News

FSFE-ja fillon Fushatën Për Një Sistem Android të Lirë

më:

Telefonat e mençur kanë një problem privatësie. Kjo është një nga arsyet pse Free Software Foundation Europe (FSFE) po fillon sot fushatën e saj "Çlironi Android-in Tuaj!".

"Përdoruesi e meritojnë të kenë kontroll të plotë mbi pajisjet e tyre celulare", shprehet Torsten Grote, anëtar i FSFE-së dhe nismëtar i fushatës. "Nëse telefoni juaj xhiron Software të Lirë, kontrollin e keni ju. Nëse xhiron software pronësor, kontrollin e jetës suaj dixhitale ua lini në dorë prodhuesve dhe programuesve."

Mungesa e lirisë në software-in për telefona të mençur dhe tablete po bëhet gjithnjë e më shumë problematike. Mjaft aplikacione spiunojnë përdoruesit e tyre pa dijeninë e këtyre të fundit (Carrier IQ) dhe transmetojnë të dhëna personale të tilla si libra adresash të iPhone-eve. Pajisje të tjera janë krejtësisht të kyçura, duke ia bërë të pamundur përdoruesve çinstalimin e disa aplikacioneve, ose thjesht nuk marrin përditësime. "Çlironi Android-in Tuaj!" promovon versione Android-i të optimizuar për kontroll nga përdoruesi, dhe një treg alternativ që ofron vetëm aplikacione të-lira-si-te-liria. Ajo i fton gjithashtu përdoruesit të kontribuojnë te nismat të ndryshme dhe që të identifikojnë aplikacionet themelore që ende nuk kanë alternativa të lira.

"Sistemi operativ Android mund të jetë i lirë në pjesën dërrmuese, por shumë nga aplikacionet për të nuk janë të tilla", thotë Karsten Gerloff, presidenti i FSFE-së. "Pajisjet celulare përmbajnë plot të dhëna mbi jetën tonë. Me këtë fushatë, jo vetëm që do të tërheqim vëmendjen se sa shumë peshë ka privatësia dhe liria te telefonat e mençur dhe tabletet, por do t’u japim përdoruesve mjetet për t’i bërë pajisjet e tyre më të mira."

Fushata Çlironi Android-in Tuaj i nxit njerëzit të lidhen me programuesit e aplikacioneve të dobishme pronësore. Shpesh këto aplikacione shpërndahen pa pagesë, por jo nën një leje të lirë. Përgjigjet dhe objeksionet nga programuesit koleksionohen dhe analizohen te një faqe wiki.

Deri më sot, FSF-ja dhe organizmi gjerman për privatësinë, FoeBuD e.V. po punojnë me FSFE-në në një përpjekje për të përmirësuar kushtet për liri software-i dhe privatësi në fushën e celularëve. FSFE-ja pret që në fushatë të marrin pjesë edhe organizma të tjerë.