Buletin

Buletini i FSFE-së - shtator 2017

Shkruar nga  më  

Para Publike? Kod Publik!

Shërbimet dixhitale të ofruara dhe përdorura nga administratat tonë publike janë pjesë e infrastrukturës kritike të kombeve demokratike të shekullit XXI. Por për shkak të licencave kufizuese mbi software-in, shumë organizma publikë nuk kanë kontroll të plotë mbi infrastrukturën e tyre dixhitale. Edhe pse botimi i software-it të krijuar me para publike nën një licencë të lirë sjell përfitime të mëdha për qeveritë dhe shoqërinë civile, ligjvënësit ende hezitojnë të përmirësojnë legjislacionin në këtë fushë. Ka ardhur koha që ky të ndryshohet. Në FSFE, ne duam legjislacion europian që kërkon medoemos që software-i i financuar me para publike i krijuar për sektorin publik të ofrohet publikisht nën një licencë Software-i të Lirë dhe me Burim të Hapur. Nëse paraja është publike, kështu do të duhej të ishte edhe kodi!

Për të shpënë përpara kërkesën tonë, FSFE-ja nisni një fushatë të re javën e shkuar: "Para Publike, Kod Publik". Fushata shpjegon përmes një videoje të shkurtër frymëzuese përfitimet e hedhjes në qarkullim nën licenca të lira të software-it të financuar me para publike dhe përmban një letër të hapur që mund ta nënshkruani. Më tej, fushata dhe letra e hapur do të përdoren në muajt e ardhshëm, deri në zgjedhjet për Parlamentin Europian të 2019-s, për të nxjerrë në pah shembuj të mirë dhe të dëmshëm të zhvillimit të software-it të financuar me para publike dhe ripërdorimit të tij potencial.

Suksesi fillestar ka qenë shumë i madh. Nisja e fushatës u trajtua nga shumë sajte dhe revista lajmesh në Europë. Tani që shkruajmë, Letra e Hapur është nënshkruar tashmë nga më shumë se 35 ente dhe më shumë se 5 mijë individë. Politikanë dhe njerëz të tjerë të njohur kanë bërë të ditur përkrahjen e tyre për fushatën, përfshi Edward Snowden-in, president i fondacionit Freedom of the Press Foundation:

"Me paranë publike nuk duhet shkruar software të cilin publikut nuk i lejohet ta ndreqë. Nënshkruani letrën, shpëtoni botën: https://publiccode.eu/#action #PublicCode"

Përkraheni edhe ju kodin publik dhe nënshkruani këtu letrën e hapur: https://publiccode.eu/#action

FSFE-ia boton Praktikat Më të Mira të Licencimit të Software-it

Nëse doni që të tjerët të jenë në gjendje të përdorin kodin tuaj, duhet të përfshini me të një licencë dhe, sipas praktikës më të mirë, këtë do të duhej ta bënit në një mënyrë e cila mund të kuptohet si nga njerëzit, ashtu edhe nga kompjuterat. Mjerisht, ka në qarkullim një numër të pafund projektesh dhe copëza software-i, por të cilave u mungon një licencë. Një arsye e mundshme është se t’i bashkëngjitet një licencë software-i - të përshtatshme dhe në një mënyrë që është e kuptueshme - mund të jetë e zorshme. Të garantohet që kompjuteri e kupton licencën tuaj është edhe më e vështirë.

Kjo është arsyeja pse FSFE-ja ka nisur punën për ta bërë më të lehtë administrimin e të drejtave të kopjimit dhe licencat në software-in e lirë dhe me burim të hapur. Udhërrëfyesi ynë Praktikat Më të Mira të Licencimit të Software-it do t’ju ndihmojë të përfshini në software-in tuaj shënime licence dhe të drejtash kopjimi ashtu si duhet. Dhe teksa vazhdojmë të peshojmë praktikat më mira, te https://reuse.software/ do të gjeni tashmë pak hapa të thjeshtë që duhen kryer për t’i bërë të drejtat e kopjimit dhe licencën e projektit tuaj të kuptueshme më lehtësisht.


Ndihmonani të fuqizohemi dhe të sjellim një ndryshim gjatë 2017-s


Ç’kemi bërë tjetër? Brenda dhe Jashtë FSFE-së

The FSFE village during SHA Camp 2017 in the Netherlands.

Seksioni i FSFE-së gjatë SHA Camp 2017 në Holandë.

S’duhen humbur! Veprimtari së afërmi me FSFE-në

CopyCamp në Varshavë do të zhvillohet nga 28 - 29 shtator. CopyCamp është një konferencë që përqendrohet mbi pyetjen se si ndikojnë mbi kulturën, arsimin, shkencën, teknologjinë, dhe Software-in e Lirë të drejtat ekskluzive jomateriale. Matthias Kirschner do të flasë mbi "Limux: humbja e një fari" dhe analistja jonë e politikave Polina Malaja rreth "Reformës së të drejtave të kopjimit në Europë dhe implikimet e saj për zhvillimin software-i në bashkëpunim". Pjesëmarrja në konferencë është pa pagesë, por pjesëmarrësve u kërkohet të regjistrohen, përpara se të marrin pjesë. Falë Fondacionit të Bashkëpunimit Polako-Gjerman, ka grante udhëtimi për rezidentë gjermanë (jo vetëm për shtetasit), financuar nga Zyra Federale Gjermane e Punëve të Jashtme.

Hidhuni në Veprim

Hidhini një sy sajtit tonë "Para Publike, Kod Publik" dhe videos për fushatën PPKP dhe tregojuani edhe shokëve tuaj, kolegëve dhe listave të postimeve ku jeni të pajtuar. Kërkojuni gjithashtu atyre të nënshkruajnë letrën e hapur dhe bëjeni këtë edhe ju vetë. Nëse faqja s’është gati në gjuhën tuaj, ndihmonani në përkthimin e saj.

Ndihmonani të përmirësojmë buletinin tonë

Nëse ju kap syri diku lajme që mendoni se do të duhej t’i përfshinim, na i dërgoni. Nëse do të donit të na jepnit mendime, na i dërgoni. Adresa është gjithmonë newsletter@fsfe.org. Presim lajme nga ju!

Falënderime për krejt bashkësinë tonë, për krejt vullnetarët, përkrahësit dhe dhuruesit që bëjnë të mundur punën tonë. Dhe falënderime për përkthyesit tanë, që u bëjnë të mundur lexuesve tanë ta lexojnë këtë buletin në gjuhën e tyre amtare.

Redaktori juaj, Erik Albers


Ndihmonani të fuqizohemi dhe sjellim një ndryshim gjatë 2017-s