Për Shtypin

FSFE-ja nënshkruan letrën e përbashkët për liri pajisjesh fundore

më:

Tok me 9 organizma të tjerë civilë dhe ekonomikë, Free Software Foundation Europe (FSFE) i dërgoi një letër një numri të madh anëtarësh të Bundestag-ut lidhur me çështjen e rrugëzuesve të detyrueshëm. Letra është menduar të theksojë rëndësinë e miratimit të projektligjit mbi lirinë në pajisjeve fundore në telekomunikacion.

Më 4 nëntor katër këshillat e parlamentit për Ekonominë dhe Energjinë, Ligjet dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, Trafikun dhe Infrastrukturën Dixhitale, dhe Planet Dixhitale do të konsultohen lidhur me projektligjin “mbi përzgjedhjen dhe lidhjen e pajisjeve fundore të telekomunikacionit“. 132 përfaqësuesit që bëjnë pjesë në katër këshillat do të kenë një përgjegjësi të veçantë, ngaqë është në dorën e tyre të mbrojnë të drejtat e konsumatorëve dhe bizneset e vogla dhe të mesme.

”E mirëpresim hartimin nga ana e qeverisë federale të një projektligji që mund të nxjerrë efektivisht jashtë loje rrugëzuesit e detyrueshëm“, shprehet Matthias Kirschner, president i FSFE-së. “Gjendja e tanishme e rrugëzuesve të detyrueshëm është e dëmshme si për shtetasit, ashtu edhe për ekonominë. Ky fakt duhet ditur nga krejt përfaqësuesit, e krejt partive. Tani na duhet një sendërtim i shpejtë dhe i pandryshuar i ligjit të projektuar.“

Projektligji është përfundimi i një diskutimi të gjatë rreth të ashtuquajturve rrugëzues të detyrueshëm. Këta ua pengojnë përdoruesve të internetit përdorimin e një pajisjeje fundore të zgjedhur prej atyre vetë dhe i detyrojnë të kenë përherë pajisjen e operatorit në rrjetin e tyre shtëpiak. Kjo praktikë e përhapur gjerësisht është kërcënim për sigurinë, privatësinë dhe pavarësinë e krejt përdoruesve të Internetit dhe ka efekte negative mbi konkurrencën e lirë dhe të ndershme mes prodhuesve.

Megjithë opinionin e njëzëshëm të ekspertëve, organizmave për mbrojtje të konsumatorit, dhe politikanëve, disa anëtarë të Këshillit Federal kanë zgjedhur pozicionet e atyre pak kundërshtarëve të projektligjit. Duke bërë kështu ata kanë adoptuar argumentet e hapërdarë dhe të hedhur poshtë nga praktika prej kohësh të mundësuesve të shërbimeve internet dhe operatorëve telefonikë. Deri më sot Qeveria Federale e ka hedhur poshtë kriticizmin e Këshillit si jo të arsyeshme.

“Letra e sotme do të duhet të pengojë një përsëritje të reagimit zhgënjyes të Këshillit. Me një aleancë të gjerë të shumanshme përkrahësish të lirisë së pajisjeve fundore, ne i kërkojmë anëtarëve të komitetit t’i kalojnë në ligj këto të drejta themelore të përdoruesve sa më shpejt të jetë e mundur, dhe pa kompromise të kalbura“, shprehet Max Mehl, bashkërenduesi gjerman në FSFE. “Nga sot e tutje, asnjë përfaqësues nuk mund të mbrohet se nuk e dinte rëndësinë e lirisë së pajisjeve fundore në përdorimin e pavarur dhe sigurinë e Iinternetit.”

Versionin letrës së përbashkët, pa emrat e nënshkruesve, mund ta shihni këtu. Si shtesë, krejt veprimtaritë e rëndësishme përgjatë debatit mbi rrugëzuesit e detyrueshëm i keni grumbulluar ndarazi në sajtin tonë.