Nga 6-11 Korrik, 2013, disa mijëra vetë do të mblidhen në Bruksel nga gjithë Europa për të marrë pjesë në Takimin mbi Libre Software-in (RMLL), një nga konferencat më të mëdha në Europë për zhvillues, sipërmarrës teknologjie dhe veprimtarë të shoqërisë civile të fushës së Software-it të Lirë.

Të hënën, më 8 Korrik: Hugo Roy, Drejt kufizimesh të përdoruesit në HTML?

Bashkërenduesi për Francën Hugo Roy do të paraqesë zhvillimet e fundit të betejës kundër DRM-së në HTML5.

Gjuha e bisedës: Anglisht
Location: Université Libre de Bruxelles, Salla H 1301
Data dhe koha: E hënë, 8 Korrik, 10:00

Përmbledhtas

Gjatë një viti rresht, Microsoft-i, Google-i dhe Netflix-i kanë punuar së bashku për të propozuar një standard të ri: Zgjatime Mediash të Kriptuara. Ky specifikim është përfytyruar të përmbajë elementë mediash të kriptuar, fjala vjen video, të trajtuara me të ashtuquajturit ’Module Çfeshtëzimi Lënde(CDM)’ të cilët përgjigjen për mirëfilltësimin e një sesioni përdoruesi karshi një shërbyesi të largët lënde dhe për çfshehtëzim e medias së shërbyer prej shërbyesit. CDM, vetë jashtë specifikimeve, do të aktivizojë mandej Administrimin Dixhital të Kufizimeve (DRM) si një shtesë shfletuesi web, ose drejt e nga sistemi operativ jo i lirë. Dhe pikërisht kështu, ChromeOS tashmë hidhet në qarkullim me CDM/DRM-në e Google-it.

Konsorciumi W3C është pajtuar me deklarimin e “mbrojtjes së lëndës” si domosdoshmëri. Por ç'do të thotë kjo? Pse ka rënë dakord W3C-ja t'i publikojë specifikimet e standardit si një draft publik paraprak në Maj 2013? Ç'po ndodh atje dhe ç'mund të bëjmë për të ndihmuar të luftohet DRM-ja në HTML?

Pas një përmbledhje të shpejtë të specifikimeve që të mund të kuptohen nga të gjithë, kjo bisedë do të trajtojë disa nga grackat e propozimit dhe do të japë disa nga zgjidhjet e mundshme për ndreqjen e gjendjes dhe për mbajtjen e DRM-së jashtë shfletuesve tanë web.

E hënë, 8 Korrik: Karsten Gerloff në Konferencën e Përgjithshme Publike të RMLL-s

Presidenti Karsten Gerloff do të mbajë një fjalë Të gjithë të mbikëqyrur nga makina të dashamirësisë së ëmbël.

Gjuha e bisedës: Anglisht
Vendi: Université Libre de Bruxelles, Salla K.1.105
Data dhe koha: E hënë, 8 Korrik, 11:00-12:00

Përmbledhtas

Kompjuterat janë ndërthurur fort në jetën tonë të përditshme. Janë makina që ne i përdorim për të krijuar dije dhe njohuri, na lejojnë të flasim dhe t'i shkruajmë njëri-tjetrit, gjenden më automjetet, trenat dhe aeroplanët që përdorim për të lëvizur.

Kompjuterat janë kaq fort të dobishëm, ngaqë janë makina për përdorim të përgjithshëm. I përdorim në mënyrë rutinë për të krijuar dhe bërë gjëra të cilat, njerëzit që i krijuan, nuk e kishin ëndërruar kurrë.

E megjithatë jemi në mes të një beteje të fuqishme për kontrollin e këtyre kompjuterave. Korporatat janë të zënë deri në fyt me kthimin e kompjuterave për përdorim të përgjithshëm në pajisje thjesht blerjesh. Në vend që të zgjedhim fatin tonë, vetëm sa zgjedhim të zotët tanë.

Nuk ka pse të jetë kështu. Mos po shkojmë drejt një bote survejimi nga korporatat, ku zgjedhjet tonë për gjërat thjesht do të blihen e shiten? Apo do të krijojmë një botë ku të jetojmë në liri dhe t'u dalim zot jetëve tona?

Të hënën, 8 Korrik: Werner Koch, Privatësia më 2013 : Pse. Kur. Si.

Anëtari i ekipit FSFE do të mbajë një fjalë mbi privatësinë.

