Buletin

Buletini i FSFE-së – janar 2014

Shkruar nga  më  

Nga Festa e Julit në Dimër të Plotë

Mjaft hackers (përfshi ne, sigurisht!) dëfryen në festimet e ndryshme të zhvilluara gjatë solsticit të dimrit. Por ja që koha për të vrarë mendjen me dhuratat e Krishtlindjeve dhe për të shijuar përhumbjen në gjirin e familjes mbaroi – Juli iku, viti u ripërtëri, dhe beteja për lirinë dhe çlirimin kërkon sërish vëmendjen tonë. Ndaj, ia vlen të fillohet me një përmbledhje të shkurtër të atyre që sjell për ne 2014 gjatë muajve të parë.

Ata që pëlqejnë kremtimet do të duhej ta kishin tashmë mendjen te 14 shkurti, rasti i përvitshëm kur sajti bëhet rozë dhe përmbytet nga zemra, dhe koha e përkryer për t’u dhënë një përqafim programuesve dhe për të afruar të dashurit tuaj me Software-in e Lirë dhe Anëtarësimin Shok.

Atyre që u pëlqejnë më shumë gjërat praktike, do t’u duhet të presin deri nga fundi i marsit, që të edukojnë bashkëqytetarët rreth Standardeve të Hapura. Sidoqoftë, nuk ka pse të dëshpëroheni: fushatat aktive tona kanë përherë nevojë për veprimtarë të rinj. Është e lehtë të lidheni!

Dhe meqë jemi në temë, gjatë vitit do të ketë mjaft raste për t’u takuar me stafin, vullnetarë dhe Anëtarë Shok tanët. Sa për t’ia filluar, FSFE-ja do të jetë e pranishme me një stendë në konferencën e Software-it të Lirë, FOSDEM, që mbahet javën e parë të shkurtit në Bruksel. Cilido që pëlqen bisedat, apo që po i mbarohen gjërat e lirisë do të duhej të bënte një xhiro andej. Ata që nuk vijnë dot në FOSDEM këtë vit, do të duhej, me raste, t’i hidhnin një sy ndarjes mbi veprimtaritë, te sajti ynë për mundësi takimi me ne në të ardhmen.

DIY përkundër Administrim Dixhital Kufizimesh

Ndërkohë që jemi të sigurt se mjaft nga lexuesit tanë ose patën fat, ose e ngritën mjaft zërin për të marrë vetëm dhurata Krishtlindjeje që respektojnë lirinë e tyre, ka ndoshta ca që e shohin veten në zotërim objektesh që as qenë krijuar nga dhuruesi, as shihen gjëkundi te Udhërrëfyes Dhurimesh Festash të organizmit tonë vëlla.

Kemi ndoca rekomandime për trajtimin e këtyre dhuratave: ca prej tyre mund të çlirohen (p.sh., pajisjet Android); ka shumë gjasa që zhvillues që punojnë për krijimin e zëvendësimeve të lira për sisteme të ndryshme pronësore ta pëlqejnë dhurimin në hardware (kërkoni në web për përpjekje të ndryshme për çlirimin e kategorive të ndryshme të pajisjeve); dhe së fundi, mund të jeni në gjendje ta bëni vetë një dhuratë të tillë të xhirojë Software të Lirë.

Çfarëdo të keni vendosur të bëni me këto sende, do të donim të na bënit të ditur zgjidhjet tuaja. Lidhur me temën kemi hapur një rrjedhë te lista e postimeve, dhe email-et te discussion@lists.fsfe.org janë të mirëpritur (ju lutemi, kini parasysh që kjo është një listë publike postimesh). Përveç zgjidhjeve për dhurata jo të lira, jemi gjithashtu në kërkim të lajmeve për dhurata që e respektojnë lirinë ose DIY me të cilat po zbaviteni vërtet.

Diçka Krejt Tjetër

Dhuroni për Lirinë

Ky buletin nisi me një përmbledhje të shkurtër të veprimtarive vjetore që na presin muajt e ardhshëm. Kremtime të tilla, teksa janë zbavitëse dhe edukative, kanë nevojë për përpjekjet e ndërthurura të vullnetarëve tanë dhe ekipit tonë që të organizohen. Përveç kohës që lypin nga ekipi, veprimtaritë pjesë e kremtimeve lypin fonde. Më tej, veç kremtimeve zbavitëse, na duhen fonde për të vazhduar fushatat e hapura, për lobim në favor të Software-it të Lirë, për këshillim të programuesve lidhur me licencimet e Software-it të Lirë, dhe për njohjen e kompanive teknologjike me Software-in e Lirë dhe licenca të pajtueshme. Për fat të keq, nuk e kemi siguruar ende buxhetin tonë për 2014-n. Lexuesit tanë që mund të duan të përkrahin veprën tonë munden ose të bëjnë një dhurim, ose të bëhen Anëtarë Shok. I falënderojmë krejt dhuruesit dhe Anëtarët Shok ekzistues!

Një Vit të Ri të Lirë!
Heiki Ojasild - FSFE