We are intervening in the Apple vs.EC litigation. Become a proud supporter of the FSFE and join us in defending software freedom from monopoly control!

News

Udha e gjatë nga rrugëzuesit e detyrueshëm te liria e zgjedhjes

më:

Rrugëzuesi. Pavarësisht se shpesh e mbulon pluhuri në qoshe, është një nga pajisjet më të rëndësishme që duhen për të përdorur Internetin apo telefonat. Por: Shumica e përdoruesve në Gjermani nuk e kanë në zotërim këtë pajisje, edhe pse gjendet brena shtëpive të tyre dhe paguajnë për të.

Të paktën deri sot. Sepse tani së fundi Kabineti i Gjermanisë, trupi ekzekutiv kryesor në Republikën Federale të Gjermanisë, miratoi një projektligj për heqjen e rrugëzuesve të detyruar. Pra çdo përdorues mund të përdorë një pajisje tjetër nga ajo që furnizon mundësuesi i shërbimit dhe mund ta modifikojë lirisht atë.

Ç’janë rrugëzuesit e detyruar?

Për ata që donin të vinin në prizë rrugëzuesin e tyre, për një kohë të gjatë, punët s’dukeshin mirë. Shpesh mundësuesit e shërbimit nuk publikojnë kredenciale hyrjeje të përdoruesit. Ata mund t’ju mohojnë çfarëdo asistence ose t’ju bllokojnë plotësisht hyrjen. Kjo mund të duket si lloji i problemeve që ju pëlqejnë, por ama ka pasoja të pamata për privatësinë, sigurinë dhe konkurrencën. Në shumicën e rasteve rrugëzuesi trajton krejt lidhjet telefonike dhe internetore. Mjaft pajisje janë dëng me të çara sigurie. Përmes disa protokolleve mundësuesi është në gjendje ta kontrollojë rrugëzuesin së largëti. Mandej mund të ndryshojnë cilësinë e ndërlidhjes për disa shërbime të caktuara. Pajisjet alternative, që përdorin, për shembull, Software të Lirë e kanë parim privatësinë dhe sigurinë. Por këto pajisje, në rastin më të mirë, kanë shanse shumë të pakta në një treg kaq të mbyllur, ngaqë mjaft përdoruesve u duhet të bëjnë përpjekje shtesë, sa kohë që mundësuesit hedhin tjetër valle. Ky është diskriminim i papërligjur, kundër përdoruesve të Software-it të Lirë, si dhe prodhuesve të këtilla pajisjeve të Lira. Duhet të kemi kontroll të plotë mbi pajisjet që përdorim.

Pika kyçe e debatit mbi detyrimin e rrugëzuesve është përkufizimi i pikës fundore të rrjetit. Ky përkufizon se ku përfundon rrjeti publik, ai i një mundësuesi, dhe ku fillon ai i konsumatorit. Kjo ndarje duhet në fakt të jetë kutia në mur, por mjaft mundësues furnizojnë edhe pajisjen fundore. Nga ky këndvështrim, është e ligjshme t’i mohosh konsumatorit të dhëna hyrjeje për zëvendësimin e kësaj pajisjeje. Në rastin e shumicës së mundësuesve, së pari modemi duhet të regjistrohet nga një teknik në një qendër të dhënash. Arsyet teknike në të cilat pretendohet se mbështetet kjo domosdoshmëri janë në fakt vetëm një pretendim dhe teknikisht të pavlefshme. Në ShBA, tregu është deri diku i liberalizuar, dhe avaritë masive të paralajmëruara të rrjetit s’duken gjëkundi.

Ç’ndodhi më parë

Që nga fillimi i 2013-s, debati publik mbi rrugëzuesit e detyruar është shtuar, me kontributin e FSFE-së. Agjencia Federale Gjermane e Rrjeteve ka mbetur e vagullt (në gjermanisht) lidhur me çështjen nëse duhet apo jo të ligjërohet ligjshmërisht, detyrimi i rrugëzuesve, edhe pas shumë seancash dëgjimore dhe praktikash, ku jo vetëm FSFE-ja, por edhe shumica e qindra deklaratave shpreheshin kundër tij. Më në fund, Ministria Federale e Ekonomisë (BMWi) ndërhyri në fund të 2014-s. Ministria propozoi një projektligj të kënaqshëm dhe kapërceu krejt pengesat në procesin ligjvënës, përmes ratifikimit nga Komisioni i BE-së dhe Kabineti Federal. Ligji tani është në pritje të miratimit nga parlamenti federal dhe Këshilli Federal.

