News

Rol i ri për FSFE-në në projektin Bacula

më:

Në prill të 2015-s, ne njoftuam një ndryshim në marrëdhëniet mes Kern Sibbald-it dhe FSFE-së, rrjedhur prej anulimit të marrëveshjes Fiduciary License Agreement (FLA) mes Kernit dhe FSFE-së, marrëveshje e cila më parë e bënte FSFE-në kujdestare të të drejtave të kopjimit mbi software-in Bacula.

Që prej asaj kohe, FSFE-ja ka bashkëpunuar me Kernin për të gjetur një mënyrë që të sigurojë se parakushti origjinal i FLA-së, garantimi i kontribuesve se kontributet e tyre do të mbeten Software i Lirë, të vazhdojë të mbetet i vlefshëm edhe pasi FSFE-ja të mos i mbajë më të drejtat e kopjimit mbi Bacula-n.

Në një marrëveshje mes FSFE-së, Kernit dhe Bacula Systems, që të tre palët kanë rënë dakord se çfarëdo marrëveshje që një kontribues te projekti Bacula nënshkruan me Kernin lidhur me të drejtat e kopjimit mbi kontributet e tij, duhet të përfshijë kushte të ngjashme me ato të FLA-së. Marrëveshja rithekson përkushtimin e vazhdueshëm të Kernit për t’i mbajtur krejt versionet e ardhshme të versionit të Bacula.org nga bashkësia nën një licencë Software-i të Lirë, diçka për të cilën FSFE-ja, në rolin e saj të ri, do të vazhdojë të japë mbështetje dhe drejtim.

Gjatë muajve të ardhshëm, FSFE-ja do të lirohet nga roli i saj i dikurshëm i kujdestares për Bacula-n, duke ia kaluar efektivisht Kernit të drejtat e kopjimit që mbante. Sidoqoftë, FSFE-ja do të vazhdojë të veprojë si kujdestare për të drejtat e kopjimit të atyre kontribuesve që duan, dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë me Kernin dhe kontribuesit për të garantuar që parakushtet e marrëveshjeve tona, ruajtja e Bacula-s si Software i Lirë, të mbeten në fuqi.