Përmbledhtas

Në intervale gjithnjë e më të shkurtër mësojmë rreth kërcënimesh të reja ndaj privatësisë. Arsyeja për këtë lumë lajmesh të këqija nuk i detyrohet dështimeve teknike apo shtimit të gazetarisë hetuese, i detyrohet sasisë së madhe të të dhënave të transportuara përmes Internetit dhe vetëm nën kontrollin e korporatave apo qeverive.

Me shtimin e koleksioneve të të dhënave, shumica e të dhënave në mënyrë të pashmangshme do të rrjedhin diku. Me internetin e vjetër të decentralizuar, kjo nuk ishte ndonjë problem shumë i madh, ngaqë rrjeti si konceptim qe i decentralizuar. Interesat ekonomike e kanë ndërruar gjithnjë e më tepër këtë infrastrukturë në një oligarki qendrash të përpunimit të të dhënave, secila me miliona përdorues. Sot ato janë pika kyçe në internet dhe prandaj një pikë e vetme dështimi e privatësisë. Përdoruesit që janë në gjendje t'i lexojnë rregullat e privatësisë diku do të duhej të ishin të ndërgjegjshëm për këtë problem, por megjithatë i mbyllin sytë dhe përfitojnë nga çka premtojnë të tilla të dhëna të grumbulluara (të njohura si “rrjete shoqërore”). Rreziku i përdorimit jo si duhet të këtyre shërbimeve të të dhënave të grumbulluara nuk është i dukshëm në çast, por mund të buthtojë vetëm pas pak vitesh. Sikur të mos mjaftonte kaq, çdo vit jemi dëshmitarë se sa të interesuara janë qeveritë për ato të dhëna, dhe se si çdo pak vite bëhen të ditura hollësi të rrjedhura nga sisteme të stërmëdha survejimi global.

Nuk është më dhe aq e pamundur të pretendohet se tashmë jetojmë në një botë survejimesh.

Kjo bisedë shpjegon arsyet pse duhet të kujdeseni për të dhënat tuaja, shqyrton shembuj realë kërcënimesh të privatësisë, dhe sugjeron rrugë për të rifituar privatësinë: Përdorimin e TOR-it për të arritur anonimitet, Jabber me OTR për mesazhe të atypëratyshëm, renë tuaj për depozitim të dhënash personale, YaCy ose DDG si motorë alternativë kërkimesh, fshehtëzim nga-skaji-në-skaj për email-et dhe, tek e fundit, parapëlqim të software-it të lirë në vend të atij jo të lirë, që me shumë është plot me deriçka të pasme.

Debat mbi Teknologjinë, Pushtetin dhe Lirinë

Më 9 Korrik FSFE-ja organizon për çështjet dixhitale një debat mbi Teknologjinë, Pushtetin dhe Lirinë me disa nga mbrojtësit më të njohur në botë të lirisë dixhitale dhe anëtarë drejtues të Parlamentit Europian.

Pjesëmarrës do të jenë Karsten Gerloff (FSFE), Eben Moglen (Columbia University), Judith Sargentini (deputete e grupit të të Gjelbërve/EFA), Christel Schaldemose (deputete e grupit social-demokrat), Richard M Stallman (FSF), Nils Torvalds (deputet i grupit ALDE), Ioannis A. Tsoukalas (deputet i grupit PPE).

Gjuha e diskutimit: Anglisht
Vendi: Université Libre de Bruxelles, Salla K.1.105
Data dhe koha: Të martën, 9 Korrik, 11:00-12:20

Përmbledhtas

Teksa ndeshen përditë me një larmi ndryshimesh të sjella nga teknologjia dhe Interneti, ligjbërësit ndeshen shpesh me trysni për të kufizuar potencialin e Internetit në emër të sigurisë. Veprimtarët e sektorit dixhital po sulmojnë censurën, po ndërtojnë rrjetë të shpërndara, dhe po shkruajnë software që u lejon atyre të jenë në kontroll të plotë të kompjuterëve të tyre.

Si mund ta përdorim Software-in e Lirë për të ndërtuar institucione demokratike të forta?
Si mund ta përmirësojmë ndarjen e dijes me të tjerët për hir të përparimit?
A janë shtetasit lakuriq dhe vetmuar në epokën e "funksionimit të kompjuterave në re"?
Çfarë rregullash na duhen për të siguruar lirinë në një shoqëri dixhitale?

Takohuni me ne te Stenda

FSFE-ja do të ketë dy stenda të ndryshme

Si çdo vit, presim mjaft takime dhe diskutime!