We are intervening in the Apple vs.EC litigation. Become a proud supporter of the FSFE and join us in defending software freedom from monopoly control!

News

Parlamenti gjerman thotë: Ndal Akordimit të Patentave mbi Software-in

më:

Parlamenti gjerman ka paraqitur një mocion të përbashkët kundër patentave mbi software-in. Rezoluta i kërkon qeverisë gjermane të ndërmarrë hapa për kufizimin e akordimit të patentave mbi programe kompjuteri.

Në rezolutën e parlamentit thuhet se patentat mbi software-in ua kufizojnë zhvilluesve ushtrimin e privilegjeve të rrjedhura nga të drejtat e kopjimit, përfshi këtu të drejtën për të shpërndarë programet e tyre si Software i Lirë. Ato nxisin krijimin e monopoleve në tregun e software-it, dhe dëmtojnë risitë dhe krijimin e vendeve të punës. [Saktësim, 24-04-2013: Parlamenti nuk e ka adoptuar ende mocionin, por vendosi t’ia kalojë komiteteve të parlamentit për shqyrtim të mëtejshëm.]

"Patentat mbi software-in janë të dëmshme në çfarëdo pikëpamje, dhe janë të padobishme për nxitjen e risive", thotë Karsten Gerloff, president i Free Software Foundation Europe. "I kërkojmë qeverisë gjermane të veprojë mbi këtë rezolutë sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe t’u heqë zhvilluesve të software-it barrën e panevojshme të kostove dhe rreziqet që rrjedhin nga patentat, nën të cilën ata vuajnë tani."

Patentat mbi software-in janë të paligjshme sipas Konventës Europiane të Patentave. E megjithatë, Zyra Europiane e Patentave ka akorduar mijëra patenta që mbulojnë software-in. Si pasojë, zhvilluesit e software-it rrezikojnë në mënyrë konstante të akuzohen për shkelje patentash. Kjo shkakton pasiguri ligjore që është e kushtueshme për kompanitë e mëdha, dhe potencialisht vdekjeprurëse për të voglat.

Rezoluta e parlamentit i kujton qeverisë se, sipas Direktivave të BE-së për Programet e Kompjuterit, software-i mbulohet nga të drejtat e kopjimit, jo nga patentat. Ajo i bën thirrje qeverisë që ta vërë më në fund në jetë "këndvështrimin përmes të drejtave të kopjimit", dhe ta bëjë ligjin gjerman më konkret në këtë drejtim. Ajo vë gjithashtu në dukje se kufizimet që vendosin patentat janë të papërputhshme me licencat Software i Lirë të përdorura më shumë.

Lidhur me çfarëdo nisme të ardhshme për reformimin e rregullave europiane mbi të drejtat e kopjimit dhe patentat, parlamenti i kërkon qeverisë gjermane të sigurohet që të drejtat e zhvilluesve për shfrytëzimin ekonomik të programeve të veta të mos jenë të kufizuara nga patentat. Qeveria do të duhej gjithashtu të punonte për të siguruar që software-i të mbulohet vetëm nga të drejta kopjimi, dhe që zyrat e patentave (përfshi Zyrën Europiane të Patentave) të ndalonte akordimin e patentave mbi software-in.

Për më tepër të dhëna