Çlironi Android-in Tuaj

Çlironi Pajisjen Tuaj!

Robot Android i Çliruar

Edhe pse në pjesën dërrmuese Android-i është Software i Lirë, pajisjet zakonisht vijnë me software pronësor dhe shërbime që i pengojnë njerëzit t’i përdorin në rrugë të pavarur dhe autonome. Çlirojeni pajisjen tuaj Android: mësoni si të rifitoni kontrollin mbi të dhënat tuaja, me një sistem operativ të lirë dhe me aplikacione të lira!

Aplikacione Software i Lirë

Gjëja më e lehtë për fillestarët është t’ia fillojnë duke çliruar aplikacione për celular. Ju paraqesim depo aplikacionesh posaçërisht për Software-in e Lirë dhe disa aplikacione për përdorimet më të rëndomta, për shembull, shkëmbim mesazhesh, shfletim, ose lojëra.

Sisteme Operativë Software i Lirë

Shumica e sistemeve operative në telefonat që mund të blini s’janë të lirë. Ata përmbajnë software pronësor të instaluar që më parë, i cili i kufizon liritë tuaja dhe cenojnë privatësinë tuaj. Ndaj përdoruesit e përparuar do të duhej të instalonin një sistem operativ për celular që të jetë sa më i lirë që të mundet.

Aplikacionet

Për shumicën e njerëzve, Google Play Store është burimi i vetëm ose kryesor për aplikacione. Atje as që nuk ju tregohet nëse një aplikacion është Software i Lirë apo jo, lëre pastaj mbi licencat e tij. Mjerisht, shumica e aplikacioneve prej këtij tregu, ose prej të tjerësh, janë pronësorë. Edhe nëse instaloni një aplikacion Software të Lirë, nuk ka arsye pse duhet besuar në dyorin e shkarkuar. Përdorimi i Google Play-it lyp gjithashtu një llogari Google, dhe është vetë software pronësor. Është e këshillueshme që ky treg të mos përdoret fare.

F-Droid

F-Droid

Nisma F-Droid zuri fill që të ndryshohej gjendja e trishtë e aplikacioneve Software i Lirë në botën e Android-it. Me të është krijuar një depo Software-i të Lirë për Android që instalohet lehtë. Përmban një aplikacion klienti Android që e bën të lehtë shfletimin për aplikacione Software-i të Lirë, instalimin e tyre në pajisjen tuaj, dhe që ndjek përditësimet për to. Aplikacionet që ofrohen në F-Droid nuk përmbajnë kosto të fshehura, janë të parrezikshme për fëmijët, dhe janë transparente rreth kundra-veçorish të mundshme.

Depoja F-Droid përmban hollësi mbi versione të shumta të secilit aplikacion. Mundeni edhe të krijoni dhe të shtoni lehtësisht depot tuaja. Por meqë nisma është shumë aktive, me programim të decentralizuar dhe e hapur për bashkëveprim, krijimi i depove të tilla vetjake s’është medoemos i domosdoshëm. Synimi i saj është të përfshihen krejt aplikacionet e dobishme Android që janë Software i Lirë dhe të ndiqen përditësimet për to.

Kemi grumbulluar disa të dhëna se si mund të ndihmoni te F-Droid.

Aplikacione të përzgjedhura për raste përdorimi të rëndomtë

Për fat të mirë, sot, jetojmë një një botë në të cilën mund të zgjedhim mes aplikacionesh të ndryshme Software i Lirë për thuajse çfarëdo nevojash përdoruesi. Kjo ndarje synon t’ju paraqesë një përzgjedhje të vogël aplikacionesh që janë të përshtatshme për fillestarë. Pa diskutim që kjo listë s’mund të jetë e përsosur për çdo individ. Këshillojmë gjithashtu të hidhni një sy te depoja e plotë F-Droid ose te rekomandimet për aplikacione te Dalje Nga PRISM-i, Unë dhe Hija Ime, apo Siguria brenda në një Kuti.

Shfletim Web

Në F-Droid mund të gjeni mjaft shfletues web, për grupe të ndryshme përdoruesish. Sipas gjasash, më i njohuri është Firefox-i për Celular i Mozilla-s, që mund të merret te FFUpdater ose versionin GNU për të, IceCatMobile. Përdoruesit që parapëlqejnë aplikacione të peshës së lehtë dhe me privatësinë në mendje, mund të duan të provojnë Firefox Klar (i njohur edhe si Firefox Focus).

Email

K-9 Mail u lejon përdoruesve të tij të shtojnë llogaritë shumta email dhe ofron një gamë të gjerë mundësish. Ai mbulon gjithashtu integrim me aplikacione fshehtëzimi, të tillë si OpenKeychain dhe është në gjendje të lexojë mesazhe të fshehtëzuar me GnuPG.

