We are intervening in the Apple vs.EC litigation. Become a proud supporter of the FSFE and join us in defending software freedom from monopoly control!

Praktika për Çlirimin e Android-it Tuaj

Liberated Android Robot

Çlirimi i një telefoni lyp një numër hapash që mund të jenë të vështirë për njerëz që nuk kanë njohuri teknike. Megjithatë, edhe këta do të donin të kishin kontroll të plotë mbi pajisjen e tyre dhe mbi të dhënat e veta përmes përdorimit të Software-it të Lirë. Për t’i ndihmuar, FSFE-ja organizon praktika në ndihmë të njerëzve që të çlirojnë pajisjet e tyre. Këto praktika janë të hapura për pjesëmarrjen e gjithkujt. Mirëpresim organizimin e praktikave të ngjashme krejt të tuajat! Në këtë faqe do të gjeni krejt informacionin mbi praktikat e organizuara nga FSFE-ja, si të organizoni praktikën tuaj ose si t’i kërkoni FSFE-së të organizojë një praktikë në qytetin tuaj.

Kjo fushatë mund t’ju ndihmojë që të rifitoni kontrollin mbi pajisjen tuaj Android dhe mbi të dhënat tuaja. Përfshin të dhëna mbi xhirimin e një sistemi Android sa më të lirë që mundet dhe përpiqet të bashkërendojë forcat në këtë fushë.

Doni një pajisje celulare që është vërtet e juaja si kur e bletë? Doni një pajisje celulare që nuk ju spiunon dhe ua përcjell të dhënat tuaja korporatave të stërmëdhaja? Po qe kështu, vazhdoni të lexoni më poshtë!

Çlironi Pajisjen Tuaj

Mësoni si të çlironi pajisjen tuaj dhe si të rifitoni kontrollin e të dhënave tuaja përmes kalimit te një sistem operativ Android i lirë me aplikacione të lira (si te liria). Kemi mbledhur krejt informacionin e nevojshëm.

Ndihmoni që Çlirimi të Jetë i Pamundimshëm

Çlirimi i pajisjeve do të duhej të ishte i pamundimshëm, që lirinë ta gëzojë kushdo. Ka shumë rrugë për të ndihmuar që të arrihet ky qëllim, edhe pse nuk dini se si programohet.

Pse Pajisja Juaj Celulare Duhet të Jetë e Lirë

Pajisjet celulare janë kompjutera të veckël që i mbajmë gjithmonë me vete. Ata dinë vendndodhjen tonë të atëçastshme dhe kanë brenda fotot tona private. I përdorim që të komunikojmë me miqtë tanë, familjet tona dhe ndoshta me dashuritë tona të fshehta. Ata na ofrojnë hyrje në Internet dhe kanë të trupëzuar kamera dhe mikrofonë. Duke qenë mjete kaq të fuqishëm, ata mund t’i sjellin privatësisë sonë rreziqe të mëdhaja, por në të njëjtën kohë me ta mund të bëjmë gjëra shumë të vlefshme: varet se kush i kontrollon ato.

Liri dhe Kontroll

Shumica e pajisjeve celulare nuk kontrollohen nga përdoruesit e tyre, por nga prodhuesi dhe operatori i shërbimit. Software-i që xhiron në to nuk është Software i Lirë. Edhe telefonat Android shiten me shtesa software jo të lirë dhe pronësore që zakonisht nuk veprojnë në interes të përdoruesit. Përditësime të software-it do të ketë për sa kohë prodhuesi ka ende interes komercial për pajisjen tuaj. Aplikacionet (aplikacionet) që mund të kihen nga tregtorja zyrtare janë në shumicën e rasteve jo të lira. Askujt nuk i lejohet të studiojë se si funksionojnë dhe se çfarë bëjnë vërtet brenda telefonit tuaj. Ka raste që thjesht nuk funksionojnë si doni ju, por ka raste kur përmbajnë veçori dashakeqe.

Xhirimi me vetëm Software të Lirë ju vë juve në kontroll të plotë. Edhe pse mund të mos keni aftësitë për të ushtruar drejtpërdrejt lirinë tuaj, do të përfitoni prej një bashkësie plot gjallëri tok me të cilën mund t’ia arrini kësaj.

Privatësi

Pajisjet tonë celulare përmbajnë më tepër të dhëna personale se sa ditarët më të fshehtë. Por sistemet pronësore, madje shumica e telefonave Android, janë hartuar që këto të dhëna t’ua kalojnë kompanive të tilla si Google apo Apple. Shumica e përdoruesve nuk kanë kontroll të plotë mbi të dhënat personale te pajisja e tyre. Zgjidhjet e volitshme për njëkohësim api kopjeruajtje të të dhënave joshin gjithnjë e më shumë persona drejt ruajtjes së të dhënave të tyre në shërbyes të centralizuar, të xhiruar nga korporata që ekzistojnë për fitime. Zakonisht këta gjenden në ShBA dhe janë të detyruar t’ia kalojnë të dhënat tuaja qeverisë së ShBA-ve pas një kërkse të thjeshtë. Cilido që ka të dhëna personale tonat është në gjendje të na manipulojë. Ndaj pajisjet jo të lira janë një kërcënim për demokracinë dhe shoqërinë tonë.

