We are intervening in the Apple vs.EC litigation. Become a proud supporter of the FSFE and join us in defending software freedom from monopoly control!

News

Më shumë se 50 veprimtari mbi Standarde të Hapura anembanë botës

më:

Më 25 mars është Dita e Lirisë së Dokumenteve për këtë vit dhe, në varësi të zonës tuaj kohore, ka filluar tashmë. Dita e Lirisë së Dokumenteve është fushata mbarëbotërore për çlirimin e dokumenteve, zhvilluar nga grupe vendore anembanë botës. Deri sot, kanë regjistruar veprimtaritë e tyre më shumë se 50 grupe nga 25 vende që shtrihen në Azi, Europë, Afrikë, e deri në Amerikën e Jugut dhe atë të Veriut.

Standardet e Hapura janë vendimtare për të bërë të mundur që sisteme të ndryshëm kompjuterikë të mund të punojnë bashkë, dhe që përdoruesit të mund të përdorin dokumente pavarësisht nga platforma apo pajisja që përdorin. Ato janë themelet e Internetit dhe World Wide Web-it, si dhe për krejt llojet e ndërlidhjeve teknike.

Çdo vit, të mërkurën e fundit të marsit dhe ditëve rreth saj, persona të ndryshëm nxjerrin në pah këto aspekte të rëndësishme të sovranitetit tonë dixhital përmes kremtimit të Ditës së Lirisë së Dokumenteve. Më 2015-n, Dita e Lirisë së Dokumenteve po kremtohet anembanë botës duke filluar të martën, më 24, ora 12 (UTC) deri të enjten, në orën 12 (UTC). Duke ndjekur rrugën e Diellit, veprimtaritë e para ndodhin në Japoni, Tajvan dhe Indi, të ndjekura nga më shumë se 20 veprimtari në Europë, 1 në Afrikë, dhe më tepër se 20 në Amerikën e Veriut dhe në atë të Jugut. Marrë së bashku, këto veprimtari e bëjnë DLD-në fushatën më të madhe për promovimin e Standardeve të Hapura në nivel vendor.

Dhe Dita e Lirisë së Dokumenteve po rritet edhe më: Vitet e shkuara, Dita e Lirisë së Dokumenteve arriti të përkufizonte një vështrim mbi kufijtë teknologjikë dhe liritë nga këndëvështrimi shoqëror. Dita e Lirisë së Dokumenteve gjithnjë e më shumë po bëhet një ditë për të rritur vëmendjen politike edhe në shkallë kombëtare apo të përbotshme. Më 2015-n, organizma të ndryshme do ta përdorin Ditën e Lirisë së Dokumenteve për të botuar dhe përhapur deklarata politike. Nëse s’gjendeni pranë një veprimtarie apo s’keni kohë që të shkoni në të, ndiqni etiketën #DFD2015 në lajme, blogje dhe media, merrni pjesë dhe ndihmoni që bota të ndërlidhet përmes lirisë.

Mundeni ende të merrni pjesë: përdoreni këtë ditë që të ftoni shokët tuaj apo kolegët për një pije apo kafe dhe tregojuni atyre rreth ditës ndërkombëtare të Standardeve të Hapura dhe pse ato janë të rëndësishme për ju - dhe për këdo.