Mesazhe të Atypëratyshëm

Gjendja e aplikacioneve Software i Lirë për shkëmbim të atypëratyshëm mesazhesh është e ndërlikuar. Ndërkohë që ka zgjidhje 100% Software i Lirë, të tilla si Conversations dhe Zom (për XMPP/Jabber, përdoruesit e iOS-it mund të përdorin ChatSecure), Delta Chat (përmes email-i) ose Riot.im (përmes Matrix-i),sipas gjasash nuk do të jenë shumë të përhapur mes shokëve tuaj, për shkak se shtrirja e përdorimit të tyre është relativisht e vogël. Të tjera aplikacione janë plotësisht ose thuajse Software i Lirë, por kanë kundra-veçori të tjera, të tilla si varësi nga shërbyes dhe librari jo të lira, ose nuk lejojnë federim shërbyesish, për shembull Signal-i ose Wire-i. Ka një numër nismash për ta bërë shkëmbimin e atypëratyshëm të mesazheve sa më të lirë, të sigurt, të decentralizuar, dhe miqësor ndaj përdoruesit që të jetë e mundur, dhe shpresojmë që në të ardhmen të jemi në gjendje të bëjmë rekomandime më të qarta.

Multimedia

Plot aplikacione Software i Lirë synojmë t’ju bëjnë të mundur të shijoni audio dhe video në celularin tuaj. Aplikacione të njohur janë NewPipe, një ndërfaqe e peshës së lehtë për YouTube-in, e cila sjell si shtesë disa veçori unike, VLC Player për video, ose RadioDroid për dëgjimin e mijëra stacioneve radio

Jashtë

Kur udhëtoni, telefoni juaj celular mund të jetë një ndihmësi juaj. Transportr di rrjetet e transportit publik për vende dhe qytete anembanë botës. OsmAnd ju shërben harta të hollësishme offline dhe online të vendit kudo qofshi në atë çast, dhe përfshin edhe udhëzime lëvizjeje kur jeni me motoçikletë apo automjet.

Lojëra

F-Droid përmban lojëra të ndryshme për celular, për thuajse çfarëdo shijesh. Për shembull, qeflijtë e puzzle-it mund të dëfrehen me 2048 ndërkohë që fansat e block sandbox-it mund të luajnë Minetest vetëm ose në mënyrën me shumë lojtarë. Për fansat e 1010! ka një 1010! Klooni.

Sisteme Operativë

Një sistem operativ është një koleksion programesh që ju bëjnë të mundur përdorimin e telefonit tuaj dhe xhirimin e aplikacioneve në të. Edhe pse Android është i lirë në pjesën dërrmuese , mjaft telefona shiten me përbërës pronësorë dhe shtesa. Disa telefona kanë gjithashtu ngarkues nisjeje të kyçur, çka ju pengon të instaloni dhe nisni sisteme të tjerë operativë. Nëse doni të blini një telefon Android, sigurohuni që ngarkuesi i nisjes të mund të shkyçet.

Në disa pajisje mund të shkyçet vetëm me marifete të mençura dhe prodhuesit priren ta deklarojnë të pavlefshme garancinë në rast se zhbllokoni ngarkuesin e nisjes te pajisjet e tyre. Por, sipas Direktivës Europiane 1999/44/CE, thjesht fakti se ndryshuat ose ndërruat software-in e pajisjes suaj, nuk është arsye e mjaftueshme për ta bërë të pavlefshme garancinë tuaj. Për më tepër informacion, shihni analizën e Carlo Piana-s dhe Matija Šuklje-s. Ka gjithashtu kompani që i shesin pajisjet e tyre me ngarkues të pabllokuar nisjeje ose që furnizojnë mjetet për ta zhbllokuar atë. Përtej kësaj, është ide e mirë të shihet nëse ka versione të lirë të Android-it që mbulojnë pajisjen tuaj.

Replicant

Replicant

Replicant është një shpërndarje Android që është 100% Software i Lirë. Ngaqë s’përdor ndonjë përudhës jo të lirë, deri sot funksionon në një numër të kufizuar pajisjesh.

Ju kërkojmë të ndihmoni Replicant-in të zgjerojë mbulimin e më shumë pajisjeve. Mundeni të kontribuoni kod, dhe të dhuroni pajisje për ekipin Replicant për qëllime testimi.

Telefona me Replicant-in të parainstaluar ka të gatshëm prej Tehnoetic që një pjesë të fitimit ia kthen nismës Replicant.

LineageOS

LineageOS

LineageOS është një version Android të cilin mund ta përdorni pa llogari Google. Edhe pse është zakonisht më i lirë se software-i që vjen me pajisjen tuaj, objektivi kryesor i tij s’është liria. Edhe pse LineageOS funksionon me shumicën e pajisjeve Android, ai përdor përudhësa dhe firmware jo të lirë që sillen nga një element dhe përfshihen në ROM. LineageOS është degëzimi më popullor i projektit të braktisur CyanogenMod.

LineageOS nuk përmban si parazgjedhje shërbime Google Play, çka i bën mirë lirisë tuaj. Sidoqoftë, nëse vërtet keni nevojë për disa nga këto aplikacione ose librari pronësore, mund të provoni sendërtimin Software të Lirë microG për disa prej tyre.

Kemi grumbulluar informacion se si mund të ndihmoni për të bërë të mundur që LineageOS dhe të tjerë sisteme operativë të bëhen sa më të mirë që mundet, dhe se si të identifikohen dhe të hiqen pjesë jo të lira.

$Date: 2012-02-17 15:16:09 +0100 (ven. 17 févr. 2012) $ $Author: hugo $ http://creativecommons.org/licenses/by/3.0/ Pjesë të kësaj faqeje janë modifikime të bazuara në punë të krijuar dhe ndarë me të tjerët nga Google, dhe që përdoren në përputhje me kushtet e përshkruara në licencën Creative Commons 3.0 Attribution License. Android-i është një shenjë tregtare e Google Inc.