News

Kuvendi i FSFE-së 2016 - Thirrje për Pjesëmarrje

më:

Më 2016, FSFE-ja kremton 15 vjet ekzistencë. Çka filloi si një grup i vogël vullnetarësh është rritur në një lëvizje të gjerë europiane me anëtarë që e mbështetin aktivisht në më shumë se 20 vende. Këtë datëlindje ia kushtojmë bashkësisë tonë, atyre që na ndihmuan të rritemi të fortë gjatë këtyre 15 vjetëve të shkuar - me kuvendin tonë të parë të FSFE-së më 2-4 shtator, që do të mbahet në Qendrën e Kongereseve të Berlinit, Gjermani. Nëse dëshironi të jeni pjesë e tij, mbajeni shënim datën dhe përgjigjjuni thirrjes për pjesëmarrje.

Kuvendi i FSFE-së do të jetë pjesë e veprimtarisë QtCon16. Veç përfitimeve të tjera, kjo do të ofrojë një forum unik për biseda dhe shkëmbim dijesh në një veprimtari që mbledh tok bashkësitë dhe ndërthur kuvendet e FSFE-së, të KDE Akademy-së, Kunvedin e Kontribuesve në Qt, Ditët KDAB dhe VideoLAN Dev. Krejt pjesëmarrësit e cilësdo nën-konferencë do të lejohen të ndjekin cilëndo bisedë apo praktikë tjetër në nën-konferenca të tjera. Kjo është arsyeja pse ka edhe një thirrje të përbashkët për referate për konferencën në përgjithësi.

Ideja jonë për kuvendin e parë të FSFE-së është të organizohet nga bashkësia një veprimtari për bashkësinë. Kjo është edhe arsyeja pse ftesa jonë për pjesëmarrje është mbajtur e mjegullt në disa pjesë, që të lejojë të qenët të hapur ndaj mendimeve tuaja. Sidoqoftë, tej bisedave, praktikave dhe prezantimeve me interes, bëhuni gati të takoheni me entuziastë të Software-it të Lirë nga mbarë Europa, si dhe anëtarë të shoqatës FSFE. Bëhuni gati për shkëmbim idesh dhe përshtypjesh, për krijim miqësish të reja, ekipesh të rinj ose për bashkëpunime me ekipet tuaja (virtuale) ekzistuese. Mbi të gjitha, kuvendi bëhet që ju të përdorni, studioni, ndani me të tjerët dhe përmirësoni aftësitë dhe dijet tuaj mbi Software-in e Lirë dhe më tej - së bashku.

Pranimet për në kuvend do të jenë falas dhe afati për thirrjen është 17 maji i 2016-s.