Buletin

Buletini i FSFE-së, Shkurt 2018

Shkruar nga  më  

Barcelona është qyteti i parë këshilli bashkiak i të cilit i bashkohet fushatës së FSFE-së "Para Publike? Kod Publik!"

“Fondet që vijnë nga qytetarët duhet të investohen në sisteme që mund të ripërdoren dhe që janë të hapët ndaj ekosistemit lokal” shprehet Francesca Bria, komisionere për Teknologjinë dhe Novacionin Dixhital të Barcelonës. Ajo është motori pas Planit bashkiak të Shndërrimit Dixhital, i cili - mes të tjerash - synon të rrënjosë në administratën e bashkisë përdorimin e Software-it të Lirë dhe të të dhënave të hapura.

Hap pas hapi, krejt aplikacionet kyçe duhet të zëvendësohen me zgjidhje nga Software-i i Lirë, deri sa bashkia të zëvendësojë më në fund sistemin e vet të tanishëm, të bazuar në Windows, me një sistem të përshtatshëm GNU/Linux. Përmes kësaj, Barcelona është drejt arritjes dhe garantimit “të sovranitetit të plotë teknologjik” për bashkinë. Deri në prill të 2019-s, kur mbaron mandati i tanishëm, këshilli bashkiak ka planifikuar të shpenzojë 70 përqind të buxhetit të vet për software me burim të hapët.

Me këtë në mendje, Barcelona është qyteti i parë këshilli bashkiak i të cilit ka nënshkruar Letrën e Hapur të fushatës tonë "Para Publike? Kod Publik!". FSFE-ja është shumë e gëzuar tek sheh një nga zonat më të mëdha metropolitane të Europës të lëvizë drejt Software-it të Lirë, dhe i uron Barcelonës sa më shumë sukses!

Dita E dua Software-in e Lirë

Çdo vit, bashkësia jonë kremton më 14 shkurt "Ditën E dua Software-in e Lirë". Raporti ynë për kremtimet e këtij viti vjen së shpejti, por duam t’ju falënderojmë për qindra deklarata dashurie të bëra përmes kanalesh mediash shoqërore, foto personash duke kremtuar projektet e tyre të parapëlqyer Software i Lirë, b.f., Developers Italia, montazhe shumë të bukur si ai nga Grise Bouille, si dhe postimet e shumta informuese në blogje mbi përfitimet që sjell Software-i i Lirë. Pamë madje njerëz të hapin çështje në platforma zhvillimi projektesh, vetëm për të thënë “Faleminderit!” në "Ditën E dua Software-in e Lirë".

Faleminderit që kremtoni me ne dhe qëndroni të sintonizuar për raportin e hollësishëm së shpejti.


Bëhuni pjesë e bashkësisë tonë të luftëtarëve të lirisë.


Ç’kemi bërë tjetër? Brenda dhe Jashtë FSFE-së

Mos humbni rastin! Veprimtari s’afërmi me FSFE-në

Jemi të lumtur të shohim të zhvillohet një takim i parë lokal i FSFE-së në Madrid, Spanjë, më 22 shkurt dhe më 3 Mars. Urojmë që krejt pjesëmarrësit ta shpenzojnë kohën gjatë takimit në rrugë pozitive dhe të frytshme. Nëse jeni prej zonës, mos e humbni rastin.

Meqë ra fjala: Nëse s’ka ndonjë grup vendor FSFE-je në zonën tuaj, por do të donit të fillonit një të tillë, lidhuni me bashkërenduesin tonë të bashkësive, Erik Albers i cili do të jetë i lumtur t’ju ndihmojë në hapat e parë.

Aktivizohuni

Keni gjetur në internet një histori interesante rreth Software-it të Lirë dhe doni ta ndani me ne? Apo keni një pyetje që do të donit ta diskutonit me të tjerë veprimtarë të Software-it të Lirë? Apo doni të lajmëroni veprimtarinë tuaj të ardhshme të Software-it të Lirë ose të raportoni mbi një të tillë së fundi? Postojeni në një nga listat tona publike dhe ndajeni me bashkësinë! Kemi lista postimi aktive në anglisht, gjermanisht, spanjisht, dhe greqisht.

Nëse banoni në Itali, lidhuni me kandidatët tuaj vendorë gjatë fushatës së tanishme elektorale, tregojuni fushatën tonë "Para Publike? Kod Publik!" dhe drejtojuni pyetjet që u kemi dërguar edhe partive pjesëmarrëse ose pyetje të ngjashme me to.

Jepni ndihmesë te buletini ynë

Nëse doni të ndani me të tjerët mendime, foto, ose lajme, na i dërgoni. Adresa është gjithmonë newsletter@fsfe.org. Presim lajme nga ju!

Falënderime për krejt bashkësinë tonë, për krejt vullnetarët, përkrahësit dhe dhuruesit që bëjnë të mundur punën tonë. Dhe falënderime për përkthyesit tanë, që ju bëjnë të mundur ta lexoni këtë buletin në gjuhën tuaj amtare.

Redaktori juaj, Erik Albers


Bëhuni pjesë e bashkësisë tonë të luftëtarëve të lirisë.