Për Shtypin

FSFE-ja kërkon më tepër Software të Lirë dhe Standarde të Hapura në Shkencën e Hapur

më:

Free Software Foundation Europe bën thirrje që Software-i i Lirë dhe Standardet e Hapura të konsiderohen si pjesë jetike e Shkencës së Hapur në krejt kërkimet e financuara me para publike në Europë. Mund të na ndihmoni duke ndarë me të tjerët artikullin mbi pozicionet tona lidhur me këtë temë. Lexoni më tepër mbi të dhe se si mund të promovoni Software-in e Lirë në shkencë.

Sot, FSFE-ja boton dhe parashtron në Komisionin Europian Pozicionin e vet mbi përfshirjen e Software-it të Lirë dhe Standardeve të Hapura në Horizon2020, si pjesë e konsultimeve publike që po zhvillohen mbi vlerësimin afatmesëm të Horizon 2020.

Artikulli jep rekomandime kyçe për vlerësimin afatmesëm të Horizon 2020, programi më i madh i ndërmarrë ndonjëherë nga BE-ja për Kërkime dhe Risi, me gati 80 miliardë euro financime përgjatë 7 vjetësh (2014 deri më 2020).

Përfundimet e këtyre konsultimeve do ta ndihmojnë Komisionin Europian të shtrojë udhën për diskutime të ardhshme mbi programe financimi të kërkimeve dhe risive në BE pas 2020-s. FSFE-ja i konsideron këto konsultime publike si të një rëndësie të veçantë dhe dëshiron të shfaqë sugjerimet e veta lidhur me Software-in e Lirë dhe Standardet e Hapura në programin Horizon2020 apo për çfarëdo programi tjetër financimi kërkimesh dhe risish në BE në të ardhmen.

Me qëllim që të ruhet një e ardhme e qëndrueshme për risitë shkencore dhe teknologjike në Europë dhe kudo në botë, FSFE-ja bën sugjerimet vijuese për Komisionin Europian:

  1. Standardet e Hapura duhet të parapëlqehen për krejt shkëmbimet e dijes, dhe në mënyrë të veçantë për përhapjen e botimeve shkencore dhe arkivimin e krejt artikujve, të dhënave dhe software-it të përdorur në kërkimin shkencor. Përdorimi i Standardeve të Hapura për depot e të dhënave dhe software-it dhe në Plane Administrimi të Dhënash (DMP) që lidhen me botimet nën Horizon 2020, është i nevojshëm për të siguruar ruajtjen e të dhënave për të ardhmen dhe për Shkencën e Hapur. Organizmat e financimit të kërkimeve këtu duhet të udhëheqin, dhe të përkujdesen për ndryshime në modele biznesi, kur bëhet fjalë për të dhëna pune kërkimore.

  2. Software-i i zhvilluar me fonde publike, dhe në veçanti nën kuadrin e programit Horizon2020 duhet detyrimisht të botohet nën një licencë Software-i të Lirë.

  3. Software-i i zhvilluar me fonde publike, dhe në veçanti nën kuadrin e programit Horizon2020 duhet të arkivohet detyrimisht në një depo publike software-i, duke i garantuar jetëgjatësi dhe identifikim të qëndrueshëm.

  4. Depot e të dhënave dhe software-it dhe Planet për Administrim të Dhënash (DMP) duhet të përdorin Software të Lirë, që të garantohet përdorimi i pakufizuar i tyre dhe ruajtja afatgjatë.

  5. Të krijohen Çmime "Shkence të Hapur" për promovimin e Shkencës së Hapur dhe shtimin e ndërgjegjësimit mes palëve të interesuara.

Software-i është pjesë integrale e thuajse çdo projekti kërkimor, duke lejuar këtu përparimin shkencor. Në Horizon 2020, shumica e software-it të përdorur për kërkime shkencore blihet dhe zhvillohet nën patronazhin e financimeve publike ose publike-private. Garantimi i mundësisë për të ripërdorur, studiuar, zhvilluar më tej dhe përmirësuar software-in duhet të jetë një katalizator për Shkencën e Hapur, duke nxitur kështu përkujdesjen ndaj bashkëpunimit shkencor, përmirësimin e proceseve shkencore, në të mirë të shoqërisë si e tërë.

Një vendim tani së fundi i ministrave të BE-së kërkoi që deri më 2020-n, krejt botimet shkencore të përfundimeve të kërkimeve të financuara me para publike në Europë duhet të jenë lirisht të passhme sipas modelit Open Access. Komisioni Europian e quajti hyrjen e lirë publike në kërkime të financuara me para publike shprehimisht "një vizion të së ardhmes" të Shkencës së Hapur jo vetëm në Europë, por në krejt botën nga 2030-a.

Nëse interesoheni të lexoni më tepër mbi rekomandimet e mësipërme të FSFE-së dhe arsyet që qëndrojnë pas tyre, lexoni artikullin tonë të plotë (pdf).

Ndihmoni të përhapet fjala

Për të mësuar se si të bëhet kjo, ju lutemi, këshillohuni me faqen tonë wiki. Nëse kohën e keni me pikatore, por prapë do të donit të ndihmonit, ju lutemi, hidhuni një sy udhëzimeve tona pesëminutëshe! Çdo pyetësor i parashtruar te konsultimet ka vlerë!

E nxisim me forcë këdo të marrë pjesë në konsultimet dhe të vërë theksin te më tepër Software i Lirë dhe Standarde të Hapura në kërkimin shkencor të financuar me para publike. Konsultimi është i hapur për këdo deri më 15.01.2017.