News

Rrjedhje e re informacioni nga Snowden: Depozitimi i të dhënave tuaja te Microsoft-i është veprim i pakujdesshëm

më:

Në një artikull të botuar sot, The Guardian përshkruan se si Microsoft-i po bashkëpunon aktivisht me NSA-në. Sipas artikullit, Microsoft-i po e furnizon NSA-në me akses të gjerë te komunikimet e cilitdo që përdor shërbimet e kompanisë:

"Kjo e bën të qartë që t’i zësh besë Microsoft-it për të dhënat kritike të kompanisë suaj është fill moskokëçarje," thotë Karsten Gerloff, president i Free Software Foundation Europe. "Si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, ata që përgjigjen për sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave lypset urgjentisht të hidhen në veprim për të mbrojtur organizmat, klientët dhe blerësit e tyre."

Edhe pse është e vështirë ose e pamundur t’i shpëtosh survejimit, ka mënyra për të minimizuar rrezikun që të dhëna me spec, të tilla si të dhëna konfidenciale produktesh apo kartela pacientësh, të kapen nga një palë e tretë. Zgjidhjet Software i Lirë për groupware, produkte zyre dhe sisteme operativë janë tërësisht të inspektueshme, dhe shpesh me sigurinë e të dhënave një përparësi. Fshehtëzimi skaj-më-skaj me produkte Software të Lirë, të tillë si GnuPG dhe shkëmbim mesazhesh off-the-record (OTR) i mbron të dhënat gjatë transitit. Produktet që ofrojnë komunikime audio, video dhe fjalosje të sigurt, të tillë si Jitsi, janë të suksesshëm në zëvendësimin e Skype-it.

"Këshillojmë kompanitë dhe krejt organizmat e tjera që dëshirojnë të mbrojnë të dhënat e tyre të përdorin zgjidhje Software i Lirë, t’i depozitojnë të dhënat brenda vetes, kurdo që është e mundur, dhe të bashkëpunojnë vetëm me mundësues të cilëve u besojnë në mbrojtjen e të dhënave të klientëve të tyre," thotë Gerloff. "Mundësues të tillë shpesh përdorin fshehtëzim të fuqishëm, dhe minimizojnë sasinë e të dhënave që depozitojnë. Përdorimi i mundësuesve më të vegjël, në vend të kompanive globale IT, e bën deri diku me më pak gjasa kapjen e të dhënave të klientëve nga rrjeta e NSA-së."

Përdoruesit do të duhej të merrnin aktivisht nën kontroll të dhënat dhe komunikimet e tyre. Një mënyrë për ta bërë këtë është të përkrahin zhvilluesit e teknologjive Software i Lirë për fshehtëzimet, që ata të munden të vazhdojnë të furnizojnë produkte të tillë të rëndësishëm. "Tani është kohë e përshtatshme për të bërë një dhurim për sendërtimin Software të Lirë të PGP-së, GNU Privacy Guard (GnuPG)!", shprehet Matthias Kirschner, drejtues i sektorit të Ndërgjegjësimit të Publikut në FSFE.