Buletin

Buletini i FSFE-së - Dhjetor 2013

Kriptokartat tona dhe flakë kashte

Më 2005-n ne filluam t’u jepnim karta kriptimi individëve që dhuronin për ne dhe që qenë bërë Anëtarë Shok të FSFE-së. Besojmë se është e rëndësishme t’u kujtojmë njerëzve mjetet Software i Lirë për kriptim të komunikimeve të tyre. Përveç kësaj, qëkur u themelua FSFE-ja më 2001-n, ne u kemi shpjeguar njerëzve që ato 40 shifrat te karta jonë e biznesit ishin për kriptim dhe përse ky ishte i dobishëm. 8 vjet më vonë, tema e kriptimeve plasi në media, dhe tani po përmendet në çdo gazetë të Europës. Kjo ka të mirat dhe të këqijat e veta në të njëjtën kohë: Ndeshemi me problemin që vëmendja e medias është shumë e madhe, por kjo nuk do të thotë që kemi më tepër burime për ta trajtuar. Do të donim të merreshim më tepër me këtë çështje, por nga ana tjetër nuk mund të ndalim punën mbi tema të tjera afatgjata.

Rëndësia e punës afatgjatë

Po t’i hidhni një sy rrjedhës sonë të re kohore do të shihni që shpesh na është dashur të merremi me tema të cilat janë të vështira t’i shpjegohen një publiku më të gjerë, punë intensive, dhe nganjëherë jopopullore. Kundër Software-it të lirë punuan kompani, ngaqë e panë si kërcënim për fitimet e tyre, por i ndihmuam të kuptojnë se si të nxjerrin përfitime me Software-in e Lirë. Na u desh të shpenzojmë 8 vjet me Komisionin Europian dhe Gjykatën Europiane për të bërë të mundur që kompanive të Software-it të Lirë t’u lejohej të konkurronin me Microsoft Workgroup Server dhe që prej asaj kohe po e përhapim këtë dije edhe në shkallë kombëtare dhe lokale. Pajtueshmëria e licencave qe temë jopopullore për një kohë të gjatë, por programuesit duhet të sigurohen që software-i ynë mund të programohet dhe të përdoret pa rreziqe ligjore. Kur filluam të merreshim me Standardet e Hapura, qenë temë e specializuar, tani janë temë e publikut të gjerë. Pati kompani që e kundërshtuan pozicionin tonë lidhur me patentat e software-it, tani një shumicë biznesesh dhe politikanësh e kuptuan që ato janë një risk i rrezikshëm për bizneset. Sot ata përdorin argumentet tona dhe na kërkojnë input për t’i hequr qafe.

Çfarë na duhet për t’i bërë ballë sfidës

Ne besojmë në një shoqëri te e cila software-i është në duart e të gjithëve: si individë, kompani dhe organizma, ose qeveri, në vend se të pak njësive të fuqishme. Askujt nuk i duhet lejuar t’ju pengojë të ndryshoni software, ose t’i kërkojë dikujt ta ndryshojë pa miratimin tuaj, te celulari juaj, rrugëzuesi, automjet, ose te të tjera gjëra tuajat. Muajt e fundit nga kanë treguar se për shoqërinë tonë është e rëndësishme të ketë kompjuterë të cilëve t’u besojmë. Kompjuterë të cilët i kontrollojmë ne. Programe që janë transparente lidhur me atë që bëjnë me të dhënat tona dhe që mund të ndryshohen për të plotësuar nevojat tona. E vetmja rrugë për t’ia arritur kësaj është me Software-in e Lirë.

Një sfidë e tillë nuk mbaron brenda pak muajsh, zë një kohë të gjatë. Lyp organizma që vazhdojnë të punojnë edhe kur nuk ka vëmendje të lartë nga mediat e mëdha. Një organizëm që lufton për lirinë tuaj në epokën dixhitale. FSFE-ja është marrë me këto çështje këtu e 12 vjet.

Për ta përballuar këtë sfidë FSFE-ja ka nevojë të punojë vazhdimisht drejt këtij qëllimi, dhe për këtë kemi nevojë për ju, të investoni për lirinë tuaj! Tani është kohë e përshtatshme të intensifikoni punën tonë, ngaqë ka plot njerëz që i dëgjojnë ndryshe të njëjtat mesazhe që kemi patur edhe më parë. Do të donim t’i zgjeronim veprimtaritë tona, ndaj kemi nevojë për dhurimet tuaja. Bëni atë që bënë të tjerët për të cilët liria e software-it ka vlerë: Bëhuni një përkrahës i anëtarësuar, duke u bërë pjesë e Anëtarësisë Shok të FSFE-së!

Diçka krejt ndryshe

Aktivizohuni: Pse Software-i i Lirë ka rëndësi për ju?

Këtë muaj Jacob Appelbaum, zëdhënës për projektin Tor, dhe dy zhvillues të tjerë Tor u bënë anëtarë përkrahës të FSFE-së dhe Jakobi shpjegon psetë e tija:

Besoj se veprimet në përkrahje të FSFE-së janë të rëndësishme për të nxitur zhvillimin dhe adoptimin e Software-it të lirë në Europë, si dhe kudo në botë. Jam Anëtar Shok i FSFE-së sepse përkrahja financiare e kauzës së Software-it të Lirë sjell përmirësime pozitive në krejt shoqëritë kudo në botë.

Fjalë të tilla i ndihmojnë të tjerët të kuptojnë rëndësinë e punës sonë. Te faqja e Anëtarësisë Shok (në Anglisht) disa nga Anëtarët tanë Shok e shpjegojnë tashmë pse puna për Software-in e Lirë dhe FSFE-në është e rëndësishme për ta. Do të donim që edhe juna shkruani pse Software-i i Lirë dhe puna jonë ka rëndësi për ju. Në marrëveshje me ju, do të donim mandej të botonim disa nga shkrimet në sajtin tonë. Veç kësaj, përshtypjet tuaja thjesht ndihmojnë në motivimin e ekipeve të punës në FSFE.

Falënderojmë krejt vullnetarët, Anëtarët Shok dhe korporatat dhuruese që bëjnë të mundur punën tonë,
Matthias Kirschner - FSFE

--
Free Software Foundation Europe
Lajme FSFE
Veprimtari FSFE Së Afërmi
Lidhje Artikujsh Nga Blogu Fellowship
Diskutime mbi Software-in e Lirë