We are intervening in the Apple vs.EC litigation. Become a proud supporter of the FSFE and join us in defending software freedom from monopoly control!

News

Italia privilegjon Software-in e Lirë në sektorin publik

më:

Qeveria italiane e ka bërë Software-in e Lirë mundësinë parazgjedhje për organizma të administratës publike. Në një qarkore, të botuar të mërkurën e kaluar, Agenzia per l'Italia Digitale ka fiksuar rregulla në bazë të të cilave krejt organizmat qeveritare të vendit, përpara se të blejnë licenca programesh pronësore, duhet të marrin në shqyrtim përdorimin e Software-it të Lirë.

Qarkorja, me titullin "Udhëzime për vlerësim krahasues [të software-it]", skicon një procedurë të hollësishme të cilën njësitë publike duhet ta adoptojnë për të vendosur se cilin software të përdorin. Në të vendoset që njësitë duhet të verifikojnë nëse ka programe të përshtatshëm nga Software-i i Lirë, ose të zgjedhin software të hartuar për sektorin publik. Vetëm në rastin kur nuk ka programe të kësaj kategorie, munden të shohin mundësinë e blerjes së software-it jo të lirë.

"Nuk ka justifikime. Krejt administratat publike duhet të zgjedhin Software të Lirë, ose përndryshe të vendosin për ripërdorimin e software-it sa herë që kjo të jetë e mundur", deklaron Carlo Piana, këshilltar i përgjithshëm i FSFE-së, i cili ka marrë pjesë në punimet e komisionit që ofroi konsulencë për udhëzimet. "Tani Software-i i Lirë dhe ripërdorimi janë norma, software-i pronësor përjashtimi. Deri më sot, ky është hapi pozitiv më i përparuar në Europë. Jam me gjithë mend krenar që Italia luan rolin e pararojës, të paktën një herë".

"Ky është një shembull i fuqishëm i një mase të thjeshtë që mund ta marrin qeveritë e çdo vendi për të marrë në dorë kontrollin e infrastrukturave të tyre TI", pohon Karsten Gerloff, president i FSFE-së. "Software-i i Lirë u lejon agjencive qeveritare të rifitojnë sovranitetin e tyre teknologjik, dhe i ndihmon ta vështirësojnë edhe më tepër hyrjen në të dhënat e shtetasve dhe informacionet e rezervuara nga spiunët e huaj. I nxisim vendet e tjera në Europë dhe anembanë botës ta shohin nga afër dhe të mësojnë nga Italia".

Qarkorja është hartuar nga Agenzia per l'Italia Digitale, e cila për herë të parë përdor një procedurë konsultimi ku janë përfshirë përfaqësues të sektorit publik, të bashkësive të Software-it të Lirë, dhe prodhues software-i pronësor.

Me rëndësi themelore në rregullat e reja është fakti që ato vijnë të shoqëruara nga një mekanizëm që siguron përmbushjen e tyre. Qoftë njësitë publike, qoftë shtetasit e interesuar mund t’i kërkojnë Agjencisë për Italinë Dixhitale të verifikojë nëse një organizëm i dhënë po ndjek si duhet procedurën. Gjykatat administrative mund të anulojnë vendime që i cenojnë këto rregulla. Në rast pakujdesish, funksionarë publikë individualë mund të konsiderohen subjekte personale procedimi ligjor.