Buletin

Buletini i FSFE-së - maj 2013

Dita e Lirisë së Dokumenteve 2013

Çdo vit, të mërkurën e fundit të marsit, organizohet Dita e Lirisë së Dokumenteve (DLD): dita mbarëbotërore për shtimin e ndërgjegjësimit lidhur me Standardet e Hapura, organizuar nga FSFE-ja. Ka qenë mahnitëse të shihet se si mesazhi i lirisë dhe i Standardeve të Hapura ka vazhduar të përhapet nëpër botë vit pas viti. Këtë vit, pati 59 veprimtari në 30 vende, dhe mjaft pjesëmarrës për herë të parë, përfshi Nigerin, Indonezinë dhe Shtetet e Bashkuara.

Nga Dita e Lirisë së Dokumenteve mund të përmendim më shumë se njëqind artikuj shtypi dhe blogjesh, botimin e një udhërrëfyesi të ri migrimi në Libre Office, përkrahjen nga Lawrence Lessig, dhe një rrebesh mbulimi nga media shoqërore dhe diskutimesh.

Të mos harrojmë: krejt këto veprimtari u organizuan nga grupe vendore. Mes tyre mjaft grupe Anëtar Shok të FSFE-së, një larmi e madhe organizmash të tjerë bashkësish të Software-it të Lirë, dhe grupe miqsh për të cilët Standardet e Hapura kanë vlerë. Ndaj, këto rreshta janë një falënderim i madh për këdo që ndihmoi në suksesin e DLD-së së këtij viti! Është e mahnitshme të shohësh se si Software-i i Lirë dhe Standardet e Hapura lidhin njerëz anembanë globit. Lexoni në rrjet raportin e zgjeruar.

Praktikë Ligjore & Licencimi për Software-in e Lirë

Në fillim të prillit, mbajtëm në Amsterdam Praktikën tonë të përvitshme mbi çështje Ligjore & Licencimi të Software-it të Lirë. Më shumë se 70 ekspertë ligjorë të Software-it të lirë nga Rrjeti Ligjor u mblodhën gjatë dy ditëve për të ndarë me të tjerët dijet e tyre dhe për të diskutuar çështje të mprehta të fushës.

Ndër temat e diskutuara këtë vit qenë vendimet e fundit të gjykatave, zhvillimet në fushën e patentave, dhe kalimi e ideve të licencimit të Software-it të Lirë në fushën e hardware-it. Stefano Zacchiroli, udhëheqës (i dikurshëm) i projektit Debian, mbajti fjalën e rastit, duke përshkruar vështrimin e bashkësisë mbi çështjet ligjore.

Disa biseda të konferencës u trajtuan nga LWN, për shembull ato nga Eben Moglen, Daniel German dhe Anthonia Ghalamkarizadeh.

FSFE-ja mirëpret Ceata-n si organizëm shok

Një fondacion i ri nga Rumania dhe Moldavia është bërë pjesë e programit të FSFE-së për organizma shok. Ceata ka punuar për nxitjen dhe përhapjen e Software-it të Lirë dhe kulturës që prej 2008-s, dhe në shkurt të këtij viti u legalizua zyrtarisht. Grupi, me bazë në Bukuresht dhe degë vendore në Kluj dhe Kishinjev, organizon konferenca mbi Software-in e Lirë, hardware-in e Lirë, dhe kulturën e Lirë. Ceata zhvillon gjithashtu aplikacionet e veta, përkthen programe në Rumanisht, dhe merr pjesë në fushata ndërkombëtare. Fundația Ceata dhe FSFE-ja do të bashkojnë forcat dhe do të punojnë më efektivisht për nxitjen dhe përhapjen në Rumani dhe Europë të lirisë së software-it.

Diçka krejt tjetër

Aktivizohuni: kundërvihuni integrimit të DRM-së në HTML5

FSFE-ja, FSF-ja dhe të tjerë organizma të njohur për mbrojtjen e lirisë dixhitale kanë përgatitur një letër të përbashkët drejtuar Konsorciumit World Wide Web dhe organizmave anëtarë të tij për t’u kërkuar atyre hedhjen poshtë të propozimit Encrypted Media Extensions (EME). Ky propozim synon futjen në standardet HTML5 të mbulimit për Administrimin Dixhital të Kufizimeve (Digital Restriction Management - DRM) dhe mund të shndërrohet në kërcënim për përdoruesit e Software-it të Lirë. Ju lutemi, bashkojuni thirrjes sonë për Konsorciumin World Wide Web (W3C) dhe organizmat anëtarë të tij për hedhjen poshtë të propozimit për Encrypted Media Extensions (EME).

Falënderojmë krejt Anëtarët Shok dhe dhuruesit që bëjnë të mundur punën tonë,
Erik Albers - FSFE

--
Free Software Foundation Europe
Lajme FSFE
Veprimtari FSFE Së Afërmi
Lidhje Artikujsh Nga Blogu Fellowship
Diskutime mbi Software-in e Lirë