Mbrojtje dhe Përkrahje e Frytshme e Software-it të Lirë

Autor:  më:

Shpjegimet mbi Software-in e Lirë janë të rëndësishme, por nganjëherë punë e vështirë. Ide dhe terminologji e ndërlikuar, variacione të holla dhe një historik tejet politik mund t’i zënë rrugën një mbrojtjeje të frytshme. Këto udhëzime synojnë t’ju ndihmojnë të komunikoni qartë dhe qëndrueshëm, dhe të paraqitni veten dhe ato çka mbroni nën një optikë tërheqëse dhe të besueshme.


Po: Flisni shpesh dhe lirisht me miqtë dhe shokët tuaj mbi Software-in e Lirë

Mos: Kritikoni të tjerët për mungesë interesi apo të kuptuari të Software-it të Lirë. Përpiquni të kuptoni njerëzit që nuk pajtohen me ju, dhe mos u përpiqni t’i detyroni të adoptojnë optikën tuaj. Software-i i Lirë është një temë e rëndësishme dhe ndriçuese në vetvete; nëse një person nuk e sheh dot vlerën e tij, atëherë prisni deri sa të gjeni dikë tjetër që e sheh dhe të vazhdoni diskutimin tuaj.


Po: Jepni, në mënyrë konstruktive, shembuj të njëmendtë problemesh që shkakton Software-i Jo i Lirë. Të flasësh për "tregtues" mund të jetë po aq e frytshme sa të flasësh për një kompani duke përdorur emrin e saj.

Mos: E përqendroni kritikën tuaj të software-it pronësor vetëm te një kompani. Nëse ju duhet të përmendni një kompani me emër, provoni të jepni disa shembuj kompanish të ndryshme, për të treguar që problemi prek më shumë se sa një të tillë. Problemet më serioze të Software-it Jo të Lirë janë të përhapura masivisht. Duke iu referuar problemeve logjike që prekin një treg apo një praktikë, pohimet tuaja do të prodhojnë më shumë ndikim dhe do të ndihmojnë të shmanget anëmbajtja.


Po: Përmendni faktet dhe burimet tuaja kurdo që të jetë e mundur, dhe jini i qartë rreth se prej nga vijnë informacionet tuaja. Nëse nuk e mbani mend referencën për diçka që përmendi në bashkëbisedim, shihni mundësinë të vini në dukje gatishmërinë për ta dërguar referencën me email më vonë, kur të keni kohë ta gjeni.

Mos: I bazoni argumentet tuaja në informacion që nuk e kujtoni dot ose që nuk verifikohet dot lehtësisht. Merruni me faktet dhe ruajini hamendësimet, përgjithësimet dhe supozimet e gjera për rastet e rralla kur janë vërtet të përshtatshme.


Po: Akordojini me kujdes argumentet për shkallën tuaj të të kuptuarit dhe atë të publikut tuaj. Përqendrohuni në tema që i njihni mirë dhe për të cilat keni përvojë vetjake (edhe pse nuk përfaqësojnë dhe aq një temë, ose nuk kanë ndikim të madh), dhe të cilat publiku juaj do të jetë në gjendje t’i lidhë me raste personale.

Mos: Jini teknik apo filozofik më shumë se sa duhet, nëse e kuptoni që kjo është e papërshtatshme për publikun tuaj. Është e lehtë të flasësh gjerë e gjatë rreth projektit apo parimeve tuaja të parapëlqyera, por mbani mend që synimi juaj është të komunikoni frytshëm rreth Software-it të Lirë, ndaj duhet të përcaktoni shkallën teknike dhe atë të interesave të publikut tuaj dhe të ecni në përputhje me to.


Po: Jini i durueshëm, i qetë, i arsyeshëm, dhe objektiv gjatë bashkëbisedimeve tuaja. Nëse mundet, shpërfillini sjelljet sfiduese, dhe përpiquni t’i çpërshkallzoni, nëse nuk mundet.

Mos: Jini i nxituar, i zemëruar, ose personal në bashkëbisedimet tuaja. Nuk keni gjë për të provuar dhe Software-i i Lirë do të vazhdojë të lulëzojë pavarësisht opinionit të kujdo personi ose grupi, ndaj mos u përfshini në debate jokonstruktive.


Po: Punoni shumë për t’u takuar dhe diskutuar me njerëz që kanë shprehu interes për Software-in e Lirë. Bjeruni nga pas këtyre kontakteve dhe përpiquni t’u jepni atyre informacionin që kërkojnë (sa lejon arsyeja).

Mos: Harxhoni kohën duke u lidhur me persona që e kanë shprehu qartë mungesën e interesit. Përpjekjet tuaja mund të jenë më të frytshme gjetiu.


Po: Demonstroni Software të Lirë të arrirë, veçanërisht nëse e përdorni vetë. "Po nuk e pashë, nuk e besoj"... thuhet, dhe duke u treguar se si po përfitoni që "sot" nga Software-i i Lirë, për disa persona mund të jetë më tepër ngacmuese se çfarëdo diskutimi filozofik rreth tij.

Mos: Premtoni ose lini të hamendësohen gjëra që Software-i i Lirë nuk i ofron dot. Mund të bëni një numër shumë të madh gjërash me Software-in e Lirë, por jo gjithçka, dhe të pretendosh të kundërtën vetëm se do të hapni orekse në mënyrë të gënjeshtërt dhe shpini dikë në zhgënjim dhe sëkëlldi.


Po: Zbuloni rrugë për të ftuar kontakte të reja të takojnë mbrojtësit dhe përkrahësit e Software-it të Lirë dhe të marrin pjesë në grupe bashkësish vendore. Takimi me persona që mendojnë pak a shumë njësoj, me interesa të përbashkëta, është një mënyrë e shkëlqyer për të ngjizur interes karshi Software-it të Lirë.

Mos: Prisni që gjithkush që takoni të jetë i interesuar të marrë pjesë në grupin tuaj vendor të përdoruesve të Software-it të Lirë. Shumica e njerëzve do të vijnë vetëm një ose disa herë në një veprimtari shoqërore ose të bashkësisë, edhe pse u përshtatet fare mirë atyre vetë dhe nivelit të tyre të interesimit dhe dijes. Edhe pse është kështu, jini gati që do t’ju duhet të jeni mikpritës dhe i duruar, dhe që vetëm pak prej kontakteve tuaja do të jenë të përgatitur të shpenzojnë kohën e tyre të lirë në veprimtari të tilla.