thelbësore e Software-i të Lirë, dhe gjuha jonë e pasqyron këtë. Kjo e bën Software-in e Lirë zgjedhjen e duhur për FSFE-në dhe këtë ju ftojmë ta ndiqni dhe ju.

Shënime

  1. Licencat Copyleft, licenca të hartuara për të mbrojtur këto të drejta, janë një nënklasë e licencave të Software-it të Lirë të mirëpranuara nga Open Source Initiative dhe FSF-ja.