News

Ç’ndodhi në Mynih

më:
Shkruar nga 

Më 15 shkurt 2017, këshilli bashkiak i Mynihut, Gjermani, u mblodh për të diskutuar të ardhmen e projektit të tyre LiMux. Në sesionin publik, u votua që administrata e qytetit të zhvillojë një strategji për unifikimin e arkitekturës TI client-side, duke e bazuar mbi një "Windows-Basis-Client", edhe ky për t’u ndërtuar. Një përkthim i vendimit të plotë vijon më poshtë.

Palët që e kundërshtonin qenë më pak se shumica, por vendimi u ndryshua që dokumenti i strategjisë duhet të specifikojë cilat aplikacione LiMux nuk do të duhen më, shkalla e anulimit të investimeve të mëparshme, dhe një përllogaritje e trashë e kostove të përgjithshme të unifikimit të dëshiruar.

Pasi u arrit ky vendim, shumica e mediave ka raportuar se u bë thirrje përfundimtare për të ndalur LiMux-in dhe për t’u kthyer te software Microsoft. Por ky s’është pasqyrim i saktë i takimit të këshillit bashkiak. Ne studiuam dokumentacionin e mundshëm dhe përshtypja jonë është se fjala e fundit s’është thënë ende.

Deri këtu arritëm suksesin për ta bërë kryetarin e bashkisë Dieter Reiter (SPD) ta shtyjë vendimin përfundimtar, dhe kjo qe e mundur nga trysnia e pandalur e krijuar nga përpjekjet e përbashkët të The Document Foundation, KDE, OSBA, dhe FSFE-së tok me krejt individët që u shkruan anëtarëve të këshillit bashkiak dhe e trajtuan çështjen në media.

Edhe pse mandati lë fort të kuptohet se trajtimi i derisotëm asnjanës kundrejt tregtuesve do të zëvendësohet me një zgjidhje pronësore, ai e lë derën të hapur; apo dini ndonjë standard software-i të përdorur rëndom që garanton përputhshmëri maksimale në krejt drejtimet?

Mandati i ri na jep ca kohë. Dhe ne do të vazhdojmë tonën.

Për plotësim sfondi

Ç’e solli këtë mbledhje publike të 15 shkurtit? Më 2014-n, Dieter Reiter u zgjodh kryetar bashkie i Mynihut. Ai e pat përshkruar veten si një "fan i Microsoft-it" që para se të merrte postin. Krenohet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në vendimin për transferimin në Mynih të selisë së Microsoft-it për Gjermaninë. Ai e vuri në diskutim strategjinë LiMux sapo filloi mandati i tij, dhe i kërkoi kompanisë Accenture, një partnere e Microsoft-it që gjendet në të njëjtën ndërtesë me Microsoft-in, të analizojë infrastrukturën TI të Mynihut. Rporti mund të gjendet këtu (Në gjermanisht). Ia vlen të shënohet se në raportin e tyre, si rrënjë e problemeve që turbullojnë suksesin e LiMux-it analistët vënë gishtin së pari mbi probleme organizimi, në vend se mbi sfida teknike.

Koalicioni i SPD-së dhe CSU-së i parashtruan këshillit bashkiak një mocion surprizë, me kohë minimale shqyrtimi, me objektivin për ta asgjësuar një herë e mirë LiMux-in.

Reagimi ynë

Nisur nga rëndësia e kësaj çështjeje, një koalicion ad-hoc i The Document Foundation, KDE-së, OSBA-së, dhe FSFE-së grumbulloi pyetjet rreth këtij mocioni (në gjermanisht), si dhe rreth proceseve që shpunë në të. Komunikuam me krejt anëtarët e këshillit bashkiak, përpara seancës. Veç kësaj, dërguam një thirrje për veprim (në gjermanisht) për krejt përkrahësit tanë në Gjermani dhe Austri, ku kërkonim të lidheshin me politikanët për këtë problem. Reaksioni qe fenomenal. Gjatë seancës publike, politikanë cituan disa nga pyetjet tona, dhe thanë se kurrë më parë s’patën marrë kaq input nga publiku.

Falënderojmë cilindo që e bëri këtë të mundur!

Po me këtë mënyrë u prodhua edhe një dozë e mirë mbulimi nga shtypi, jo vetëm në Gjermani, por edhe në pjesë të tjera të botës. Një listë jo të plotë të mbulimit nga shtypi e gjeni këtu. Ju lutemi, ndani me ne çfarëdo materiali shtesë që mund të dini.

Përfundim

LiMux-i ka vuajtur nga probleme organizimi, përfshi mungesë strukturash dhe përgjegjësish të qarta, gjë të cilën raporti i Accenture-s e bën të qartë. Këto probleme nuk varen nga software-i i përdorur në makina klient, dhe nuk zgjidhen me ndërrim të sistemit operativ.

