Help us spread the word about Free Software across Europe! Contributions until the end of September will be used to translate our 'What is Free Software' video into more European languages

News

Parlamenti gjerman i thotë qeverisë të kufizojë në mënyrë strikte patentat mbi software-in

më:

Të premten, më 7 qershor, parlamenti gjerman vendosi për një mocion të përbashkët mbi kufizimin e patentave mbi software-in (shihni përkthimin në Anglisht nga BIKT). Parlamenti i kërkon qeverisë gjermane të ndërmarrë hapa për kufizimin e akordimit të patentave mbi programe kompjuteri. Software-i do të duhej të mbulohej përjashtimisht nga të drejta kopjimi, dhe mbajtësit e të drejtave të kopjimit nuk do të duhej të zhvlerësoheshin prej palësh të treta përmes patentash software-i. I vetmi përjashtim ku patentat do të duheshin lejuar janë programet e kompjuterit që zëvendësojnë një përbërës mekanik ose elektromagnetik. Veç kësaj, parlamenti e bëri të qartë që veprimet qeveritare lidhur me patentat nuk duhet të përzihen kurrë me ligjshmërinë e shpërndarjes së Software-it të Lirë.

"Ky është një hap i rëndësishëm për të shëruar marrëzinë e patentave mbi software-in. FSFE-ja e mirëpret tej mase këtë vendim. Është gjë shumë e bukur të shohësh se krejt partitë kryesore gjermane e kuptojnë që patentat mbi software-in janë një problem shumë i madh dhe se ato po veprojnë me këtë në mendje," thotë  Matthias Kirschner, bashkërendues i FSFE-së për Gjermaninë.

Dhjetëra mijëra patenta software-i në Gjermani dhe në Europë paraqesin kosto të pamata dhe rreziqe përgjegjësish ligjore, veçanërisht për BVM-të. Disa shoqata gjermane BVM-sh e mirëpritën vendimin e parlamentit. Duke sinjalizuar megjithatë se janë kundër dhënies së krejt përgjegjësisë Brukselit, ngaqë BE-ja ka qenë në mënyrë të vazhdueshme e paaftë të pajisë zhvilluesit e software-it me një siguri ligjore. "Gjermanisë tani i duhet ta sendërtojë këtë vendim në formën e një ligji, për të dërguar një sinjal të fortë drejt Brukselit," thotë Johannes Sommer i BIKT-it, një nga shoqatat.

Në një takim ekspertësh në parlament më 13 maj, në të cilin mori pjesë edhe FSFE-ja, shoqatat BIKT dhe BITMi të industrisë përkatëse propozuan ndryshime në ligjet gjermane të të drejtave të kopjimit dhe patentave. këto propozime do të duhej të preknin edhe patenta software-i të akorduara tashmë. Propozimi i parë është të shtohet një klauzolë "mbulese mbrojtëse" në ligjin gjerman të të drejtave të kopjimit , që vë në zbatim një ndalim tërësor të zbatimit të detyruar të patentave të pretenduara në lidhje me software-in. Propozimi i dytë që synohet të sendërtohet në ligjin gjerman mbi patentat, bën të mundur që efektet e patentave të pretenduara të mos shtrihen mbi vepra të mbrojtura në mënyrë të pavarur nga të drejta kopjimi. Të dy propozimet do të mund të parandalonin zbatimin e detyrueshëm të patentave të software-it mbi zhvillues software-i. FSFE-ja i mbështet të dy propozimet.

"Po të kemi parasysh që BE-ja ka hequr dorë nga fuqia e vet për të vendosur rregulla patentash të njësuara, ky hap drejt kufizimit të patentave mbi software-in është edhe më i rëndësishëm.", thotë Kirschner.

Kuadër: Mocioni i përbashkët u paraqit në parlamentin gjerman në prill.  Pas seancës së parë dëgjimore, komiteti ligjor mbajti më 13 maj një takim me ekspertë të jashtëm, lidhur me të cilin FSFE-ja botoi një deklaratë me shkrim dhe shënimet e Matthias Kirschner-it për paraqitjen e tij gojore. Gjatë seancës, një shumicë domethënëse e ekspertëve të jashtëm përkrahën mocionin e përbashkët. Pas rekomandimeve të Komitetit Ligjor të parlamentit, të mbështetura nga Komiteti për Ekonominë dhe Teknologjinë, Komiteti i Arsimit, Kërkimit, dhe Vlerësimit të Rezultateve të Inxhinierimit, si edhe prej Komitetit për Kulturën dhe Median, parlamenti gjerman në sesion plenar miratoi njëzëri mocionin e përbashkët më 7 qershor.