News

Raporti mbi Ditën #ilovefs 2016

më:
Nermini, vullnetare e FSFE-së, duke përhapur dashurinë për Software-in e Lirë në Turqi

Nermini, vullnetare e FSFE-së, duke përhapur dashurinë për Software-in e Lirë në Turqi

E diela e 14 shkurtit 2016 qe dita për të shpalosur dashurinë ndaj njerëzve që kemi për zemër. Në këtë ditë, si një traditë e përvitshme, bashkësia e Software-it të Lirë kremton ditën "E dua Software-in e Lirë" për të falënderuar zhvilluesit që gjenden pas Software-it të Lirë. Këtë vit, për herë të gjashtë radhazi, FSFE-ja i kërkoi gjithkujt të shprehë vlerësimin dhe mirënjohjen e vet kontribuesve në Software-in e Lirë që parapëlqejnë.

I grumbulluam deklaratat e larmishme të dashurisë që rrodhën gjatë kësaj dite, përfshi postime në blogje, foto, karikatura, video, etj. FSFE-ja falënderon këdo që mori pjesë dhe që kontribuoi në suksesin e #ilovefs-së. Ju lutemi, i vini shenjë që tani 14 shkurtit të vitit të ardhshëm si dita "E dua Software-in e Lirë", për të vazhduar këtë traditë të bukur të mirënjohjes ndaj njerëzve dhe punës së madhe të gjithkujt që qëndron pas Software-it të Lirë.

Fairphone pohoi dashurinë e tij për Software-in e Lirë

Fairphone pohoi dashurinë e tij për Software-in e Lirë

"E dua Software-in e Lirë, ngaqë..."

Dashurinë për Software-in e Lirë e shprehën në shumë mënyra. Gjatë FOSDEM-it u zunë në gojë dhe u dha mirënjohje për mjaft projekte të parapëlqyer (shihni galerinë tonë) nga përdorues dhe zhvillues që shprehën falënderim ndaj projekteve që duan. Shihni nëse mungon te lista software-i juaj i parapëlqyer dhe përfitoni nga shansi juaj për të thënë "faleminderit".

topth stresi #ilovefs

topth stresi #ilovefs - përdoreni pak përpara shkrimit të njoftimeve për të meta

FOSDEM-i s’qe vendi i vetëm për deklarata të ëmbla dashurie ndaj Software-it të Lirë. Mediat shoqërore dhe blogjet u shfaqën plot me dashuri për Software-in e Lirë, për shembull, ndaj Emacs-it, git-cola-s, GNU/Linux-it, Chromium-it, Thunderbird-it dhe Scribus-it.

Mike Milinkovich i Eclipse Foundation në përkrahje të #ilofefs

Mike Milinkovich i Eclipse Foundation në përkrahje të #ilofefs

Presidenti ynë Matthias Kirschner përfitoi nga rasti për të shprehur mirënjohje për Transportr, një program Software i Lirë për Android për transportet publike. Bashkërenduesi ynë për ekipin gjerman Max Mehl shkroi në blog një postim rreth aplikacioneve Software i Lirë për telefonë që ai do më shumë: sistemin operativ OmniROM, klientin K-9 Mail email plot veçori, apo aplikacionin për fjalosje të sigurta LibreSignal, ndërsa bashkërenduesi ynë i ekipit grek, Nikos Roussos, shkroi një postim në blogun e tij se si të bëhen të sigurta krejt komunikimet tuaj në internet, përfshi fjalosjet dhe bisedat video. Bashkërenduesi ynë i ekipit mbi arsimin, Guido Arnold falënderoi zhvilluesit që gjenden pas OpenWRT-së, një OS/firmware i lirë për rrugëzues, ndërsa bashkërenduesi ynë i Anëtarësisë Shok, Erik Albers ua kushtoi mirënjohjen personave pas Osmand-it, aplikacioni i tij i parapëlqyer për orientim.