Do të kishim dashur kodifikim të mëtejshëm ligjor të të drejtave të përdoruesve për pajisjet e komunikimit, por gjendja e tanishme garanton një shkallë bazë lirie të përdoruesit, të paktën në afat të mesëm. Që të arrihej deri edhe në kaq, u desh një sasi e konsiderueshme pune. Si FSFE, ne krijuar një ekip të vogël ekspertësh të brendshëm dhe të jashtëm, që ka krijuar dokumente të hollësishme që përcaktojnë pozicionin tonë, për mjaft nga seancat dëgjimore në Agjencinë Federale të Rrjeteve, të cilat lirinë e përdoruesve e trajtojnë në frymën e Software-it të Lirë dhe standardeve të hapura, si edhe në aspektin ekonomik. Edhe pas shpërnguljes së temës në Ministrinë e Ekonomisë, ne e mbikëqyrëm procesin nga afër, në marrëveshje me organizma të tjerë dhe tërhoqëm vëmendjen në mangësitë dhe në zhvillimet pozitive.

Me një ndryshim të FTEG-ut (në gjermanisht) (Ligji mbi Pajisjet dhe Pajisjet Terminale të Telekomunikacioneve) dhe TKG-së (në gjermanisht) (Ligji i Telekomunikacioneve), mangësitë e mëparshme duhet të ndreqen. Pika fundore pasive e rrjetit duhet të përkufizohet qartë, operatori duhet të jetë i detyruar të furnizojë, pa iu kërkuar, the "të dhënat e nevojshme për hyrje dhe të dhëna për lidhjen e pajisjeve terminale të telekomunikacionit dhe përdorimin e shërbimeve të telekomunikacionit," dhe duhet caktuar një gjobë prej 10 mijë eurosh në rast se shkelen këto kërkesa për të dhëna.

S’ka mbaruar ende

Hëpërhë, ligji gjendet në Këshillin Federal për opinione dhe më pas do të mbërrijë përpara parlamentit federal për tre shqyrtime. Nëse ligji pranohet, për shfuqizimin e rrugëzuesve të detyruar gjashtë muaj pas njoftimit është i nevojshëm miratimi nga Këshilli Federal. Që kjo të dalë me sukses, duhet ta vëzhgojmë këtë proces dhe të sigurohemi se propozimi nuk hollohet rrugës. Këtu mund të na ndihmoni: lidhuni me përfaqësuesin tuaj sot që t’i kërkoni ta kalojnë këtë ligj pa kufizime të mëtejshme, që të mund të garantohet ky minimum absolut i lirisë së pajisjeve fundore, mbrojtjes së përdoruesit, dhe sigurisë.

Koha pas kësaj do të jetë prapë me interes. A do ta pengojnë mundësuesit e internetit mbulimin e përdorimit të pajisjeve të përdoruesve? A mund të përdoren pa probleme me rrugëzues alternativë krejt pajisjet? A do të ketë prapëseprapë ndonjë lloj diskriminimi, pavarësisht nga ligji? Mund të kënaqemi nga suksese të mëparshme, por kjo temë, për miqtë e pajisjeve alternative, është shumë e debatueshme për ta lënë të na zërë gjumi nën një ndjesi të rreme sigurie. Për të ardhmen e Internetit të Gjërave, kur frigoriferët dhe termostatet do të mund të përdoren përmes internetit, liria për rrugëzues dhe pajisje fundore në përgjithësi luan një rol më qendror. Ne besojmë se kësaj teme s’ia kemi nxjerrë ende fundit, dhe se duhet të vendosim dhe mbrojmë lirinë e pajisjeve në vende të tjera europiane.