Software-i i Lirë

Demokracia e ka të domosdoshëm Software-in e Lirë

Shkruar nga   më  

Gjatë gjithë historisë teknologjia ka ndikuar mbi shoqërinë. Leximi, shkrimi, aritmetika, bujqësia, shtypi dhe radioja janë të gjithë shembuj zhvillimesh që kanë ndryshuar mënyrën se si ndërveprojmë në tregti, art dhe shkencë. Teknologjia kulturore më e rëndësishme e shekullit XXI është software-i. Free Software Foundation Europe (FSFE) i është përkushtuar bërjes së mundur që njerëzit në shoqërinë tonë të kenë të drejtën t’i japin formë kësaj teknologjie mbi bazën e nevojave të tyre.

Sot është e pamundur të përfytyrohet jeta e përditshme pa software. Shumica jonë nuk kalon as edhe një ditë të vetme pa përdorur të tillë. Njerëzit përdorin software në vendin e punës, në laptop, dhe në telefona celularë. Software-i gjendet edhe në vende më pak të dukshëm: në trena, automjete, televizorë, makina larëse, frigoriferë, dhe shumë pajisje të tjera. Asnjë prej këtyre pajisjeve nuk do të funksiononte pa software. Pa software nuk do të shkruanim dot email-e, nuk do të bënim dot thirrje telefonike, të shkonim për pazare, apo të udhëtonim, siç jemi mësuar. Software-i është mjeti qendror i shoqërisë sonë.

Kur dikush kontrollon një mjet aq të rëndësishëm për ne sa software-i, ai është në gjendje të ushtrojë ndikim të madh mbi veprimet tona. Cilido që kontrollon motorin e kërkimeve që ne përdorim, përcakton se ç’do të gjejmë. Ai që kontrollon email-et tona ka mundësinë të na censurojë. Thjesht sillni në mendje që kontrolli mbi një shërbim komunikimi shoqërohet me aftësinë për të vendosur se cili, çfarë dhe me kë shkëmben diçka. Në mënyrë të ngjashme, cilido që vendos se si funksionon software-i, ka ndikim të madh te mënyra se si jetojmë dhe punojmë.

Në demokracitë moderne pushtetet janë të ndara. Ne e shpërndajmë pushtetin ekzekutiv dhe atë gjyqësor mes institucionesh të ndryshme. Për më tepër, i shpërndajmë përgjegjësitë mes disa shkallëve të kompetencës, p.sh. mes qeverisë qendrore, qeverisë rajonale, dhe qeverisë vendore. Një funksion kyç i lirisë së shtypit është të ruajë të mos formohen monopole informacioni, ku në pak duar do të grumbullohej shumë pushtet. Një përfitim kyç i demokracisë efektive është fakti që mund t’i jepni kundërshtarit tuaj më të betuar çfarëdo posti brenda sistemit demokratik.

Do të përbënte një rrezik të madh për demokracinë, nëse ky instrument shoqëror kritik, që është software-i, të kontrollohej vetëm nga një grup i vogël. Nga software-i varen jo vetëm komunikimet tona, por gjithashtu një pjesë e madhe e infrastrukturës së shoqërisë. FSFE-ja dëshiron t’u japë zë interesave të përdoruesve të kompjuterit, dhe t’ia kalojë të ardhmen e kontrollit të software-it gjithkujt. Shoqëria nuk e ngre dot të jetë e varur nga interesa private, kur bëhet fjalë për një mjet kaq të rëndësishëm si software-i.

Shoqëria jonë duhet të bëjë të mundur që kushdo të ketë mundësinë t’i japë vetë formë software-it. Kjo kërkon që të kemi lirinë ta përdorim software-in për çfarëdo qëllimi, të studiojmë si funksionon, ta ndajmë atë me të tjerët dhe të bëjmë përmirësime në të.

Software-i që i mishëron këto katër liri është Software i Lirë.

Një shoqëri demokratike lyp themele të palëkundura. Një nga këta themele është Software-i i Lirë.