Për Shtypin

Thirrje për Pjesëmarrje: Takim i Bashkësisë së FSFE-së dhe pistë e FSFE-së gjatë Libre Software Meeting në Strasburg, Francë

më:

Libre Software Meeting (LSM) është ndoshta takimi më i madh në Francë mbi Software-in e Lirë, organizuar nga bashkësitë dhe në 2018-n do të shërbejë si strehë e takimit të bashkësisë së FSFE-së. Ai zhvillohet në Strasburg dhe FSFE-ja do të organizojë pistën e vet në ditët e para të LSM-së, nga 7 deri më 9 korrik. Ky është shansi juaj të jeni pjesë e takimit të bashkësisë së FSFE-së dhe edhe të mbani një fjalë në LSM 2018. Afati i aplikimit për një fjalë është 30 prilli - dhe, përpara se ta harroni, aplikoni që tani!

FSFE-ja në RMLL 2017
(CC-BY-SA 2.0 Julie Missbutterflies)

Free Software Foundation Europe është e gëzuar të bashkëpunojë me Hackstub, hackerspace-i në Strasburg që po organizon Libre Software Meeting 2018 (i njohur edhe si Rencontres Mondiales du Logiciel Libre / RMLL). Kjo do të thotë se takimi i bashkësisë së FSFE-së për 2018-n do të jetë pjesë e LSM-së dhe anasjelltas. Ngaqë LSM-ja është në vetvete një veprimtari e madhe e drejtuar nga bashkësitë, ky bashkëpunim ofron një një mjedis të shkëlqyer për takimin e bashkësisë së FSFE-së, dhe për t’u lidhur me bashkësinë më të gjerë të Software-it të Lirë. Më tepër hollësi mbi takimin do të jepen në javët e ardhshme, por mund të rrini të qetë se lënda e takimit do të krijohet nga bashkësia dhe për bashkësinë. Do të ketë një sallë më vete për FSFE-në gjatë 7 dhe 8 korrikut dhe një ditë me plan të plotë të hënën, më 9 korrik. Regjistrimi për takimin e bashkësisë pritet të fillojë së shpejti.

Përveç takimit të bashkësisë, FSFE-ja po organizon pistën e vet gjatë veprimtarisë. Ky është shansi juaj për të ndërthurur pjesëmarrjen në takimin e bashkësisë së FSFE-së dhe të mbajtjes së një fjale apo bisede në LSM 2018 në të njëjtën kohë. Afati për aplikime për një bisedë është deri më 30 prill - ndaj, përpara se të harroni, më mirë aplikoni që tani!
(zgjidhni "Free Software Foundation Europe" kur të pyeteni rreth "Track")

Një temë e pistës tonë do të jetë "Edukimi Dixhital" - një temë që shtrihet nga edukimi shkollor te njohja e programimit e deri te të kuptuarit e koncepteve etike pas teknologjisë së informacionit. Por jeni të lirë të propozoni tema të tjera. Përgjithësisht, po shohim për fjalë dhe biseda frymëzuese, dhe praktika që mbulojnë kafazet e artë dhe çlirimin e përdoruesve - në mjedise edukative dhe në jetën e përditshme. Mund të gjeni më tepër hollësi në njoftimin tonë të mëparshëm