News

FSFE-ja e mirëpret nismën e industrisë përkatëse për financim fondesh për projekte Software-i të Lirë me rëndësi jetike

më:

Sot, Linux Foundation njoftoi se "Nisma për Infrastrukturën Bazë" do të japë fonde dhe përkrahë projekte Software-i të Lirë që janë me rëndësi jetike për sigurinë e përdoruesve të Internetit. Projekti i parë që do të marrë fonde do të jetë OpenSSL-ja, që përdoret për mbartje të sigurt të dhënash nga miliona sajte. FSFE-ja e mirëpret këtë nismë.

“Software-i i Lirë është themeli mbi të cilin janë ndërtuar kompanitë teknologjike të sotme,” thotë Karsten Gerloff, president i Free Software Foundation Europe-ës. “Është gjë e bukur të shohësh këto kompani të dalin dhe të kontribuojnë për përmirësimin e software-it nga i cili varet siguria e tyre dhe e përdoruesve të tyre.”

Kriza e shkaktuar nga e meta "Heartbleed" e gjetur kohët e fundit në programin OpenSSL e ka bërë të qartë që disa projekte Software-i të Lirë, të përdorura gjerësisht, nuk marrin përkrahjen që do të ishte në përpjesëtim me rëndësinë e tyre. Nisma për Infrastrukturën Bazë është një hap tjetër drejt ndryshimit të kësaj gjendjeje.

“Kompanitë teknologjike janë aq të mençura sa t’i trajtojnë këto projekte Software-i të Lirë si furnizues të rëndësishëm të tyre,” thotë Gerloff. “Kjo nismë nxjerr në pah një nga gjërat e rëndësishme mbi Software-in e Lirë: Ai ndihmon të puqen interesat e veçanta të një numri të kufizuar aktorësh me interesin publik.”

Veç OpenSSL-së, do të duhej përfitonin një përkrahje më të madhe një numër projektesh të tjera Software-i të Lirë që janë me rëndësi jetike për sigurinë e përditshme të përdoruesve dhe bizneseve të Internetit. FSFE-ja shpreson se Nisma për Infrastrukturën Bazë do të ofrojë një kontribut afatgjatë në përmirësimin e software-it që projekte të tillë si GnuPG-ja, për shembull, i ofrojnë publikut.