News

Praktika e organizuar nga FSFE-ja mbi përputhshmërinë zbulon shkelje të GPL-së nga FANTEC, Welte fiton në gjykatë

më:

The Gjykata Rajonale e Hamburgut [Landgericht Hamburg] e deklaroi FANTEC GmbH-në fajtore për shkelje të licencës GNU General Public License në lojtësin e tyre FANTEC 3DFHDL të mediave. Në çështjen gjyqësore të Harald Welte-s kundër FANTEC GmbH gjykata vendosi që FANTEC-u duhet të paguajë një gjobë plus kostot shtesë të avokatëve, dhe duhet të japë informacion të saktë rreth zinxhirit të tyre të shpërndarjes së FANTEC 3DFHDL Media Player.

FANTEC-u përdorte software-in netfilter/iptables (software GNU/Linux për krijim dhe përdorim firewall-esh) në një nga firmware-et FANTEC 3DFHDL të ofruar online. Firmware-i shpërndahej pa kodin e plotë burim përkatës, ashtu siç e kërkon licenca GNU General Public License, version 2 (GPLv2) që mbulon software-in netfilter/iptables. Përpjekjet për ta zgjidhur këtë problem dështuan, dhe pas kësaj Harald Welte, një nga zotëruesit e të drejtave të kopjimit për iptables, vendosi t’i drejtohej gjykatës. Gjykata vendosi që FANTEC-u kish vepruar me moskokëçarje: ata do të duhej të siguronin që shpërndarja e software-it të bëhej sipas kushteve të GPLv2-it. Gjykata e deklaroi në mënyrë eksplicite se është e pamjaftueshme që FANTEC-u të bazohet te siguria e përputhjes së licencave nga ana e të tjerëve. Vetë FANTEC-ut i kërkohet të sigurojë qartas që nuk cenohen të drejta palësh të treta.

"Është gjë e madhe të shohësh që gjykata pranon faktin që vetë tregtuesit janë përgjegjës për të kontrolluar përputhshmërinë me GNU GPL-në të produkteve të tyre. Veçanërisht FANTEC-u, i cili ka patur edhe më parë probleme me përputhshmërinë ndaj GNU GPL-së, duhej ta dinte mirë këtë. Thjesht dembeli," thotë Harald Welte, themelues i gpl-violations.org dhe palë akuzuese në padi.

Shkelja e GNU GPL-së u zbulua gjatë praktikës "Hacking for Compliance" organizuar nga Free Software Foundation Europe në maj 2012 në Berlin. Disa vullnetarë ndihmuan të kontrollohen pajisje të ndryshme lidhur me përputhshmërinë me GNU GPL-në. Më pas përfundimet iu përcollën gpl-violations.org dhe avokatëve të saj, që e ndoqën çështjen.

Edhe pse FANTEC-u e mohoi fillimisht, inxhinierët e FSFE-së dhe gpl-violations.org për përputhshmërinë qenë në gjendje të provojnë se versioni 1.3.7 i software-it iptables qe i pranishëm në pajisje, edhe pse FANTEC-u nuk kish përfshirë burimet për këtë program në kodin burim e ofruar prej tyre. Veç kësaj, ata treguan që software-i qe përpiluar në tjetër datë nga ajo e kodit burim, duke provuar kështu që kodi burim i ofruar nga FANTEC-u qe i vjetruar.

"Tok me vullnetarët tanë do të vazhdojmë të bëjmë të mundur që përdoruesve t’u shkojë liria për të përdorur, studiuar, ndarë me të tjerët dhe përmirësuar software-in e produkteve të tyre. Këto janë parimet bazë të bashkësisë së Software-it të Lirë, dhe çdo kompani që shpërndan software duhet të respektojë licencat përkatëse. Kompanitë padyshim shohin përfitime nga shfrytëzimi i Software-it të Lirë, dhe duhet t’u qëndrojnë këtyre rregullave bazë dhe të thjeshta." thotë Matthias Kirschner, bashkërenduesi gjerman i FSFE-së dhe një nga organizatorët e praktikës mbi përputhshmërinë.

FSFE-ja ofron disa hapa të thjeshtë për t’u ndjekur që ta bëni produktin tuaj të përputhshëm me GNU GPL-në.

Vendimi i gjykatës (në Gjermanisht) gjendet te sajti IFROSS (PDF).

Të tjera lajme të lidhura me padi mbi shkelje të GNU GPL-së: