Çlironi Android-in Tuaj

Kontribuoni dhe Ndihmoni të Tjerët!

Robot Android i Çliruar

Ndihmonani të nxisim njerëzit të çlirojnë pajisjet e tyre dhe që të bindim zhvilluesit e aplikacioneve t’i hedhin në qarkullim aplikacionet e tyre si Software të Lirë. Nismat e ndryshme të Software-it të Lirë po ashtu lypin ndihmë dhe na duhet të sigurojmë që mbeten të lira si në liri. Nëse thjesht doni të përhapni lajmin mbi këtë fushatë, ka material promo për shkarkim, përkthim dhe porositje.

Sisteme Operativë

Nisma Replicant ka nevojë për ndihmë urgjente. Te faqja e saj hyrëse tregohen mjaft rrugë për të ndihmuar.

Edhe pse versione të tjera të Android-it janë tërësisht të bazuara në Software-in e Lirë, ka raste kur te këto ROM-e shtohen aplikacione jo të lira. Nëse keni dijeni për software jo të lirë të shtuar te CyanogenMod ose versione të tjera të Android-it, ju lutemi, na e bëni të ditur! Informacionet e deritanishme i grumbullojmë te wiki.

Aplikacione dhe F-Droid

Nisma F-Droid radhit mjaft mënyra se si të kontribuohet. Hidhini një sy! Ndoshta ka diçka që ju mund ta bëni lehtë.

Si të Shtoni Aplikacione

Ju nxisim të shtoni ju vetë aplikacione te F-Droid. Për t’ju ndihmuar ka një doracak. Radha e aplikacioneve në pritje për shtim është e gjatë. Shtimi i tyre funksionon në mënyrë të ngjashme me portat FreeBSD dhe gentoo ebuilds, duke plotësuar një kartelë të thjeshtë recete që kontrollon se si ndërtohet paketa prej burimit. Nëse doni që ta shtoni ju vetë një aplikacion, do të duhej të lexonit se si funksionon F-Droid me git dhe se si t’i shkruani vetë këto të ashtuquajtura kartela tejtëdhënash.

Çlirim Aplikacionesh Jo të Lira

Mjerisht, ka ende disa aplikacione që nuk kanë alternativa të lira. Përdorimi i aplikacioneve pronësore është ide e dëmshme; ju heq lirinë. Për më tepër, nëse filloni e përdorni një program jo të lirë, nuk do të ndjeni më nevojën që ai të jetë i lirë. Edhe pse nuk dini të programoni, mund të kontaktoni autorët e aplikacioneve kryesores dhe t’u kërkoni me mirësjellje arsyet për mosbotimin e aplikacionit të tyre si Software të Lirë. Mjaft aplikacione janë të passhëm pa pagesë, kështu që paraja nuk është përherë arsyeja mbizotëruese. Ndonjëherë një email mund të ndryshojë gjërat dhe ka pasur deri më sot përpjekje të suksesshme: Chess Walk për shembull tani është i çliruar.

Aplikacione Që Ende Kanë Nevojë të Çlirohen

Te wiki jonë kemi listën e aplikacioneve që nuk kanë të njëvleftshëm të lirë, por që ka rëndësi të jenë në një sistem të lirë. Ju lutemi, shtoni këtu të tjera aplikacione thelbësore. Njerëzit mund të lidhen me autorët e këtyre aplikacioneve dhe t’i pyesin pse nuk janë Software i Lirë.

Përgjigje Ndaj Objeksioneve Që Kemi Dëgjuar Prej Programues Aplikacionesh

Vetëm pasi të kuptojmë motivimin e programuesve që i mbajnë aplikacionet e tyre pronësore, do të dimë se ç’duhet ndryshuar që ata të ndërrojnë mendje dhe si t’i bindim të çlirojnë aplikacionet e veta. Ju lutemi, kontribuoni këtu me përvojën tuaj me programues aplikacionesh jo të lira dhe ndani me të tjerët përgjigje të dobishme ndaj objeksioneve të tyre.

Kontakt

Nëse doni të jini i informuar ose dëshironi të punoni me të tjerë lidhur me një sistem Android të Lirë, mund të pajtoheni te lista e postimeve. Gjithashtu mund të bëni pyetje ose të jepni këshilla apo përshtypje duke na shkruar te android@lists.fsfe.org. Për pyetje teknike mbi aplikacionet, një vend i përshtatshëm për to është kanali IRC për F-Droid-in. Për shkëmbime rreth shtresave të ulëta të Android-it, kanali IRC i Replicant-it dhe CyanogenMod-it janë më të përshtatshëm. Cilido në këtë bashkësi është mjaft miqësor dhe e ka për zemër të ndihmojë të tjerët, ndaj mos kini turp, por merrni pjesë!