Për shtypin

Parlamenti gjerman i thotë qeverisë të kufizojë në mënyrë strikte patentat mbi software-in

më:

Të premten, më 7 Qershor, parlamenti gjerman vendosi për një mocion të përbashkët mbi kufizimin e patentave mbi software-in (shihni përkthimin në Anglisht nga BIKT). Parlamenti i kërkon qeverisë gjermane të ndërmarrë hapa për kufizimin e akordimit të patentave mbi programe kompjuteri. Software-i do të duhej të mbulohej përjashtimisht nga të drejta kopjimi, dhe mbajtësit e të drejtave të kopjimit nuk do të duhej të zhvlerësoheshin prej palësh të treta përmes patentash software-i. I vetmi përjashtim ku patentat do të duheshin lejuar janë programet e kompjuterit që zëvendësojnë një përbërës mekanik ose elektromagnetik. Veç kësaj, parlamenti e bëri të qartë që veprimet qeveritare lidhur me patentat nuk duhet të përzihen kurrë me ligjshmërinë e shpërndarjes së Software-it të Lirë.

"Ky është një hap i rëndësishëm për të shëruar marrëzinë e patentave mbi software-in. FSFE-ja e mirëpret tej mase këtë vendim. Është gjë shumë e bukur të shohësh se krejt partitë kryesore gjermane e kuptojnë që patentat mbi software-in janë një problem shumë i madh dhe se ato po veprojnë me këtë në mendje," thotë  Matthias Kirschner, bashkërendues i FSFE-së për Gjermaninë.

Dhjetëra mijëra patenta software-i në Gjermani dhe në Europë paraqesin kosto të pamata dhe rreziqe përgjegjësish ligjore, veçanërisht për BVM-të. Disa shoqata gjermane BVM-sh e mirëpritën vendimin e parlamentit. Duke sinjalizuar megjithatë se janë kundër dhënies së krejt përgjegjësisë Brukselit, ngaqë BE-ja ka qenë në mënyrë të vazhdueshme e paaftë të pajisë zhvilluesit e software-it me një siguri ligjore. "Gjermanisë tani i duhet ta sendërtojë këtë vendim në formën e një ligji, për të dërguar një sinjal të fortë drejt Brukselit," thotë Johannes Sommer i BIKT-it, një nga shoqatat.

Në një takim ekspertësh në parlament më 13 Maj, në të cilin mori pjesë edhe FSFE-ja, shoqatat BIKT dhe BITMi të industrisë përkatëse propozuan ndryshime në ligjet gjermane të të drejtave të kopjimit dhe patentave. këto propozime do të duhej të preknin edhe patenta software-i të akorduara tashmë. Propozimi i parë është të shtohet një klauzolë "mbulese mbrojtëse" në ligjin gjerman të të drejtave të kopjimit , që vë në zbatim një ndalim tërësor të zbatimit të detyruar të patentave të pretenduara në lidhje me software-in. Propozimi i dytë që synohet të sendërtohet në ligjin gjerman mbi patentat, bën të mundur që efektet e patentave të pretenduara të mos shtrihen mbi vepra të mbrojtura në mënyrë të pavarur nga të drejta kopjimi. Të dy propozimet do të mund të parandalonin zbatimin e detyrueshëm të patentave të software-it mbi zhvillues software-i. FSFE-ja i mbështet të dy propozimet.

"Po të kemi parasysh që BE-ja ka hequr dorë nga fuqia e vet për të vendosur rregulla patentash të njësuara, ky hap drejt kufizimit të patentave mbi software-in është edhe më i rëndësishëm.", thotë Kirschner.

Kuadër: Mocioni i përbashkët u paraqit në parlamentin gjerman në Prill.  Pas seancës së parë dëgjimore, komiteti ligjor mbajti më 13 Maj një takim me ekspertë të jashtëm, lidhur me të cilin FSFE-ja botoi një deklaratë me shkrim dhe shënimet e Matthias Kirschner-it për paraqitjen e tij gojore. Gjatë seancës, një shumicë domethënëse e ekspertëve të jashtëm përkrahën mocionin e përbashkët. Pas rekomandimeve të Komitetit Ligjor të parlamentit, të mbështetura nga Komiteti për Ekonominë dhe Teknologjinë, Komiteti i Arsimit, Kërkimit, dhe Vlerësimit të Rezultateve të Inxhinierimit, si edhe prej Komitetit për Kulturën dhe Median, parlamenti gjerman në sesion plenar miratoi njëzëri mocionin e përbashkët më 7 Qershor.