News

Të ndryshosh botën: Projekti GNU bëhet 30 vjeç

më:

U bënë 30 vjet që kur Richard Stallman njoftoi fillimin e projektit GNU. Një nismë, që zuri fill me irritimin e programuesit për shkak të një përudhësi të dëmtuar shtypësi, ka ndryshuar shoqërinë tonë. Ideja e software-it që gjithkush mund ta përdorë, studiojë, ndajë me të tjerët dhe përmirësojë doli në fakt shumë e fuqishme.

"Pa projektin GNU dhe lëvizjen e Software-it të Lirë që ai frymëzoi, jeta jonë e përditshme - dhe Interneti - do të ishin krejt ndryshe sot," thotë Karsten Gerloff, president i Free Software Foundation Europe-ës.

Software-i i Lirë e vendos kontrollin e pajisjeve elektronike atje ku e ka vendin: te njerëzit që i kanë ato pronë. Sot, Software-i i Lirë është kudo. Ai vë në lëvizje Internet-in, telefonat tanë celularë, televizionet, automjetet, rrugëzuesit, dhe pajisjet elektronike gjithfarëlloj. Software-i i Lirë ka ndryshuar në mënyrë themelore rrugën sipas të cilës njerëzit krijojnë software: në vend se të pengohen njerëzit të përshtatin software-in sipas nevojave të tyre, ata ftohen të marrin pjesë në zhvillimin e software-it. 

"Projekti GNU ka funksionuar si pikënisje e një lëvizje që na siguron se kontrollin mbi teknologjinë e kemi ne, dhe jo të na kontrollojë teknologjia ne," thotë Matthias Kirschner, drejtues i seksionit mbi Ndërgjegjësimit të Publikut në FSFE.

Ndikimi i frymës së projektit GNU mbi ndarjen me të tjerët të dijes dhe njohurive shkon shumë më larg se sa sistemi operativ GNU/Linux, dhe shtrihet përtej programeve të kompjuterit. Me fuqinë që jep dija e përbashkët, Wikipedia është ngjitur shpejt për t’u bërë enciklopedia kryesore e botës. Creative Commons u lejon artistëve, muzikantëve dhe autorëve të përdorin vepra të tyret në rrugë që i përshtaten përsosmërisht epokës dixhitale. Shkencëtarët dhe inxhinierët mbështeten te mjete Software i Lirë për të kuruar sëmundje dhe për ta bërë jetën e gjithkujt më të mirë. Tani po piqet një brez të rinjsh për të cilët ndarja me njëri-tjetrin e dijeve është gjëja natyrale që duhet kryer.

"U jemi mirënjohës Richard Stallman-it që ndezi këtë ndryshim epokal, dhe gjithkujt që ka punuar kaq fort për përparimin e Software-it të Lirë në këta tre dhjetëvjeçarë," thotë Gerloff. "Bashkohuni me lëvizjen tonë, përkrahni punën tonë, dhe na ndihmoni të përballojmë sfidat që kemi përpara."