Privatësia është një nga arsyet më të rëndësishme pse të përkrahet Software-i Lirë. Shtesat pronësore të tillë si Carrier IQ i spiunojnë përdoruesit e telefonave të mençur pa dijeni e tyre. Shumë aplikacione në treg përmbajnë veçori dashakeqe. Ato lexojnë të dhënat tuaja private, të tilla si libri juaj e adresave dhe dosjen “phone home”, ose përdorin Google Analytics që të dërgojnë të dhëna te Google. Këto janë thjesht shembujt që janë zbuluar deri më sot. Mungesa e lirisë pengon shqyrtimin e pavarur dhe veçoritë spiunuese merren vesh vetëm aksidentalisht.

Shumica e telefonave të mençur e kanë të domosdoshme që ju të lidheni dhe të identifikoni veten te një shërbyes i centralizuar përpara se të mund t’i përdoni normalisht. Përdoruesve u mbetet t’i besojnë shërbyesit pa ditur se çfarë të dhënash depozitohen në të dhe se si përpunohen apo lidhen me të dhëna të tjera. Një telefon që xhiron vetëm Software të Lirë nuk ju kërkon të jepni të dhëna te kompani që nuk u besohet dot ose që ju detyrojnë të bëni kështu – më e pakta që mund të thuhet është se kjo ka shumë pak gjasa të ndodhë, ngaqë veprimet e software-it do të ishin të dukshme dhe bashkësia do të ishte në gjendje të hartonte një version alternativ. Volia e shërbimeve "që shtojnë vlera", të cilët shpesh jepen me paketa të tilla, mund të sigurohet po ashtu përmes Software-it të Lirë. Kjo ju mban juve në kontroll të të dhënave tuaja, ditari juaj mbetet nën zotërimin tuaj. Edhe mishi të piqet, edhe helli mos digjet.

Nisma të Tjera të Afërta

Edhe pse kjo nismë ka të bëjë me Android-in, ka nisma të tjera që mundësojnë të përdoren kompjuter të vegjël celularë me (në pjesën dërrmuese) Software të Lirë. Për shkak të gjendjes së përudhësave për hardware celularësh, asnjë prej këtyre nismave nuk mund të xhirojë këto makina në liri të plotë. Që të funksionojnë, shumica e pajisjeve lyp përudhësa dhe firmware-e jo të lirë.

Në krahun e hardware-eve ekziston telefoni GTA04. Është vazhdimi i Openmoko GTA02-shit dhe është hartuar të mos kërkojë përudhësa pronësorë. Xhiron GNU/Linux, por lyp firmware jo të lirë që të mund të përdorë WiFi-n. Shumë afër qëllimit, por prapë ende larg.

Nismat Maemo/MeeGo krijuan sisteme për telefona celularë, bazuar në GNU/Linux, me mjaft përbërës jo të lirë. Tani kanë kaluar te Mer dhe Tizen. Mer është një përjekje bashkësie për të vazhduar punën e bërë me MeeGo-n, por duke përdorur Qt, ndërsa Tizen është nismë e një korporate dhe përdor vetëm disa pjesë të MeeGo-s plus Enlightenment dhe HTML5.

Mozilla po punon për sistemin operativ Firefox OS ideja e të cilit është të ofrojë vetëm një shfletues që xhiron aplikacione web. Këtu shfaqen problemet e zakonshem të Software-it si Shërbim, përmbi, ka të ngjarë, përudhësa jo të lirë. Për WebOS-in qe njoftuar gjithashtu se do të hidhej në qarkullim si Software i Lirë. Mbetet të shihet nëse do të jenë të lira krejt pjesët e tij dhe nëse do të ketë pajisje të reja që do të shiten me WebOS.

Kontakte

Nëse keni pyetje rreth kësaj fushate, ju ftojmë të na dërgoni te listat tona të postimeve. Cilido që interesohet për fushatën është i pajtuar këtu, ndaj mesazhi juaj do të mbërrijë te cilido i aktivizuar.

Për të dhëna të përgjithshme mbi punën e FSFE-së që nuk lidhet me fushatën "Çlironi Android-in Tuaj", ju lutemi, përdorni faqen e kontakteve në përgjithësi.

Organizma Që Marrin Pjesë

FoeBuD e.V. Free Software Foundation Associação Nacional para o Software Livre