Contribute and be proud of defending Software Freedom from monopolist control! We are intervening in the Apple vs. EC case: Find out more.

Kujdes: Kjo faqe mund të jetë e vjetruar kundrejt tekstin origjinal. Ju lutemi, përdorni këtë faqe që të shihni se si mund të ndihmoni te përkthimet dhe anë të tjera.

Çlironi Android-in Tuaj!

Robot Android i Çliruar

Android-i është një sistem operativ në masë dërrmuese i lirë, kryesisht i zhvilluar nga Google. Për fat të keq, përudhësit për shumicën e pajisjeve dhe shumica e aplikacioneve të "tregut" nuk janë të lira (si te fjala e lirë, jo si te birrë e lirë). Ata shpesh funksionojnë kundër interesit të përdoruesve, i spiunojnë ata dhe në disa raste nuk mundet as edhe të hiqen prej andej.

Kjo fushatë mund t’ju ndihmojë të rifitoni kontrollin mbi pajisjen tuaj Android dhe mbi të dhënat tuaja. Përmes saj grumbullohen të dhëna mbi xhirimin e një sistemi Android sa më të lirë që mundet dhe përpiqemi të bashkërendojmë përpjekjet në këtë fushë.

Doni një pajisje celulare që është realisht e juaja kur e blini? Doni një pajisje celulare që nuk ju spiunon dhe që nuk ua jep të dhënat tuaja korporatave gjigante? Atëherë vazhdoni leximin!

Çlironi Pajisjen Tuaj

Mësoni si të çlironi pajisjen tuaj dhe të rifitoni kontrollin e të dhënave tuaja duke kaluar te një sistem operativ Android të lirë me aplikacione të lira (si te liria). Kemi grumbulluar krejt informacionin e nevojshëm.

Ndihmoni Të Bëhet Çlirimi Pa Përpjekje

Çlirimi i pajisjeve do të duhej të ishte pa përpjekje, që kështu cilido të mund të shijojë lirinë. Ka shumë mënyra për të ndihmuar të arrihet ky qëllim, edhe kur nuk dini si të programoni.

Pse Lypset Që Pajisja Juaj Celulare Të Jetë e Lirë

Pajisjet celulare janë kompjuter të vegjël që i kemi me vete gjithë kohën. Ato kanë dijeni mbi vendndodhjen tonë dhe përmbajnë foto vetjake. I përdorim për të komunikuar me miqtë tanë, familjen tonë dhe ndoshta me dashurinë tonë të fshehtë. Na lejojnë po ashtu të shfrytëzojmë internetin dhe kanë të trupëzuar kamera dhe mikrofon. Duke qenë mjete kaq të fuqishme, mund të sjellin rreziqe të mëdha për privatësinë, por në të njëjtën kohë mundemi të bëjmë gjëra të mëdha me to: varet se kush i kontrollon.

Liria dhe Kontrolli

Shumica e pajisjeve celulare nuk kontrollohen nga përdoruesit, por nga prodhuesi dhe operatori. Software-i që xhiron në to nuk është Software i Lirë. Madje edhe telefonat Android shiten me shtesa software-i jo të lirë dhe pronësor që nuk punojnë në interes të plotë të përdoruesit. Përditësimet e software-it janë të mundshme vetëm për sa kohë prodhuesi ende ka interes komercial për pajisjen tuaj. Aplikacionet që mund të kihen nga tregu zyrtar në shumicën e tyre janë jo të lirë. Askujt nuk i lejohet të studiojë se si funksionojnë dhe se çfarë bëjnë pikërisht në telefonin tuaj. Ndonjëherë thjesht nuk punojnë saktësisht si prisnit, por ndonjëherë përmbajnë edhe mekanizma dashakeqë.

Xhirimi vetëm i Software-it të Lirë në pajisjen tuaj jua kalon juve kontrollin. Edhe pse ndoshta nuk i keni krejt aftësitë për ushtrim të drejtpërdrejtë të krejt lirisë suaj, do të përfitoni prej një bashkësie plot jetë që mund t’ia arrijë kësaj tok me ju.

