Buletin

Buletini i FSFE-së - Shkurt 2013

Dështim i njësuar për shoqërinë tonë

Software-in ne e duam si një mjet në ndihmë të shoqërisë. Patentat e software-it përbëjnë një kërcënim ndaj kësaj, ngaqë, duke i dhënë të zotit të patentave fuqi ligjore t’u ndalojë krejtësisht zhvilluesve të software-it përdorimin e ideve të patentuara, u shtojnë zhvillimit dhe shpërndarjes së software-it rreziqe ligjore dhe financiare.

Parlamenti Europian miratoi në Dhjetor një propozim për krijimin e patentave me efekte të njësuara për Europën (që këtej edhe "patenta të njësuara"). Duke miratuar këtë propozim, deputetët e Parlamentit Europian (DEP-ët) zgjodhën të mos marrin parasysh kritikat e ardhura ndaj propozimit nga tërë palët e debatit. Që para votimit, juristë të patentave, ekspertë ligjorë, ndërmarrje të vogla dhe të mesme dhe grupe të shoqërisë civile, të tillë si FFII dhe FSFE, krejt këta u patën shprehur shqetësimet e tyre DEP-ëve. Me miratimin, Parlamenti Europian ka hequr dorë nga një pjesë e pushtetit të vet mbi mbrujtjen e politikave europiane të lidhura me risinë. Ky pushtet i lihet Zyrës Europiane të Patentave (EPO), e cila ka një historik vendimesh që shpërblejnë monopolet, në gamën më të gjerë të mundshme të fushës në fjalë.

Sipas site-it web të Parlamentit Europian, "marrëveshja ndërkombëtare që krijon një gjykatë të njësuar patentash do të hyjë në fuqi më 1 Janar 2014 ose pasi trembëdhjetë shtete nënshkruese të marrëveshjes ta ratifikojnë atë, me kusht që Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania të jenë mes tyre. Me ndihmën tuaj të pandërprerë, FSFE-ja do të vazhdojë të njoftojë kompani dhe politikanë mbi rreziqet e patentave.

Italia nuk do përdorues të Software-it të Lirë si mësues

Nxënësve, ashtu si edhe mësuesve, duhet t’u jepet mundësia të përdorin Software-in e Lirë në shkolla. Mjerisht, mjaft nga pyetjet e lidhura me TI-në në pyetësorët e përdorur në Itali për përzgjedhjen e mësuesve të ardhshëm përqendrohen në një sistem të vetëm operativ pronësor dhe në software që mund të kihet vetëm nën atë sistem. Kjo praktikë diskriminon përdoruesit e Software-it të Lirë që dëshirojnë të bëhen mësues. Për këtë, ekipi ynë italian depozitoi një ankesë ligjore në Ministrinë italiane të Edukimit. Në bashkëpunim me AsSoLi, Wikimedia Italia, Free Software User Group Italia, Associazione per l’Informazione Geografica Libera (GFoss.it), Italian Linux Society, LibreItalia dhe 38 grupe të tjera ne shpjegojmë se Ministria e Edukimit e vendit po e vendos Software-in e Lirë në një disavantazh të padrejtë.

Përveç veprimeve të vazhdueshme në Itali, ekipi i FSFE-së për arsimin, më 2012-n, punoi më shumë se kurrë për të promovuar përdorimin e Software-it të Lirë në shkolla dhe universitete. Guido Arnold-i e ka përmbledhur këtu punën e ekipit dhe planet e tij për 2013-n.

Mos shihni pas me zemërim!

Të paktën puna e FSFE-së gjatë 2012-s nuk lë shteg për diçka të tillë. Lexoni raportin tonë vjetor që të shihni se çfarë arritëm, si e arritëm, dhe çfarë kemi përpara për 2013-n. Falënderojmë krejt Anëtarët Shok tonët, dhuruesit dhe sponsorët që e bënë të mundur punën tonë! Nëse ju pëlqen ajo që lexuat, ju lutemi, dhuroni si një Anëtar Shok i FSFE-së.

Diçka krejt tjetër

Aktivizohuni: E doni Software-in e Lirë? Shpaloseni!

Si edhe vitin e kaluar, për 14 Shkurtin ju kërkojmë t’ua shpalosni dashurinë tuaj personave të përfshirë te Software-i i Lirë, dhe veprën e të cilëve e admironi.

Për shembull, përgatisni një "letër dashurie" ku i rrëfeni zhvilluesve të një programi të dhënë, pse e dashuroni atë çka bëjnë, na dërgoni një thënie ose një foto, përdorni në site-in tuaj web, blogun tuaj (siç bëri redaktori juaj), në faqe profilesh, një nga stemat apo butonat tanë të krijuar nga Markus Meier, dhe nxitini të tjerët të marrin pjesë te dita "E dua Software-in e Lirë". Falë Markusit dhe Erikut kemi dhe afishe dhe fletëpalosje ilovefs për ju. Mund t’i merrni te stendat e FSFE-së ose të porosisni material për promovimin e FSFE-së (që do të përditësohet së shpejti me lëndë të re).

Krejt Anëtarët Shok mes jush kanë gjithashtu edhe e-mail-in përcjellës login@ilovefs.org, përveç atij @fsfe.org.

Falënderojmë krejt Anëtarët Shok dhe dhuruesit që bëjnë të mundur punën tonë,
Matthias Kirschner - FSFE

--
Free Software Foundation Europe
Lajme nga FSFE-ja
Veprimtari të Ardhshme FSFE
Shkrime nga Blogje Anëtarësh Shok
Diskutime mbi Software-in e Lirë