Rrugëzues të Detyrueshëm: ku duhet të bëjnë kujdes klientët tani
Deri sot, mundësuesit e shërbimit Internet (ISP-të) në Gjermani përcaktonin cilin rrugëzues duhet të përdornin përdoruesit për t’u lidhur në Internet. Fjala e përdoruesit nuk kish vend në këtë vendim. Kjo ndryshon nga 1 gushti. Një ligj i ri do t’u lejojë përdoruesve të zgjedhin pajisjen që instalohet në shtëpitë e tyre. FSFE-ja do që të sigurohet se gjithkush i di të drejtat e veta dhe u kërkon përdoruesve të bëjnë të ditura raste kur ISP provojnë t’u bëjnë bisht rregullave të reja.
"Rrugëzues të Detyrueshëm" është ajo si i quajmë ne pajisjet që u jepen me detyrim përdoruesve, duke u ndaluar përdorimin e çfarëdo aparati tjetër për hyrje në dhe përdorim të Internetit. Rrugëzuesit e detyruar shpesh janë subjekt të metash të rënda sigurie, të cilat përdoruesit, ligjërisht ose teknikisht nuk janë në gjendje t’i zgjidhin dot vetë. Për ta dihet edhe se janë të papërputhshëm me disa pajisje dhe standarde rrjetesh, fjala vjen IPv6, ose se mbulojnë vetëm një numër të vogël veçorish të rëndësishme.
Prapëseprapë, gjendja ligjore qe e paqartë dhe ISP-të përcaktonin rrugëzuesin ose modemin e parë që lidhej në prizën e shtëpisë si pjesë e rrjetit të tyre. Kështu ata mund t’i linin përdoruesit jashtë kontrollit të teknologjisë së instaluar brenda shtëpisë së secilit, pavarësisht faktit që përdoruesit madje paguajnë për energjinë elektrike që mban në punë pajisjet.
Betejën për t’i nxjerrë të paligjshëm rrugëzuesit e detyruar Free Software Foundation Europe e filloi më 2013-n, dhe përfundimisht kemi arritur një fitore të madhe kyçe: nga 1 gushti e tutje, klientëve të mundësuesve gjermanë të internetit u lejohet me ligj të përdorin çfarëdo pajisje fundore që duan. Pavarësisht se është lidhje DSL ose me kabëll, ISP-së i duhet të japë të dhënat që ju nevojiten për t’u lidhur me një rrugëzues alternativ, për përdorimin e rrjetit të internetit dhe telefonisë.
Na ndihmoni të ndjekim sendërtimin
Ligji është shumë i qartë, kur vjen puna te të drejtat tuaja të reja, por, nga sa është parë te sjellja e ISP-ve në të kaluarën, FSFE-ja duhet të presë që mjaft mundësues do t’i shpërfillin rregullat e reja dhe do të vazhdojnë të përpiqen t’i detyrojnë klientët e tyre të përdorin rrugëzuesin e zgjedhur prej tjetërkujt.
ISP-të ndoshta do të pretendojnë se ligji zbatohet vetëm për klientë të rinj, ose që një lidhje Internet përmes pajisjesh alternative do të jetë e paqëndrueshme, ose të mos pranojnë t’u japin asistencë klientëve me pajisje tjetër nga ato që japin ata vetë.
Duam të sigurojmë që këto shkelje të bëhen publike dhe për këtë na duhet ndihma juaj. Nëse jeni klient i një mundësuesi gjerman shërbimi internet, ju ftojmë të ushtroni të drejtën tuaj të re dhe të filloni të përdorni një pajisje alternative, dhe idealja do të ishte një që xhiron Software të Lirë.
Pasi pajisja juaj e re të jetë në punë, kemi nevojë të na jepni përshtypjet, nëse patët apo jo probleme gjatë punës me rrugëzuesin tuaj të ri. Do t’i grumbullojmë këto të dhëna dhe do të merremi me mundësuesit që nuk janë në pajtim me ligjin e ri. Kemi krijuar edhe një faqe wiki ku plotësojmë të dhëna, procedura testimi, përfundime, dhe përvojë nga përdoruesit.
Informacion i mëtejshëm
Për më tepër të dhëna mbi Rrugëzuesit e Detyrueshëm dhe pse janë të dëmshëm, ju lutemi, vizitoni faqen e fushatës tonë. Shihni edhe historikun e veprimtarive më të rëndësishme që lidhen me këtë fushatë. Që të jepni ndihmesë në këtë dhe të tjera fushata të FSFE-së që mbrojnë lirinë tuaj, mund të na përkrahni me një dhurim ose duke u bërë një anëtar shok.
Kuvendi i FSFE-së 2016
Nëse ju intereson të dini më tepër rreth se si Software-i i Lirë ndihmon të mbrohen të tjera të drejta të rëndësishme, ne do të mbajmë kuvendin e këtij viti të FSFE-së në fillim të shtatorit në Berlin. Ejani dhe zbuloni se si mund të ndihmoni edhe ju që kontrolli mbi teknologjinë t’u kthehet njerëzve.