Buletin

Buletini i FSFE-së - Shkurt 2014

Shkruar nga   më  

Një hap i madh përpara për Software-in e Lirë në Itali

Më shumë administratë publike që përdor Software të Lirë do të thotë më shumë para për zhvillimin e Software-it të Lirë dhe më pak probleme për qytetarët që përdorin Software-in e Lirë për të komunikuar me autoritetet. Në Janar, qeveria italiane e ka bërë Software-in e Lirë zgjidhjen parazgjedhje për administratën publike. Agjencia për Italinë Dixhitale ka botuar rregulla të reja, ku thuhet se krejt organizmat qeveritare të vendit duhet të marrin në shqyrtim përdorimin e Software-it të Lirë, përpara se të paguajnë licenca për programe pronësore. Rregulli, i cili është diskutuar për më shumë se një vit, tani është ripohuar. Carlo Piana, që mori pjesë te grupi i punës në emër të FSFE-s, shkroi: "Tani administratat publike nuk kanë më justifikime për të mos vepruar në pajtim me udhëzimet. Nuk ka më justifikime, nuk ka më vend për interpretime të dykuptimta."

Ç’kemi tjetër nga zona e administratave publike

Së pari, lajmet e hidhura: Komisioni Europian ende mohon kyçjen nga tregtuesi në rastin e tyre dhe Karsten Gerloff ofron arsye të mira për të besuar se nuk janë seriozë rreth përdorimit dhe përkrahjes së Formatit të Hapur për Dokumentet. Por pati gjithashtu edhe një dorë hapash pozitive: Komisioni i Parlamentit Europian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Punët e Brendshme (LIBE), dëshiron të përdorë më tepër Software të Lirë për sistemin e vet të ri TI. Grupi i Të gjelbërve/ETA në parlament filloi një program të vogël pilot për të shtuar sigurinë e e-mail-it, duke filluar me 10 laptopë me Debian GNU/Linux. Hapi tjetër do të ishte të sigurohej buxhet për rastet kur nevojitet asistencë Software-i të Lirë, ashtu siç bën Parlamenti me software jo të lirë.

Qyteti i Mynihut e plotësoi me sukses migrimin e vet në GNU/Linux për 14800 PC. Prej tyre është njoftuar se do të vazhdojnë punën e tyre për përkrahjen e Software-it të lirë. Sajti Joinup i Komisionit Europian njofton se ente të administratës publike në Holandë, që përdorin Software të Lirë, shpenzojnë 24% më pak se sa ato që nuk përdorin. Në Danimarkë bibliotekat publike po kalojnë në GNU/Linux, dhe po kërkojnë sistem administrimi krejtësisht të lirë. Carsten Agger, bashkërenduesi ynë vendor për Århus/Danimarkë, është përfshirë në realizimin e këtij sistemi.

Rrugëzues me detyrim: Rrjetet private duhet të jenë private!

Në shtëpinë tuaj do të duhej të ishit në gjendje të përdornit një rrugëzues të zgjedhur prej jush, që të keni më tepër kontroll në këtë pikëkalimi të rrjetit tuaj privat në internet. Por në Gjermani ISP-të filluan t’i detyrojnë përdoruesit të përdorin rrugëzues të caktuar, pa u dhënë kredencialet e hyrjes në internet, për t’i përdorur me rrugëzues që kanë zgjedhur vetë. Tok me vullnetarë të përkushtuar nga OpenWRT, IPFire dhe të tjerë, FSFE-ja u mor me këtë çështje gjatë 2013-s, duke u dërguar një letër autoriteteve, dhe duke iu përgjigjur 18 pyetjeve të hollësishme prej tyre. Mandej argumentet tona u mbuluan edhe nga gazeta, revista dhe sajte lajmesh televizive gjermane.

Ç’arritëm? Marrëveshja e koalicionit të ri të qeverisë gjermane thotë se janë kundër rrugëzuesve me detyrim, dhe që ISP-të duhet të dërgojnë fjalëkalime dhe emra përdoruesish pa u kërkuar këto nga klientët. Këto janë lajme të mira nga marrëveshja e koalicionit të ri. Praktikanti ynë Max Mehl e përmblodhi punën tonë mbi rrugëzuesit me detyrim te një artikull në blogun e tij "Pse zgjedhja e lirë e rrugëzuesit është e domosdoshme".

Por edhe pse marrëveshja e koalicionit mes CDU/CSU-së dhe SPD-së është një përmirësim për Software-in e Lirë, kur krahasohet me atë të qeverisë së mëparshme gjermane, ende ka disa pika kritike, të cilat ne i vumë në dukje në njoftimin tonë për shtyp (në Gjermanisht, por Joinup botoi një artikull të mirë në Anglisht për të).

Diçka krejt tjetër

Hidhuni në veprim: E doni Software-in e Lirë? Tregojeni!

Software-i i Lirë na e lehtëson jetën e përditshme dhe bën të mundur që ne të punojmë dhe të krijojmë në liri. Në shumë raste, nuk paguajmë për këto mjete, dhe megjithatë i dërgojmë zhvilluesit njoftime të metash për ta përmirësuar më tej software-in e tij. Më 14 Shkurt ju kërkojmë që t’ua shprehni vlerësimin tuaj njerëzve që punojnë për Software-in e Lirë që përdorni. Për shembull, mund të shkruani një "letër dashurie" që i tregon zhvilluesit të një programi të dhënë pse e doni veprën e tij, të përfshini stema ose banderola në sajtin tuaj web, të shkruani një postim blogu rreth software-it tuaj të parapëlqyer, ose të na ndihmoni të mbledhim thënie nga njerëz të njohur dhe nga ju vetë. Në "ditën E dua Software-in e Lirë"... është koha të japim mbrapsht diçka nga sa na është dhënë.

Në Mançester, grupi ynë vendor po e kremton Software-in e Lirë me një veprimtari njëjavore. Festivali "E dua Software-in e Lirë" zhvillohet nga 3 deri më 8 Shkurt 2014 dhe përqendrohet veçanërisht mbi Bitcoin, Wordpress, kodimin, dhe Çlironi Android-in Tuaj. Është një mundësi e bukur për t’u njohur me njerëz me të njëjtat mendime, në atmosferën e shkëlqyer të MadLab-it.

Një faleminderit për krejt vullnetarët, Anëtarët Shok dhe dhuruesit në shkallë korporate që bëjnë të mundur veprën tonë,
Matthias Kirschner - FSFE