We are intervening in the Apple vs.EC litigation. Become a proud supporter of the FSFE and join us in defending software freedom from monopoly control: https://my.fsfe.org/donate!

News

FSFE-ja bën thirrje për përmirësim të Ligjit Sllovak mbi të Drejtat e Kopjimit

më:

FSFE-ja bën thirrje për një përmirësim që do të lejonte përdorimin nga qytetarët sllovakë të lejeve për Software të Lirë dhe Creative Commons. Hëpërhë, këto leje konsiderohen të pavlefshme për shkak të mungesës së një forme të shkruar të tyre dhe problemeve me formulimin e kontratës. Sllovakia është kështu një nga pak vendet ku këto mjete popullore licencimi ende ndeshen me kuadër ligjvënës të ngurtë.

Prandaj gjatë javës së fundit FSFE-ja u dërgoi letra përkrahjeje katër anëtarëve të Parlamentit Sllovak që propozuan këtë përmirësim shumë të pritur, por që më pas u përballën me lënien në anë për shkak të zgjedhjeve paraprake. Tani ne duam të sigurohemi që kjo çështje e rëndësishme nuk do të lihet jashtë axhendave të partive politike. Nëse jeni të një mendjeje se 5 milionë të tjerë europianë do të duhej ta kishin këtë mundësi, ju lutemi, përkraheni aksionin tonë dhe shkruajuni anëtarëve të parlamentit sllovak (pavarësisht nga vendbanimi juaj). Shpjegojuni atyre përvojën tuaj me Software-in e Lirë ose thjesht ripërdorni letrën tonë. Përkrahja juaj është e rëndësishme!

I/e dashur Z/Znj,

Do të donim të shprehnim vlerësimin tonë të sinqertë për propozimin tuaj ligjor të tanishëm mbi modernizimin e Ligjit Sllovak të të Drejtave të Kopjimit lidhur me lejet Creative Commons, GNU GPL dhe të tjera leje. Pasi e kemi ndjekur nismën tuaj, ndjejmë keqardhje kur mësojmë se tani së fundi ka ngecur në parlamentin sllovak. Shpresojmë që kjo nuk do t’ju shkurajojë prej propozimit të të njëjtit akt ligjor pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në mars 2012.

Ka mjaft arsye që na bëjnë të besojmë se kjo është e rëndësishme për Sllovakinë dhe qytetarët e saj. Së pari, kuadri i tanishëm i ligjshmërisë në Sllovaki është lënë mjaft mbrapa epokës dixhitale. Autorët e veprave nën të drejta kopjimi, përfshi krijues programesh kompjuteri, përgjithësisht vuajnë nga një paqartësi e madhe kur vjen puna te licencimi i veprave të tyre online. Kjo shpie në dobësimin e cilitdo autoritet të mbrojtjes së të drejtave të kopjimit në sytë e publikut të përgjithshëm dhe shpie te zbatimi gati zero i tij. Së dyti, status quo-ja e tanishme kufizon tej mase lirinë e autorëve për të vendosur se si dhe sipas cilave kushte mund të shpërndajnë veprat e tyre. Sot, mijëra sllovakë janë lënë pa mundësinë e përfitimit nga leje të tilla si GNU GPL, GNU LGPL, apo leje të tjera të Software-it të Lirë ose Creative Commons, çka do të bënte të mundur shpërndarjen e veprave të tyre, njohurive dhe ekspertizës, anembanë botës. Dhe kjo ndodh megjithëse sllovakët janë përdorues entuziastë të software-it të licencuar sipas lejesh GNU GPL dhe të veprave të licencuara sipas Creative Commons. Në fakt, besojmë se askush nuk përfiton nga Ligji i të Drejtave të Kopjimit ashtu siç është ai sot.

Prandaj, përkrahim nismën ligjore të ndërmarrë nga ju. Përpjekja juaj ka rëndësi të madhe për krejt sllovakët. Shpresojmë se pas zgjedhjeve do të shohim një tjetër propozim ligjor që trajton këtë problem. Do t’ju ndjekim nga afër. Nëse mund të hyjmë në punë lidhur me lejet e Software-it të Lirë, ju lutemi, na e bëni të ditur.

Përshëndetjet Më të Mira,

Adresa email parlamentarësh sllovakë keni këtu; Kopje të skanuara të letrave tona gjeni këtu;