Kujdes: Kjo faqe mund të jetë e vjetruar kundrejt tekstin origjinal. Ju lutemi, përdorni këtë faqe që të shihni se si mund të ndihmoni te përkthimet dhe anë të tjera.

News

FSFE-ja zgjedh president dhe zv.president të ri

më:

Matthias Kirschner dhe Alessandro Rubini janë presidenti dhe zv.presidenti i ri i FSFE-së. Ata u zgjodhën javën e shkuar në Bukuresht, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të FSFE-së, teksa Reinhard Müller u rizgjodh si përgjegjës i financave. Ata do të punojnë për FSFE-në në këto pozicione për dy vjetët e ardhshëm.

Matthias Kirschner është i punësuar në FSFE që prej 2009-s. Filloi të përdorë GNU/Linux më 1999-n dhe kuptoi se software-i është i përfshirë thellë në krejt anët e jetës sonë. Matthiasi është i bindur se kjo teknologji duhet të fuqizojë shoqërinë, në vend se ta kufizojë atë. Ndërsa studionte shkenca politike dhe administrative, e bindi FSFE-në ta pranonte si stazhierin e parë të saj, më 2004-n. Që prej asaj kohe, ai ka ndihmuar organizma të tjerë, kompani dhe qeveri të kuptojnë se si mund të përfitojnë nga Software-i i Lirë -- i cili i jep gjithkujt të drejtën për ta përdorur, studiuar, shpërndarë dhe përmirësuar software-in -- dhe se si këto të drejta ndihmojnë të përkrahet liria e fjalës, e shtypit, ose privatësia.

Matthiasit i pëlqen fort të shpenzojë kohë me të birin foshnje, dhe në kohën e lirë merr pjesë në seminare të ndihmës së shpejtë për kafshë të egra, i pëlqejnë karikaturat e XKCD-së dhe Transmetropolitanit, Monty Python, dhe Die Ärzte.

Alessandro Rubini është një inxhinier elektronik dhe ka një doktoratë në informatikë. Pat instaluar Linux 0.99.14, është përdorues dhe programues aktiv i Software-it të Lirë, dhe autor i librit "Përudhës Linux Pajisjesh". Pas mbarimit të doktoratës e braktisi universitetin, ngaqë s’donte thjesht të shkruante artikuj. Tani punon si këshilltar i pavarur në fushën e përdorimeve industriale të GNU/Linux-it, kryesisht për përudhës pajisjesh dhe sisteme të trupëzuar, si edhe për konceptim mikrokontrollorësh dhe PCB-sh. Kohët e fundit ka bashkëpunuar me CERN-in në kuadrin e projektit Lepuri i Bardhë, projekt që synon sinkronizim në shkallë sub-nanosekondash për kartat I/O. I pëlqen të punojë për CERN-in, ngaqë e kanë rregull të botojnë krejt punët e tyre si Software të Lirë dhe Hardware të Lirë.

Alesandroja ka qenë anëtar i Free Software Foundation Europe-s nga 2001 deri më 2006-n, dhe u kthye sërish në FSFE. Pati ndjesinë se FSFE-ja është vendi i duhur për të zhvilluar diskutime pozitive dhe konstruktive mbi Software-in e Lirë. Veç angazhimit si vullnetar në FSFE dhe në organizma të tjerë të Software-it të lirë, ai është boyscout aktiv, i pëlqen çiklizmi, është ati i dy fëmijëve, dhe dëgjon zhurmë të bardhë gjatë punës.

"Jam i lumtur që mirëpres si Matthiasin, ashtu edhe Alesandron në rolet e tyre të reja," thotë drejtori ekzekutiv Jonas Öberg, "që të dy kanë qenë të rëndësishëm në dhënien e formës së tanishme organizmit dhe pres ekspertizën që do të sjellin, teksa ecim më tej në rrugën e fuqizimit të kontrollit të përdoruesve mbi teknologjinë."