Privatësia

Pajisjet tona celulare përmbajnë më tepër të dhëna personale se sa shumica e ditarëve privatë. Por sistemet pronësore, madje edhe shumica e telefonave Android, janë hartuar t’ua kalojnë këto të dhëna kompanive si Google ose Apple. Shumica e përdoruesve nuk nuk kanë kontroll të plotë mbi të dhënat personale në pajisjet e tyre. Rrugë të volitshme për njëkohësimin e pajisjeve të ndryshme dhe për kopjeruajtjen e të dhënave ndjellin gjithnjë e më shumë njerëz drejt depozitimit të krejt të dhënave të tyre në shërbyes të centralizuar të mbajtur në punë nga disa korporata që ekzistojnë për fitime. Këto zakonisht gjenden në ShBA dhe e kanë të detyruar t’ia kalojnë të dhënat tuaja qeverisë së ShBA-ve fill e pas një kërkese të thjeshtë. Cilido që ka informacione personale mbi ne është në gjendje të na manipulojë. Ndaj pajisjet jo të lira janë një kërcënim për demokracinë dhe shoqërinë tonë.

Privatësia është një nga arsyet më të rëndësishme për të përkrahur Software-in e Lirë. Shtesat pronësore të tilla si Carrier IQ spiunojnë përdoruesit e telefonave të mençur pa dijeni e tyre. Mjaft aplikacione nga tregu përmbajnë anë dashakeqe. Ato lexojnë të dhëna private, të tilla si libri juaj i adresave dhe “phone home”, ose përdorin Google Analytics për të dërguar të dhëna te Google. Këta janë vetëm disa shembuj të zbuluar deri më sot. Mungesa e lirisë pengon këqyrjen e pavarur dhe mekanizmat e fshehtë të spiunimit dalin në dritë vetëm aksidentalisht.

Shumica e telefonave të mençur kërkojnë medoemos që të lidheni dhe të bëni identifikimin e vetes te një shërbyes i centralizuar përpara se të mundeni t’i përdorni ashtu si duhet. Përdoruesve u mbetet të besojnë shërbyesin pa ditur se çfarë të dhënash depozitohen në të dhe se si përpunohen ato ose si lidhen me të dhëna të tjera. Një telefon që xhiron vetëm Software të Lirë nuk ju kërkon të jepni të dhëna te një shoqëri që nuk i zihet besë ose që ju nguc të bëni kështu – më e pakta është që kjo të ketë shumë pak gjasa, ngaqë veprimet e software-it do të ishin të dukshme dhe bashkësia do të ishte në gjendje të ndërtonte një version alternativ. Leverditë e shërbimeve "value-added" që shpesh çiftohen me lidhje të tilla mund të ofrohen edhe nga përdorimi i Software-it të lirë. Kështu ruani kontrollin mbi të dhënat tuaja personale, ditari juaj mbetet pronë e juaja. Edhe mishi të piqet, edhe helli mos digjet.

Të tjera Nisma të Afërta

Edhe pse kjo fushatë merret me Android-in, ka nisma të tjera që e bëjnë të mundur përdorimin e kompjuterave të vegjël celularë me (në pjesën dërrmuese) Software të Lirë. Për shkak të gjendjes së përudhësve në hardware-in për celular, asnjë prej këtyre nismave nuk është në gjendje t’i bëjë këto makina të funksionojnë në liri. Për mjaft pajisje të tilla lypsen përudhës jo të lirë dhe firmware që të mund të funksionojnë në liri.

On our wiki, we collect other initiatives. Please help us to maintain this list.

Kontakt

Nëse keni pyetje rreth kësaj fushate, ju ftojmë të dërgoni një email te lista jonë e postimeve. Kushdo i interesuar për fushatën është pajtuar në të, ndaj mesazhi juaj do të mbërrijë te cilido që interesohet.

Për pyetje të përgjithshme rreth FSFE-së që nuk lidhen me fushatën "Çlironi Android-in Tuaj", ju lutemi, përdorni faqen për kontakte në përgjithësi.

Organizma Pjesëmarrës

digitalcourage Associação Nacional para o Software Livre