Synimi ynë

LiMux-i si i tillë është ende një nga shembujt më të mirë se si të krijohet një administratë e pavarur nga tregtuesit dhe e bazuar në Software të Lirë. Projekti nisi 13 vjet më parë, kur bashkia vendosi të zëvendësojë kompjuterat e vet Windows NT4 të mbetur tashmë pa asistencë. Prej asaj kohe, ata kaluan 15 000 kompjutera nën zgjidhje Software të Lirë, të pavarura nga ndonjë tregtues, dhe në formate kartelash të bazuar në Standarde të Hapura, dhe me asistencë nga kompani TI lokale. Përmbledhtas, kjo nismë shfaq jo vetëm një lëvizje të suksesshme për më tepër pavarësi, por shërben edhe si një shembull se si të forcohet industria TI lokale. Duke zgjidhur vetëm problemet organizative, Mynihu mund të vazhdojë të mbrujë me sukses jo vetëm një administratë të pavarur, por edhe një peizazh TIK të fortë dhe të shëndetshëm.

E kuptojmë që LiMux s’i ka zgjidhur të tëra problemet, por ne i qëndrojmë mendimit se rrënjët e problemeve janë të natyrës organizative, ndaj edhe nuk duhen ngatërruar me zgjedhjet teknike.

Infrastruktura publike duhet të mbetet e pavarur nga interesa të veçanta komerciale, që njihen për pengim të risive. Software-i i Lirë jep mundësinë unike për të investuar në pasuri të përbashkët dhe për të përfituar nga kontributi i secilit, teksa lejon të kihet kontroll mbi çfarë vihet në jetë dhe kur. Furnizuesit lokalë të shërbimeve, kur veprojnë në frymë konkurrence të shëndetshme, fuqizojnë ekonominë lokale dhe garantojnë përdorimin më të mirë të parave të taksapaguesve.

Vëmë gjithashtu në dukje se prirja është për largim nga veprime më anë të klientit, drejt infrastrukturash më të centralizuara, të cilat shfrytëzohen përmes një shumësie pajisjesh dhe shfletuesish që zgjedhin përdoruesit, pa u varur nga sistemi operativ. Mund të dalë më mirë për LiMux-in të përimtojë fokusin e vet, ndërsa ruhet strategjia e pavarësisë nga tregtues të veçantë.

Mocioni i modifikuar, siç u miratua më 15 shkurt

U mbërrit në përfundimin vijues (duke hedhur poshtë kundërshtimin nga Die Grünen - rosa liste, BAYERNPARTEI Stadtratsfraktion, Freiheitsrechte, Transparenz und Bürgerbeteiligung, ÖDP, DIE LINKE, LKR und BIA):

MOcioni i depozituar para plenumit nga SPD-ja dhe CSU-ja duhet të zgjerojë seksionin 6b (i ri), si tregohet mes shenjave ***:

"Administrata duhet të propozojë pa vonesë një strategji se si të unifikohet arkitektura TI client-side e bashkisë, deri më 31-12-2020, e bazuar në një 'Windows-Basis-Client' që duhet krijuar. Funksionet bazë (përpunues tekstesh, fletëllogaritje, program prezantimesh, lexim PDF-sh, klient email dhe shfletues Web) lypset të furnizohen nga produkte standarde, të përdorur rëndom, që duhet të garantojnë përputhshmëri maksimale me proceset e brendshme dhe të jashtme ekzistuese, si dhe me infrastruktura të tjera software-i (të tilla si SAP).

*** Strategjia duhet të jetë e qartë rreth se cilat aplikacione nga LiMux-Basis nuk do të duhen më. Këshilli bashkiak duhet informuar rreth shkallës së braktisjes që kjo kërkon në investimet e mëparshme. Më tej, do të duhet të paraqitet një buxhet paraprak që ilustron kostot përshoqëruar me unifikimin. Mandej këshilli bashkiak do të marrë vendimin përfundimtar. ***

Përgjatë tranzicionit, në varësi të gjendje teknike, departamentet e ndryshme janë të lira të vënë në jetë zgjidhjen e re, të unifikuar, të ngritur mbi 'Windows-Basis-Client', ose të vazhdojnë të përdorin zgjidhjen ekzistuese (Window/LiMux).

Synim strategjik duhet të mbetet që mjetet e administratës duhet të jenë të përdorshme pavarësisht nga sistemi operativ i klientit (p.sh. aplikacione web, virtualizim, shërbime desktop të largëta)."

Vendimi origjinal është vetëm në gjermanisht dhe mund të gjendet këtu, si shtesë e mocionit origjinal.