Buletin

Buletini i FSFE-së – janar 2015

Shkruar nga  më  

Një rrotullim

Toka, edhe një herë, ka plotësuar një tjetër rrotullim të plotë, të numëruar prej nesh, si e do zakoni. Ne këtu në FSFE kemi qenë të zënë gjatë gjithë 2014-s, duke punuar fort për të bërë të mundur që përdoruesit të mbesin në kontroll të pajisjeve të tyre dhe që Software-i i Lirë të mund të konkurrojë denjësisht në tenderat publikë. Më tepër informacion, përfshi shkallën e suksesit tonë, qoftë ky edhe i kufizuar, mbi perspektivat tona për të ardhmen, për të dyja këto çështje, si dhe mbi skajet e zonave tona të tjera të eksplorimit mund të gjenden te raporti ynë vjetor për 2014-n, shkruar nga presidenti ynë Karsten Gerloff.

Përveç se jep një përmbledhje shteruese të veprimtarive tona gjatë 2014-s, Karsteni e përmbyll raportin me një vështrim paraprak të sfidave me të cilat do të përballemi dhe do t’i kapërcejmë në rrotullimin e 2015-s. Përveç punës si deri tani, synojmë të shfrytëzojmë suksesin e Paktit Për Software të Lirë për të përhapur ndërgjegjësimin lidhur me Software-in e Lirë mes përfaqësuesve të zgjedhur të shtetasve europianë, por edhe të burokratëve të emëruar të krahut ekzekutiv.

Synojmë gjithashtu të investojmë më tepër në vullnetarët tanë vendorë dhe grupet e Anëtarësisë shok. Kemi shpresa se jo vetëm do të mbërrijmë në një publik më të gjerë dhe do të kemi ndikim më të madh përmes shtimit të pjesëmarrjes vendore, por edhe që kjo do të jetë shumë më zbavitëse për cilindo që përfshihet.

Zgjedhjet e Anëtarësisë Shok

FSFE-ja ka diçka më pak se 1500 Anëtarë Shokë ose anëtarë që kontribuojnë financiarisht. Përveç pasjes së disa përfitimeve, të dobishme për veprimtarë dixhitalë, të gjithë ata mund të thonë fjalën e tyre në qeverisjen e FSFE-së. Kjo e drejtë ushtrohet përmes zgjedhjes së përfaqësuesve në Asamblenë e Përgjithshme, organi më i lartë vendim-marrës i FSFE-së. Redaktori juaj i përkohshëm i kësaj here, deri në pranverë do ta ketë mbaruar mandatin e tij si përfaqësues Anëtarësie Shok, dhe një përfaqësues i ri duhet zgjedhur nga Anëtarët Shok, nga 20 shkurti deri më 6 mars 2015, 12pm.

Përfaqësuesi juaj edhe për pak, dëshiron të përfitojë nga rasti për të ftuar gjithë anëtarët tanë shok të marrin pjesë në zgjedhjet. Asambleja e Përgjithshme është ajo që merr krejt vendimet strategjike për FSFE-në dhe, të gjithë anëtarët shok, qofshin idealistë të vërtetë apo pragmatistë të orientuar drejt biznesit, kanë të njëjtën të drejtë për të ndikuar rritjen dhe drejtimin tonë në të ardhmen, ndaj, ju lutem, merrni pjesë.

BE: i miri dhe i ligu

Më 17 dhjetor, 2014, Parlamenti Europian miratoi buxhetin e BE-së për 2015-n. Jemi shumë të lumtur të njoftojmë se falë përpjekjeve të eurodeputetëve Julia Reda (Pirates) dhe Max Andersson (Greens), parlamenti ka caktuar një zë deri në një milion euro për auditim të Software-it të Lirë të përdorur nga Parlamenti Europian dhe Komisioni. Shpresojmë që institucionet përkatëse të bashkëpunojnë ngushtë me me zhvilluesit e vetë programeve në interesin më të mirë të publikut. Mirëpresim caktime të mëtejshme fondesh që synojnë lejimin e pjesëmarrjes së barabartë në shoqërinë dixhitale.

Për fat të keq, na duhet ende t’i ftojmë institucionet e BE-së të përdorin Standardet e Hapura dhe Software-in e Lirë, teksa një studim i kohëve të fundit, i përgatitur nga grupi Greens/EFA i eurodeputetëve tregon se Parlamenti Europian është vërtet mbrapa me detyrimet e tij demokratike për sigurimin e transparencës dhe të të qenët i hapur. Mes mungesave të tjera, eurodeputetëve u mungon edhe një zgjidhje e përputhshme me standardet për email-in.

Diçka krejt tjetër

2015-a do të sjellë një etiketë të re për Planetin tonë të Anëtarësisë Shok. Në një formë paraprake ajo do t’u paraqitet anëtarëve shok për konsultim sa më shpejt që të jetë e mundur.

Aktivizohuni: përhapni software të lirë

Stina e dhënies së dhuratave sapo mbaroi. Pa dyshim që do keni ndonjë shok apo të afërm të cilit fatkeqësisht i bënë dhuratë një kompjuter me software jo të lirë. Ndihmojini të instalojnë një shpërndarje GNU/Linux të lirë ose Replicant-in.

Faleminderit krejt vullnetarëve, Anëtarëve Shok dhe korporatave dhuruese që bëjnë të mundur punën tonë,
Heiki Ojasild
Përfaqësues i Anëtarësisë Shok, FSFE