"DMA's interoperability is against fundamental rights" claims Apple. The FSFE disagrees. If you also think interoperability is key for software freedom, support us!

FSFE 15 Years badge

Përvjetori i 15-të i FSFE-së!

Që prej themelimit të saj më 2001-n, kemi arritur mjaft gjëra. FSFE-ja ka patur rol të dorës së parë në një çështje penale antitrust kundër një korporate të madhe software-i, e cila synonte sundimin e tregut të kompjuterave personalë; ia kemi dalë t’i mbajmë patentat mbi software-in të padetyrueshme në Europë, duke shmangur kështu një apokalips të vërtetë për kompani tech të vogla dhe të mesme; dhe kemi punuar tok me gpl-violations.org që gjykatat gjermane të respektojnë licencat e lira, duke dhënë të parin shembull për krejt BE-në. Më shumë rreth punës që kemi bërë mund të mësoni duke vizituar FSFE-ja në rrjedhë kohore.


Ndaj na vjen të festojmë. Për ta bërë këtë kemi organizuar një fushatë ndërgjegjësimi "Njihuni Me Heroin Tuaj Lokal të Software-it të Lirë". Ideja është të vihen anëtarë të bashkësisë në kontakt me shtypin në zonën ku banoni. Heronjtë lokalë mund t’ju shpjegojnë gazetarëve se si ndikon bashkësia e Software-it të Lirë mbi njerëzit rreth jush, përfitimet që sjell në arsim, në sistemin shëndetësor, në ekonominë vendore dhe në jetën e shtetasve në përgjithësi. Nëse jeni gazetar, apo keni një blog, vlog, ose podkast, ose jeni një shtetas individual që mund të na ndihmojë të lidhemi me një kanal media, të madh ose të vogël, lidhuni me ne dhe do t’ju tregojmë se cilët janë heronjtë tuaj lokalë dhe se si të takoheni me ta.

Tema e përvjetorit të 15 do të jetë gjerësisht e pranishme në kuvendin tonë të 2016-s. Kuvendin tonë për këtë vit po e mbajmë nga 2 - 4 shtator në Berlin, dhe do të donim që të vinit. Kemi një varg folësish të klasit të parë dhe do të mbulojmë krejt temat aktuale që lidhen me Software-in e Lirë në Europë dhe në botë. Ndaj ruani një vend për veten duke u regjistruar te faqja jonë e regjistrimit.

Por ndoshta gjëja më e rëndësishme që mund të bëni për ta bërë këtë vit të rëndësishëm për ne është të bëheni një Anëtar Shok. Nëse dëshironi që të na përkrahni drejtpërdrejt dhe të bëheni pjesë e FSFE-së, ju lutemi, regjistrohuni si një anëtar dhurues që tani. Nuk ka kuotizacion fiks, këtë mund ta rregulloni sipas mundësive, dhe sado që të zgjidhni, do të na ndihmoni ta mbajmë software-in të lirë.

Kështu pra, bëhuni një anëtar dhurues, përhapni fjalën, dhe ejani në veprimtarinë tonë! Cilado qoftë zgjedhja juaj, do të na ndihmojë të fuqizojmë kontrollin e përdoruesve mbi teknologjinë.