#ilovefs në faqen Facebook të Tor-it

#ilovefs në faqen Facebook të Tor-it

Debian duke u dërguar kontribuesve dhe përdoruesve të vet dashuri

Debian duke u dërguar kontribuesve dhe përdoruesve të vet dashuri

Software-i i Lirë ngjan me dashurinë - kanë të përbashkët ndarjen me dikë dhe kujdesin për të

Wikimedia Germany postoi një artikull në blog ku intervistoheshin nëpunës të tyre rreth rolit dhe rëndësisë së Software-it të Lirë dhe të ardhmes së tij, teksa Digitalcourage kartolinën e vet për Shën Valentinit ia dërgoi CiviCRM-së, një projekt Software i Lirë për administrim projektesh. Bashkësia Freifunk në qytetin gjerman të Magdeburgut e etiketoi versionin e saj më të ri të firmware-it me bazë OpenWRT, 0.34, si "#ilovefs". Ndërsa shoqata e studentëve të Software-it të Lirë të Universitetit Jagiellonian të Krakovisë stolisën mjedise të universitetit, pasqyruan mesazhe dashurie nga anëtarët e saj, dhe krijuan po ashtu dy meme shumë të goditura.

Nicole nga Wikimedia e do Software-in e Lirë

Nicole nga Wikimedia e do Software-in e Lirë

Ftesa e FSF-së për t’u shndërruar në dhuratën e Shën Valentinit të njëri-tjetrin përmes kriptografisë

Disa organizma dhe projekte të Software-it të Lirë e përkrahën fushatën tonë dhe i bënë jehonë #ilovefs në mediat e parapëlqyera prej tyre. Opensource.com përfitoi nga rasti që të falënderonte moderatorët, gazetarët, këshilltarët e bashkësisë, dhe personat e panumërt që gjenden pas software-it të lirë. KDE e.V shprehu dashurinë e tij për "lirinë" te Software i Lirë që përfshin gjithçka, nga teknologjia deri te personat dhe dashamirësia shoqërore. #ilovefs u mbështet edhe nga The Document Foundation, Open Source Business Alliance, LUKi, Kolab Systems, Debian, dhe Xfce.

DESCRIPTION

Wikimedia pruri një tortë të mrekullueshme për krejt kontribuesit e Software-it të Lirë

#ilovefs u shfaq gjithashtu në LinuxVoice, te sajti në gjermanisht për lajme nga Software-i i Lirë pro-linux.de, në frëngjisht te toolinux.com, në arabisht te itwadi.com, në italisht te LibreItalia, dhe spanjisht te windtux.com, si dhe në blogun e KDE-së.

Nuk mbetën pas as politikanët. Eurodeputetja Julia Reda i dërgoi dashuri Videolan VLC-së, dhe partia gjermane e të Gjelbërve shpjegoi pse e përkrahin Software-in e Lirë, përveç se falënderuan zhvilluesit e Software-it të Lirë.

DESCRIPTION

Julia Reda në videon e saj për VLC-në

Kjo s’është e tëra!

#ilovefs u përmend gjithashtu në blogje në arabisht

#ilovefs u përmend gjithashtu në blogje në arabisht

Dashuria për Software-in e Lirë nuk është kurrë e bollshme. Torta, zemra 3D, punë grafike mbresëlënëse, foto të ëmbla, meme dhe dhurata plot frymë krijuese, aktivizëm Software-i të Lirë, letra dashurie, kartolina të bëra vetë dhe seri karikaturash shpotitëse, tok me email-e të panumërt plot pusulla falënderimi persona për zhvillues individual që s’i ndjekim dot të tëra (ngaqë s’jemi NSA-ja de). Dashurinë për Software-in e Lirë e ndjeje ngado në rruzull dhe shpresojmë që shumë nga falënderimet të kenë mbërritur te dhe të nxisin për më tej krejt kontribuesit te Software-i i Lirë.

Mos t’ju vijë turp, pranojeni dashurinë tuaj për Software-in e Lirë - mbajeni shënim datën për vitin e ardhshëm!

Duam të falënderojmë krejt pjesëmarrësit në #ilovefs për mirënjohjen e tyre ndaj punës dhe përkushtimit të madh të individëve pas Software-it të Lirë, ditën kur ne kremtojmë dashurinë. I vini shenjë datës, 14 shkurt, për vitin tjetër, për t’u shprehur mirënjohjen atyre që s’përmendën këtë herë. Ju nxisim gjithashtu që faleminderit të thoni kurdo që ju duket e përshtatshme.