Buletin

Buletini i FSFE-së – Mars 2014

Shkruar nga   më  

Përpjekjet e Britanisë së Madhe për t’u çliruar nga kyçjet e tregtuesve

Qeveria e Britanisë së Madhe po ecën përpara drejt një të ardhme me më pak kyçje nga tregtuesit. Në Janar botuan disa parime mbi kontratat e ardhshme qeveritare në fushën e TI-ve. Ata duan të çajnë mbizotërimin e kompanive të mëdha të software-it, të cilat ofrojnë shumicën e madhe të software-it dhe të shërbimeve për qeverinë e Britanisë së Madhe.

Tani po kërkojnë komente mbi standardet që do të duheshin përdorur gjatë "shkëmbimit të dokumenteve qeveritare ose bashkëpunimit për krijimin e tyre". Mes të tjerash, qeveria propozon të bëhet ODF-ja standardi i vetëm për dokumente zyrash. FSFE-ja ka parashtruar komente lidhur me një propozim të qeverisë së Britanisë së Madhe për të përdorur në të ardhmen vetëm formate dokumentesh të bazuar në Standardet e Hapura. Microsoft-i parashtroi gjithashtu një koment të gjatë, ku i kërkohet qeverisë të përfshijë OOXML-në në listën e vet të standardeve, koment të cilit iu përgjigjëm dhe ne.

Pse nuk mjaftojnë Standardet e Hapura: parimi minimum

Edhe pse një format i përshtatshëm të dhënash mund të jetë vetëm sipas një Standard të Hapur, Bernhard Reiter nga FSFE-ja thotë se vetëm kjo domosdoshmëri nuk mjafton. Artikulli "Parimi minimum: ngaqë të qenët standard i hapur nuk mjafton", shkruar fillimisht në Gjermanisht për Ditën e Lirisë së Dokumenteve të vitit të kaluar, tani është gati edhe në Anglisht. Përmbledhtas, Bernardi mbron tezën se formati i të dhënave lypset ta zgjidhë problemin në mënyrë adekuate: Duhet të jetë i përshtatshëm nga pikëpamja funksionale, por edhe në nivel teknik. Për të gjykuar rreth kësaj, ka një numër gjërash që duhen marrë në shqyrtim: formati duhet të jetë i efektshëm, i mirëmbajtshëm, i përdorshëm, i zgjerueshëm, të mund të mësohet, të jenë i thjeshtë, të ketë jetëgjatësi dhe ndoca të tjera. Dy pyetjet qendrore që dalin, janë: Sa e zgjidh problemin një format specifik të dhënash dhe --edhe më interesante-- a ka një format më të thjeshtë i cili edhe ai ta zgjidhë problemin?

Lexojeni artikullin, diskutojeni te listat tona publike të postimeve, dhe nëse jeni një zhvillues, pyeteni përherë veten nëse diçka mund të bëhet më thjeshtë.

Plot motivim për kontribuesit te Software-i i Lirë

Më 14 Shkurt, njerëz nga e gjithë bota ndoqën këshillat tona për t’i shfaqur mirënjohjen dhe vlerësimin Software-it të Lirë dhe kontribuesve në të, me rastin e ditës " E dua Software-in e Lirë" për 2014-n! Software-it të Lirë iu kushtuan artikuj në blogje, email-e për zhvilluesit, një karikaturë, një foto nga udhëheqja e partisë së të Gjelbërve Gjermanë, një festival #ilovefs, blogje kushtuar Software-it të Lirë në përgjithësi dhe zhvilluesve të tij në veçanti, dhe plot mesazhe mikroblogimesh. Rezonanca i tejkaloi hamendjet tona.

Kontribuesit te projektet e Software-it të Lirë punojnë fort që të sigurojnë lirinë tonë dhe në këtë ditë shumë prej tyre gjetën motivim të ri. Faleminderit gjithkujt që mori pjesë në fushatën #ilovefs të këtij viti dhe, nëse nuk jeni përfshirë ende në të, zbavituni me disa nga deklaratat e shumta të dashurisë që grumbulluam.

Diçka krejt tjetër

Aktivizohuni: Merrni pjesë në Ditën e Lirisë së Dokumenteve!

Këtë radhë patëm kaq shumë lajme mbi Standardet e Hapura. Dëshironi të na ndihmoni t’i promovojmë ato? Nëse po, Dita e Lirisë së Dokumenteve më 26 Mars, është një rast i mirë për këtë. Vitin e shkuar u zhvilluan 59 veprimtari në 30 vende nga e gjithë bota. Këtë vit, Sam Tuke dhe ekipi i fushatës DLD pret rreth 75 veprimtari, por u duhet ndihma juaj.

Ose organizoni një veprimtari të vogël mbi Standardet e Hapura, apo njihini miqtë dhe kolegët tuaj me to, përmes rrugësh të tjera. Tani mund të regjistroni veprimtarinë tuaj ose të porositni pako promocionale me materiale të reja, përfshi afishe dhe fletëpalosje në shumë gjuhë, ngjitëse, si dhe bluzat e reja.

Faleminderit krejt vullnetarëve, Anëtarëve Shok dhe korporatave dhuruese që bëjnë të mundur punën tonë,
Matthias Kirschner - FSFE