News

Takim Europian mbi Politikat e Software-it të Lirë 2018: më tepër veprimtari të përbashkëta për Software-in e Lirë në Europë

më:
Shkruar nga Polina Malaja

Duke ndjekur traditën e konsoliduar të mbledhjes së grupeve aktive të Software-it të Lirë përpara se të nisë FOSDEM-i, FSFE-ja sërish në bashkëpunim me OpenForum Europe organizuan në Bruksel, në zemrën e vendimmarrjes në Europë, edicionin e tretë të Takimit Europian mbi Politika të Software-it të Lirë.

Këtë radhë, qëllimi i takimit qe të hidhej dritë mbi tema të rëndësishme për Software-in e Lirë lidhur me politikat publike në mbarë Europën, jo vetëm brenda Bashkimit Europian; dhe të shkëmbehej përvojë për çfarëdo veprimesh politike, brenda rajonesh të ndryshme, në rast se shfaqen çështje të ngjashme për Software-in e Lirë. Praktika tregon se kjo shpesh ndodh, ndaj edhe është e rëndësishme të kihet dijeni mbi veprime të ngjashme në anë të tjera të Europës, për të mundur të trajtohen problemet në fjalë në kohë dhe me efikasitet.

Në Takimin Europian mbi Politika të Software-it të Lirë 2018 u përfaqësuan 17 grupe të ndryshme: nga grupe kombëtare të Software-it të Lirë deri në përfaqësues të sektorit publik, dhe ente ndërkombëtare. Pjesëmarrësit u shpërfaqën si një grup i larmishëm, por që përballen me sfida të ngjashme si në shkallë kombëtare, ashtu edhe europiane.

Sfida të rëndomta ndaj Software-it të Lirë në Europë dhe gjetkë

Reforma e të Drejtave të Kopjimit në BE: Neni 13 i direktivës së propozuar të tanishme për të drejtat e kopjimit mund të pengojë seriozisht zhvillimin e software-it përmes bashkëpunimit, dhe veçanërisht atë të Software-it të Lirë, duke imponuar përdorimin e filtrave të detyrueshëm mbi ngarkimet, dhe vëzhgim ilegal të përdoruesve të tyre. Si pasojë e këtij propozimi, depo kodi mund të hiqen në mënyrë arbitrare nga interneti. Projekt-direktiva është duke u diskutuar nga juristë në Parlamentin Europian dhe Këshillin e Bashkimit Europian, të cilët po rreken të arrijnë një marrëveshje lidhur me Nenin 13 të shumëdiskutuar. Që të mund të garantohet se ligjvënësit i kuptojnë pasojat e Nenit 13 mbi Software-in e Lirë, lypset më shumë se kurrë veprim brenda shteteve anëtare për "#savecodeshare".

Patenta mbi software-in: teksa legjislacioni europian për imponim patentash mbi software-in u spraps dikur më 2005-n, ai rikthehet në diskutime politikash përmes rrugësh të tjera. Në mënyrë të veçantë, Unitary Patent Court Agreement (UPCA) mundet në praktikë të imponojë patentueshmërinë e software-it në BE. Deri sot, 15 shtete anëtare e kanë ratifikuar UPCA-n, hiq Britaninë e madhe post-Brexit dhe Gjermaninë, përkrahja e të cilave është e domosdoshme që të fillojë të funksionojë sistemi për Unitary Patent Court. Pat një peticion kundër ratifikimit të UPCA-s në Britaninë e Madhe, por është e nevojshme që shtetet e tjera anëtare të ndërgjegjësohen mbi pasojat praktike të UPCA-s mbi novacionin dhe veçanërisht biznesin e software-it në Europë.

Standarde të Hapura: politikat e standardizimit ende depërtohen nga standarde të mbyllura maskuar si praktika "të hapura" dhe të koklavitura licencimi patentash që i kanë quajtur "të paanshme, të arsyeshme dhe jodiskriminuese" (FRAND) në emër të një novacioni më të madh. Në fakt, këto praktika vetëm se i shtojnë ujë diskutimit. Ka ardhur koha që termi "standarde të hapura" të përdoret në përputhje me përkufizimin e Software-it të Lirë të ngritur mbi 4 liritë, dhe licencash të përshtatshme Software-i të Lirë, siç i miraton Free Software Foundation dhe Open Source Initiative. Përndryshe, do të vazhdojmë të përballemi me keqkuptime mbi trajtimin e (pa)barabartë të Software-it të Lirë në prokurimet publike, në të cilat Software-i i Lirë mund të përjashtohet de facto, si pasojë e politikave që rekomandojnë modele biznesi.

Para Publike, Kod Publik: “Krejt software-i i ri i financuar me para publike duhet të jepet publikisht nën licencë Software-i të Lirë". Kjo është kërkesa që FSFE-ja tok me rreth 116 ente dhe projekte të tjera Software-i të Lirë, si dhe më shumë se 16 mijë individë u bëjnë politikanëve. Fushata synon mbledhjen e fakteve rreth shpenzimeve publike për software dhe shërbime të tjera TI në sektorin publik, për të përmirësuar informacionin që të jetë lehtësisht i kuptueshëm nga vendim-marrësit, dhe për t’i pajisur veprimtarët e Software-it të Lirë anembanë botës me mjete për t’u kërkuar politikanëve të tyre gjatë zgjedhjesh kombëtare të garantojnë që software-i i paguar me paratë e taksapaguesve të jepet lirisht për publikun.

Rrugë për të ecur përpara

Takimi provoi edhe një herë se është e nevojshme të shkëmbehen vazhdimisht ide, të informohen të tjerët rreth shqetësimesh dhe fitoresh të Software-it të Lirë, dhe rreth përvojës që fitohet gjatë ndjekjes së synimeve të përbashkëta për mirëmbajtjen të lulëzuar të ekosistemit të Software-it të Lirë. Bashkëpunimi dhe informimi më i madh është i nevojshëm që të ngrihet “rrjeti i mençur” i veprimtarëve të Software-it të Lirë anembanë Europës dhe më tej, ku mund të zhvillohen më tepër veprimtari të përbashkëta. Ne do të vazhdojmë ta bazojmë punën tonë në këto burime, për të shkëmbyer informacion dhe për të përditësuar njëri-tjetrin rreth veprimtarish kyçe për Software-in e Lirë, si dhe për të krijuar bashkëpunime të frytshme për trajtimin e sfidave të zakonshme ndaj Software-it të Lirë.