News

Mynihu do të vazhdojë me Software-in e Lirë

më:

Kryetari i parë i bashkisë së Mynihut reagoi më në fund, të martën, rreth një kërkese të Partisë së të Gjelbërve (në gjermanisht) lidhur me fjalët e hapura rreth një rikthimi të mundshëm në mjedis desktopi ne bazë Windows. Përgjigja ndaj interesimit tregon se nuk ka baza faktike për pretendimet e bëra nga kryetari i parë dhe i dytë. Po zhvillohet një vlerësim i infrastrukturës dhe proceseve TI ndërkohë. FSFE-ja i bën thirrje këshillit bashkiak të përfshijë në të edhe pavarësinë nga tregtuesit, si edhe ndërveprueshmërinë, ngaqë ato qenë së pari ndër arsyet qendrore për kalimin e Mynihut në Software të Lirë.

Muajt e fundit, deklaratat e kryetarëve të rinj të bashkisë, Reiter dhe Schmid kanë krijuar paqartësi rreth të ardhmes së strategjisë TI të Mynihut. Ndryshe nga kryetarja e tretë, Christine Strobl, kryetari i parë dhe i dytë lanë të kuptohet për një fund të mundshëm të shembullit të përdorimit të Software-it të Lirë në administratën e qytetit. Megjithë disa orvatje nga ana e FSFE-së, qe e vështirë të merreshin fakte. Përgjigja ndaj kërkesës hedh pak dritë mbi çështjen tani.

Nuk ka baza faktike për kriticizëm

Në këtë mënyrë, pyetësori për nëpunësit, “Vend i Shkëlqyer Për të Punuar”, i kryer nga fundi i 2013-s, i përdorur nga Reiter dhe Schmid në kritikat e tyre ndaj përdorimit të Software-it të Lirë në administratën e qytetit, përfshinte aspekte të ndryshme të strukturës TI që nuk lidhen me software-in, e që shtrihen nga hardware-i deri te asistenca dhe puna së largëti. Por nuk ofron ndonjë informacion mbi ndonjë marrëdhënie të mundshme mes problemeve të të punësuarve dhe Software-it të Lirë. Ky informacion, hëpërhë, nuk jepet, siç thotë Reiter-i në përgjigjen.

Kryetari i bashkisë për më tepër pranon se pritja e detyruar për marrjen e celularëve zyrtarë të punës, e përmendur shpesh në kritikat, “nuk ka lidhje” me “sistemin operativ LiMux”, por ka ardhur në fakt si pasojë e faktit që ai qe i pari që kërkoi shtrirjen e iOS-it në infrastrukturën TI të administratës.

Lidhur me mungesën e një aplikacioni të unifikuar për mesazhe dhe kalendarë, siç kritikon Schmid-i, doli qartë se sendërtimi i zgjidhjes me Software të Lirë, Kolab, është në rrugë e sipër. Pat filluar vetëm në fillimet e 2014-s dhe pritet të hyjë në përdorim duke filluar nga 2015-a.

Përkrahje e gjerë për Software-in e Lirë në Mynih

Seksioni TI i administratës së qytetit, këshilli bashkiak, si edhe kryetarja e tretë e bashkisë, Christine Strobl, përkrahin strategjinë e tanishme TI dhe distancohen nga kriticizmi i kryetarit të parë dhe të dytë. Strobl-i thekson se "pas një kontrolli të kujdesshëm", prapë e sheh kalimin në Software të Lirë si gjënë e duhur.

Ajo ka një bazë ekonomike të shëndoshë për këtë këndvështrim: Falë vetëm uljes së shpenzimeve për licenca, qyteti qe në gjendje të kursente 11 milionë euro. Vetëm kostoja në hardware për kalimin në Windows 7 do të kapte vlerën 3,15 milionë euro, dhe me Windows 8 akoma edhe më të shtrenjtë sipas administratës së sektorit TI. Një kalim i tillë do të shoqërohej me kosto shtesë, dhe do të përkthehej në humbjen e arritjeve në fushën e mbulimit të standardeve të hapura.

Përfshirja në vlerësime e pavarësisë nga tregtuesit dhe ndërveprueshmërisë

Dokumenti pohon se një grup pune do të kryejë vlerësimin e strukturave dhe proceseve TI brenda administratës dhe do të japë këshilla rreth përmirësimit të tyre. Kriteret për këtë vlerësim janë formuluar në një mënyrë shumë të përgjithshme, çka e bën të vështirë komentimin e tyre në këtë kohë. Një gjë është e qartë: vlerësimi ka nevojë të marrë parasysh pavarësinë nga treguesit dhe ndërveprueshmërinë, në vend se ta kufizojë këndin e vështrimit në kosto dhe në pëlqimin nga përdoruesit, ngaqë dy arsyet e para kanë qenë argumentet qendrore, në ato fillime, për ndryshimet në TI. Ato e lejojnë administratën të kontrollojë të dhënat e veta dhe të sigurojë hyrje pa diskriminim në shërbimet TI të administratës.

“Vitet e fundit, vende të tjera europiane, të tilla si Britania e Madhe, Franca, Italia, dhe Suedia e kanë bërë Software-in e Lirë dhe Standardet e Hapura pjesë të strategjive të tyre TI në sektorin publik. Sektori publik në Gjermani është mbrapa. Qeverisë federale gjermane dhe atyre të shteteve të federuara u duhet më në fund të ndërmarrin veprime koherente, në mënyrë që institucionet publike, edhe këtu, të mund t’u gëzohen përfitimeve që sjell Software-i i Lirë”, shprehet Karsten Gerloff, president i Free Software Foundation Europe-ës.