Çfarë është projekti GNU?

GNU head

Projekti GNU nisi në Shtator 1983 nga Richard M. Stallman për të krijuar një sistem operativ të plotë që është Software i Lirë. Puna për zhvillimin e software-it filloi janarin pasues. Sot kemi disa sisteme operativë Software të Lirë që respektojnë lirinë e përdoruesit duke i dhënë cilitdo të drejtën për ta përdorur, studiuar, ndarë me të tjerët dhe përmirësuar software-in për çfarëdo qëllimi.

Stallman-i themeloi Free Software Foundation në Tetor 1985 për t’u marrë me aspektet administrative, ligjore dhe organizuese të projektit GNU dhe edhe për të përhapur përdorimin dhe dijet e Software-it të Lirë. Licencat kryesore të projektit GNU janë GNU General Public License (GPL) dhe GNU Lesser General Public License (LGPL, fillimisht e quajtur GNU Library General Public License). Përgjatë vitesh ato janë bërë licencat e përdorura më gjerësisht për Software-in e Lirë.

Projekti GNU përbëhet nga një numër i madh nënprojektesh më të vegjël që mirëmbahen nga vullnetarë ose biznese, ose nga një ndërthurje e të dyve. Këto nënprojekte quhen gjithashtu "projekte GNU" ose "paketa GNU."

Emri i projektit GNU vjen nga akronimi rekursiv "GNU-ja Nuk Është Unix." Unix që një sistem operativ shumë popullor gjatë viteve '80, ndaj Stallman-i e konceptoi GNU-në të jetë sa më i përputhshëm me Unix-in, që për njerëzit të ishte e leverdishme të migronin në GNU. Emri pranon që GNU-ja mësoi prej konceptimit teknik të Unix-it, por shënon gjithashtu faktin e rëndësishëm që ata nuk janë të afërm. Ndryshe nga Unix-i, GNU-ja është Software i Lirë.

Duke qenë i ngjashëm me Unix-in, GNU-ja për nga konceptimi është modular. Kjo do të thotë që te GNU-ja mund të futen përbërës nga palë të treta. Sot është shumë e zakonshme që njerëzit të përdorin me sistemet GNU një kernel prej pale të tretë të quajtur Linux. Mjaft njerëz përdorin emrin "Linux" për këtë variant të GNU-së, por kjo i pengon njerëzit të dëgjojnë për projektin GNU dhe synimin e tij të lirisë së software-it. FSFE-ja u kërkon njerëzve të përdorin termin "GNU/Linux" ose "GNU+Linux", kur u referohen sistemeve të tillë.