Pronë e kujt është Software-i i Lirë?

Shkruar nga   më   (përditësuar më  

Koncepte të pronësisë

Software-i është diçka që nuk preket. Mund të mendohet si një grup idesh dhe, si i tillë, idetë tradicionale të pronësisë që shtrihen mbi objekte si sendet ushqimore dhe trualli nuk kanë vend për të. Ndaj kur flasim për gjëra të parrokshme, si software-i, kanë vend koncepte të ndryshme pronësie. Këto mund të ndahen në katër kategori:

  1. Autorësia
  2. Patenta
  3. Të drejta kopjimi
  4. Të drejta përdorimi

Autorësia shpreh krijuesin origjinal, ose krijuesit origjinalë të një ideje, dhe u lejon autorëve të parandalojnë përdorimin e veprës së tyre sipas një mënyre që do të dëmtonte reputacionin e tyre. Patentat janë një sistem më vete që lidhet me procese industriale, dhe përgjithësisht prekin vetëm veprimtaritë e kompanive dhe prodhimin e të mirave materiale. Të drejtat e kopjimit janë një grup ligjesh që akordojnë të drejta ekskluzive mbi vepra krijimtarie të tilla si ilustrime, muzikë, letërsi, dhe software. Është një monopol ekskluziv mbi idetë, i imponuar nga qeveria. Të drejtat e përdorimit përcaktojnë çfarë i lejohet të bëjë faktikisht me diçka një personi, fjala vjen, a mund të kopjojë apo jo ose të shesë diçka. Ato janë një mënyrë për të kuptuar se si kufizimet ligjore prekin një person të dhënë, dhe se çfarë të drejtash ka apo nuk ka ai person.

Pronësi të Drejtash Kopjimi

Përgjithësisht të drejtat e kopjimit kanë ndikimin më të madh mbi çka mund të bëjmë ose jo me software-in. Të drejtat e kopjimit të software-it zotërohen ose nga personi që shkrojti kodin, ose nga organizma që kanë paguar për shkrimin e tij. Këto të drejta kopjimi mund të blihen dhe shiten privatisht. Përjashtimi i vetëm është software-i që gjendet nën përkatësi publike, i cili nuk ka pronar dhe as kufizime mbi përdorimin e tij 1 2. Shumica e Software-it të Lirë nuk është nën përkatësinë publike. Projekte të ndryshëm Software-i të Lirë kanë rregulla të ndryshme lidhur me se cili mund të jetë pronar i të drejtave të kopjimit të software-it.

Kerneli Linux, për shembull, ka mijëra pronarë, secili prej tyre pronar i të drejtave të kopjimit mbi kodin e veçantë që ka kontribuar te projekti më i gjerë. Rregullat e kernelit Linux janë që kontribuesit në kod ruajnë pronësinë mbi të drejta kopjimi të punës së tyre, por kërkojnë gjithashtu që krejt kontributet të përdorin një licencë Software-i të Lirë 3. Të tjerë projekte ecin me trajtim tjetër. OpenOffice, për shembull, kërkon që pronësia e të drejtave të kopjimit e krejt kontributeve të ndahet me kompaninë që e boton atë (Oracle). Projekte të tjera kërkojnë që të drejtat e kopjimit të kalohen nga autori te organizmi sponsorizues. Në raste të tilla krejt të drejtat që lidhen me të drejtat e kopjimit i dorëzohen organizmit përgjithmonë nga autori. Kjo është e vërtetë për krejt projektet GNU 4, për shembull.

Software-i i Lirë ka pra pronarë të drejtash kopjimi. Se cili ka në pronësi të drejtat e kopjimit të Software-it të Lirë është e rëndësishme për procedurat ligjore, të tilla si përditësimi i licencës së Software-it të Lirë me një të re (psh. nga GPLv2 te GPLv3), dhe për t’u siguruar që licenca gjen zbatim (dhe garantuar të drejtën për të ndërmarrë veprime ligjore kur është e nevojshme). Sidoqoftë, nëse software-i është i Lirë, ndryshimet në faktin se cili zotëron të drejtat e kopjimit për të nuk prekin të drejtat tuaja për ta përdorur, pasi këto janë të garantuara nga licencat e Software-it të Lirë.

Të drejta përdorimi

Licencat e Software-it të Lirë janë unike për faktin se përdorin ligjet e të drejtave të kopjimit për akordim lirish publike që zakonisht rezervohen për zotëruesin e të drejtave të kopjimit. 'PL'-ja tek 'GPL'-ja është shkurtim i 'Licencë Publike'; licenca i jep gjithkujt të drejtat më të rëndësishme ('Katër Liritë'). Veçanërisht e rëndësishme, licencat e Software-it të Lirë janë gjithashtu të paprapësueshme. Pasi software-i të jetë bërë publik sipas një licence të tillë, do të jetë përgjithmonë i passhëm publikisht, dhe asnjë ndërrim mendjeje, shkrirje dhe bashkim korporatash, apo diskutime ligjore nuk mund të kufizojnë më tej aksesin në të 5.

Kështu, gjithkush 'ka në pronësi' të drejta mbi Software-in e Lirë; të tërë ne kemi të drejta të patjetërsueshme për ta përdorur si na pëlqen, në një mënyrë që tradicionalisht i përshoqërohet pronësisë ligjore të të drejtave të kopjimit. Në këtë kuptim më të gjerë të pronësisë krejt ne "jemi pronarë" të Software-it të Lirë. Disa mbrojtës të Software-it të Lirë i referohen Software-it të Lirë si "në pronësi të publikut". Software-it Jo të Lirë shpesh i referohen si 'pronësor', term i cili thekson këtë dallim lidhur me se cili "zotëron" të drejtat mbi software-in në fjalë.

Kushdo që zotëron të drejtat e kopjimit mbi Software-in e Lirë ka përherë gjithë të drejtat mbi atë software. Zotëruesit e Software-it të Lirë zgjedhin t’i përdorin të drejtat e tyre për t’i ndarë ato me të tjerët sa më gjerësisht që të mundet. Ndaj, në një kuptim të ngushtë ligjor Software-i i Lirë është në pronësi private të programuesve të software-it, fondacioneve dhe kompanive. Megjithatë, në një kuptim më të gjerë, të tërë ne kemi në pronësi Software-in e Lirë, ngaqë liria jonë për ta përdorur, modifikuar, ndarë me të tjerët, dhe përmirësuar, është e garantuar.

Shënime

  1. Edhe pse nuk ka kufizime të drejtash kopjimi mbi vepra në pronësi publike, mund të ketë kufizime të tjera, të tilla si kufizime mbi shpërndarjen e software-it të konsideruar se përbën rrezik për sigurinë kombëtare në Shtetet e Bashkuara, ose kufizime që lidhen me patenta software-i, për shembull.
  2. Kartelat e ekzekutueshme që janë në përkatësi publike jo domosdoshmërisht e kanë njësoj të passhëm edhe kodin e tyre burim.
  3. Saktësisht, Kerneli Linux licencohet sipas GPLv2.
  4. Shihni deklaratën e projektit GNU mbi akordimin e të drejtave të kopjimit.
  5. Vetëm një ndryshim thelbësor në ligjet ndërkombëtare për të drejtat e kopjimit do të mund të prekte për keq të drejtat e publikut mbi Software-in e Lirë. Hëpërhë kjo duket pa gjasa në të ardhmen e afërt.