News

45 organizma bëhen tok në një ankesë ligjore kundër Ministrisë së Arsimit

më:

Një grup prej 45 organizmash të Software-it të Lirë kanë nënshkruar një ankesë ligjore drejtuar Ministrisë së Arsimit në Itali. FSFE, AsSoLi, Wikimedia Italia, Grupi i Përdoruesve të Software-it të Lirë në Itali, Shoqata për Informacion Gjeografik të Lirë (GFoss.it), Shoqëria Italiane e Linux-it, LibreItalia dhe 38 grupe të tjera sinjalizojnë se Ministria e Arsimit po e vendos Software-in e Lirë në disavantazh të padrejtë.

Në një test për përzgjedhje mësuesish të ardhëm, mjaft nga pyetjet e Ministrisë lidhur TI-në i referohen vetëm një sistemi operativ pronësor dhe aplikacioneve për të.

"Arsimi është një nga fushat më të rëndësishme të shoqërisë. Fëmijët tanë lypset të kuptojnë si funksionojnë vërtet kompjuterat, dhe lypset të mësojnë lidhur me "ndarjen me të tjerët," shprehet Karsten Gerloff, President i Free Software Foundation Europës. "Software-i i Lirë lejon të nxënët e njëmendtë, praktik. Software-i pronësor nuk ka vend në shkolla, dhe të detyrosh mësuesit ta përdorin është e papërgjegjshme".

Profesor Renzo Davoli, pedagog në Universitetin e Bolonjës dhe president i grupit të Software-it të Lirë Assoli, ka analizuar pyetjet që u botuan në sajtin e Ministrisë. Në raportin e vet, ai vë alarmin që pyetjet janë të fokusuara mbi "si të dish të përdorësh një kompjuter të caktuar, me një sistem operativ të dhënë dhe me aplikacione të dhëna". Davoli ka propozuar pyetje alternative që janë më afër realitetit të botës TI.

Duke i shtyrë mësuesit drejt software-it pronësor, Ministria e Arsimit mund të jetë duke vepruar madje në mënyrë të paligjshme. Sipas ligjit Italian (D.Lgs 82/2010), organet publike lypset të provojnë dhe sigurojnë Software të Lirë për nevojat e tyre. Mund të blejnë licenca programesh pronësore vetëm në raste të veçanta.

Në ankesën e tyre, organizmat nënshkruese i kërkojnë Ministrisë të rishikojë pyetjet e testit për mësues. Ministrisë ligji i kërkon që t’i përgjigjet ankesës brenda 30 ditëve.

FSFE, Assoli dhe organizmat e tjera që kanë nënshkruar ankesën duan të përkrahin shkollat e Italisë që t’u mësojnë më mirë nxënësve të tyre çështjet e lidhura me TI-në.