Për shtypin

Letër e Hapur Komitetit Elektoral Kombëtar të Estonisë mbi Lirinë dhe Votimin në Internet

më:

FSFE-ja i ka dërguar një letër të hapur Komitetit Elektoral Kombëtar të Estonisë (NEC) lidhur me sistemin e votimit në Internet të vendit. Ne i kërkojmë NEC-ut bërjen publike si Software të Lirë të software-it të përdorur në procesin e votimit.

"Synimi ynë është të mbrojmë lirinë dhe privatësinë e shtetasve të Estonisë, dhe të përmirësojmë sigurinë e procesit zgjedhor," shprehet Karsten Gerloff, president i FSFE-së.

Estonia ka përdorur që prej 2005-s votimin në Internet për zgjedhjet e përgjithshme. Për fat të keq, teknologjia e sistemit mbetet pronësore. Veprimtarët vendorë kanë arritur kohët e fundit ta bindin NEC-un të hedhë në qarkullim kodin burim për një pjesë të software-it sipas një licence jo të lirë, por kjo licencë nuk lejon shpërndarjen e veprave të rrjedhura, as përdorimin komercial. Këto kufizime arbitrare mbi software-in e zhvilluar me fonde publike e pengojnë analizimin e sigurisë së tij.

"Përbërës të rëndësishëm të sistemit mbeten ende tërësisht të panjohur për publikun e përgjithshëm. Një nga këta përbërës është aplikacioni i votimit për votuesin që duhet të ngarkohet dhe ekzekutohet në kompjuterin e votuesit," thotë Heiki Ojasild, Anëtar Shok dhe anëtar i asamblesë së përgjithshme të FSFE-së. "Nuk ka garanci se kjo kuti e zezë e përhapur masivisht funksionon sipas asaj çka presin votuesit, apo se do të respektojë privatësinë apo vullnetin e tyre."

Për shkak të mospasjes së kodit burim dhe faktit që aplikacioni i votimit për votuesin nuk është i ndërtuar mbi Standarde të Hapur, votuesi është gjithashtu i detyruar të përdorë një nga sistemet operativë që mbulohen prej Komitetit Elektoral Kombëtar.

FSFE-ja i ka tërhequr vëmendjen NEC-ut mbi këto probleme të mbetura dhe mbi zgjidhjet e mundshme. FSFE-ja i ka ofruar NEC-ut asistencën e vet dhe shpreson t’i ndihmojë për të bërë të mundur që të mos hiqet dorë nga liria, privatësia dhe besueshmëria e zgjedhjeve në emër të përparimit teknologjik.