Buletin

Buletini i FSFE-së - nëntor 2015

më  

FSFE-ja BE-së: Mendoni globalisht, zgjidhni Software-in e Lirë!

Në fund të tetorit, FSFE-ja paraqiti rekomandimet e veta për Strategjinë e Komisionit Europian Për Një Treg të Përbashkët Dixhital, rruga për një politikë europiane në epokën dixhitale, që synon heqjen e pengesave rregullatore mes 28 tregjeve të ndryshme kombëtare. Në veçanti, Komisioni ka caktuar objektiva për dixhitalizimin e industrive europiane, për zhvillim standardesh për “renë”, “Internetin e Gjërave”, dhe big data-n, dhe për zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të arsimit dixhital.

FSFE-ja beson se Software-i i Lirë do ta ndihmojë BE-në të arrijë synimet e caktuara nga Komisioni. Megjithatë, ekzistojnë ende disa pengesa për të çliruar potencialin e plotë të Software-it të Lirë: në veçanti, përjashtime nga mbrojtja e të drejtave të kopjimit të paharmonizuara, patenta software-i, të drejta të papranuara të përdoruesit për të modifikuar pronën e tyre, dhe rreziku, gjatë procesit të standardizimeve, për patenta mbi bazat e një standardi. Ne u kërkojmë ligjvënësve të BE-së të ndjekin rekomandimet tona dhe të shfuqizojnë pengesat në rrugën e Software-it të Lirë.

What the cloud is going on?

Si pjesë e Tregut të Përbashkët Dixhital të Komisionit, Institutit Europian i Standardeve të Telekomunikacionit (ETSI) i është kërkuar të përpilojë një hartë të hollësishme të standardeve të domosdoshme për përkrahjen e politikave të BE-së mbi “renë”. Bashkëredaktorja juaj shkroi në blog rreth pozicionit të paqartë lidhur me Software-in e Lirë në nismën e ETSI-t Bashkërendim Standardesh Për Re.

Përpjekjet legjislative të FSFE-së kundër rrugëzuesve të detyruar bëjnë përpara në Bundestag

FSFE-ja e ngarkoi bashkërenduesin tonë gjerman, Max Mehl, të merret me çështjen e rrugëzuesve të detyruar. FSFE-ja, tok me 9 organizma të tjerë civilë dhe ekonomikë, dërguan një letër të përbashkët për anëtarë të Bundestagut që të përkrahet ligji kundër rrugëzuesve të detyruar. Detyrimi i përdoruesve të përdorin një rrugëzues të caktuar, të dhënë nga një ISP, minon konkurrencën e lirë dhe të ndershme mes prodhuesve. Veç kësaj ai është i dëmshëm për sigurinë, privatësinë dhe pavarësinë e përdoruesve për të përdorur pajisjen e tyre të sigurt të parapëlqyer.

Bundestag-u do të zhvillojë konsultat rreth projektligjit në nëntor, dhe pavarësisht opinionit të njëzëshëm të ekspertëve, organizmave të mbrojtjes së përdoruesit, dhe politikanësh që e përkrahin projektligjin, disa anëtarë të Këshillit Federal u rreshtuan kundër tij, duke bërë të tyret argumentet teknikisht të hapërdarë të mundësuesve të shërbimeve internet dhe operatorëve telefonikë.

A ju kujtohet rootkit-i i Sony-t? FSFE-së po

FSFE-ja e përkujtoi 10-vjetorin e fiaskos së rootkit-it Sony më 31 tetor duke postuar një shënim përkujtues se sa të rrezikshme janë kufizimet dixhitale për sigurinë e përdoruesit, lirinë për t’u marrë me gjërat, dhe për kompjuterin si mjet i zakonshëm pune. Përpara se zemërimi publik dhe paditë ligjore të kërkonin dëmshpërblim nga Sony, rootkit-i kish depërtuar tashmë në kompjuterat e përdoruesve, kish spiunuar rreth zakoneve të tyre në dëgjim, kish bllokuar software palësh të treta, kish ulur cilësinë e punimit të kompjuterave, kish krijuar të çara në sigurinë e kompjuterave, dhe i kish dërguar të dhëna Sony-t. Këtë muaj, FSFE-ja u kërkoi dhjetëra gazetarëve të fushave teknike dhe të sigurisë të bëhen tok dhe t’i kujtojnë publikut të mbrojë lirinë e tij dixhitale dhe të jetë i vëmendshëm përballë kufizimeve dixhitale, të të njëjtit lloj me kufizimet që i lejuan Sony-t të hynte në miliona kompjutera dhe qindra mijëra rrjete.

Aktivizohuni

Meqë javën e fundit qe dhjetëvjetori i zbulimi të rootkit-it të Sony-t, harxhoni pak minuta këtë muaj t’u tregoni shokëve, familjes apo kolegëve, që s’kanë dëgjuar ndonjëherë për rootkit-in Sony, se ç’ndodhi atëherë më 2005-n. Ky është një shembull i goditur se si kompanitë krijojnë brenda një produkti pengesa në software për të kufizuar ato që përdoruesit mund të bëjnë me pronën e tyre.

Tridhjetëvjetori i FSF-së sjell torta, urime ditëlindjeje dhe mbulim nga shtypi zviceran

Ndryshe nga përvjetori i rootkit-it të Sony-t, pati edhe përvjetor tjetër, të hareshëm, këtë muaj. Më 3 tetor 2015, Free Software Foundation of Europe kremtoi tridhjetëvjetorin ditëlindjes së Free Software Foundation-it, me një tortë të shijshme dhe urime të mrekullueshme. Pas kësaj, presidenti i FSFE-së, Matthias Kirschner foli gjerësisht në gazetën më të madhe zvicerane, mbi FSFE-në dhe rolin e Software-it të lirë në politikë dhe ekonomi. Intervista e tij plotëson një artikull shtesë mbi Richard Stallman-in dhe aktivizmin për Software-in e Lirë.

Anëtarë shok në Zyrih ofrojnë kompjuter me Software të Lirë

Anëtarë shok në Zyrih kanë filluar “Kompjuter i Lirë për Njerëz të Lirë”, një nismë për të ofruar laptopë që xhirojnë krejtësisht me Software të Lirë. Kjo përfshin firmware alternativ dhe BIOS të lirë, çka janë, në shumicën e rasteve, pronësorë për pjesën dërrmuese të laptopëve, dhe i pengojnë përdoruesit të instalojnë Software të Lirë të paautorizuar nga prodhuesi. Duke ripërdorur hardware të përdorur, anëtarët shok të Zyrihut duan edhe të mbrujnë një përdorim më ekologjik të hardware-it.

Shpallje misioni për FreeRTC-në, si zëvendësim i Skype-it

Projekti i FSFE-së për zhvillimin e FreeRTC-së, pra të Komunikimeve të Atëçastshme (Real Time Communications), po mbledh sugjerime se si të përmirësohet Shpallja e Misionit. Synimi është të bëhet sa më e lehtë të jetë e mundur thirrja e të tjerëve dhe marrja e thirrjeve nga të tjerët duke përdorur vetëm Software të Lirë, standarde të hapura, zgjedhje të lirë mundësuesish shërbimi dhe një standard privatësie të besueshme. Regjistrohuni te lista e postimeve që të ndiqni diskutimet dhe të postoni mendimin tuaj.

Drejtori ekzekutiv i FSFE-së, Jonas Öberg përsiat rreth takimit të tij me Richard Stallman-in më 1999

Bashkëthemeluesi dhe drejtori ekzekutiv i FSFE-së, Jonas Öberg rikujton se si u përfshi në Software-in e Lirë, përfshi hollësi të udhëtimit të tij në Boston si një i ri njëzetedyvjeçar më 1999, udhëtim që ndikoi shumë mbi të. Rrëfimi i tij përmban vizita në Technology Square në Boston, marrja pjesë në Çmimet për Software-in e Lirë, dhe një betim para Richard Stallman-it për “të qenë përherë i vërtetë kundrejt bashkësisë.”

Intervistë me anëtaren e Apache Software Foundation-it, programuese dhe nënë, Isabel Drost-Fromm

Më 13 tetor, Paul Boddie kremtoi Ditën e Ada Lovelace-it (dita ndërkombëtare e grave në shkencë dhe teknologji) duke intervistuar banoren e Berlinit dhe kontribuesen në Software-in e Lirë, Isabel Drost-Fromm. Bashkëbisedimi i tyre preku tema teknike (e kuptueshme), këshilla se si të trajtohen gjërat që priten nga tranzicioni drejt brezit tjetër të hacker-ave, krijuesve dhe të ngjashmëve, dhe se si të krijohet besim në këtë proces.

Falënderime për krejt vullnetarët, anëtarët shok, dhe korporatat dhuruese që bëjnë të mundur punën tonë.

Polina Malaja dhe Asa Ritz - FSFE